Tetovë, 11 korrik – Të martën në mëngjes në fshatin Poroj ka filluar thyerja e gurëve të mëdhenj, të cilët kishin arritur deri në fund të fshatit, si pasojë e vërshimeve të 5 qershorit në lumin e këtij fshati. Siç bëhet e ditur nga Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim, thyerja e gurëve ka filluar dhe realizohet me mjete tjera dhe jo me mjete shpërthyese, pasi që deri më tani asnjë kompani nuk kishte marrë përsipër shkatërrimin e gurëve dhe të garantonte siguri për banorët dhe objektet përreth. Nga Drejtoria për mbrojtje dhe shpëtim në Tetovë, njoftuan se janë thyer edhe gurët që kanë qenë afër rrugës Tetovë-Jazhincë si dhe gurët që kanë në pjesën e epërme të lumit në fshatin Poroj. Drejtori i Drejtorisë për mbrojtje dhe shpëtim, Arif Arifi, ka thënë se duke marrë parasysh rrezikun që kanë paraqitur këta gurë dhe duke marrë parasysh kërkesën e vazhdueshme të banorëve se këta gurë mund të jenë edhe më tej rrezik gjatë reshjeve të ardhshme ka marrë iniciativë për të shkatërruar këta gurë që banorët të jenë më të qetë. Në ndërkohë ai ka njoftuar se gjatë punëve në Poroj gjatë muajit të kaluar kanë bërë edhe hapjen e shtratit të lumit në rrjedhën e saj poshtë fshatit që ka qenë e pohuar që nga vërshimet e vitit 2015 dhe banorët kanë hasur në shumë vështirësi për të arritur deri tek pronat e tyre bujqësore. Banorët e fshatit Poroj kohë më parë kanë kërkuar nga të gjitha institucionet që të merren më seriozisht me rregullimin e digave përgjatë lumit por deri më tash nuk ka asnjë lëvizje pozitive. (koha.mk)