Kryetari i PDT-së, Bejxhan Iljaz, theksoi rëndësinë e nënshkrimit të koalicionit të Frontit Evropian. “Jemi dëshmitarë të një momenti historik. Ky koalicion simbolizon vlerat që na bashkojnë dhe na ndihmojnë të ecim përpara drejt një të ardhmeje të përbashkët”, tha ai
Zenel MIFTARI
Shkup, 27 mars – Ka vazhduar zgjerimi i Frontit Evropian, i prirë nga BDI-ja. Sot është zyrtarizuar bashkëpunimi koalicionues ndërmjet BDI-së dhe Partisë Demokratike Turke (PDT) të udhëhequr nga Bejxhan Iljaz, zgjerim ky i cili vjen disa ditë pas nënshkrimit të marrëveshjes me Lëvizjen Populli, PDSH-në, dhe Partinë Demokratike Evropiane. Kryetari i PDT-së, Bejxhan Iljaz, theksoi rëndësinë e nënshkrimit të koalicionit të Frontit Evropian. “Jemi dëshmitarë të një momenti historik,” tha ai, “në një qytet që përfaqëson më së miri bashkëjetesën multietnike. Ky koalicion simbolizon vlerat që na bashkojnë dhe na ndihmojnë të ecim përpara drejt një të ardhmeje të përbashkët”, tha Iljaz.
Ai theksoi se ky koalicioni, i cili përfshin partitë me përvojë të gjatë politike, synon të theksojë rëndësinë e bashkëpunimit dhe të përfshirjes në vendimmarrjen politike në momentet kyçe për vendin. Ai shprehu optimizmin e tij se ky koalicion do të kontribuojë në zhvillimin e vendit dhe do të jetë një faktor kyç në promovimin e vlerave multietnike. “Dita e nënshkrimit të këtij koalicioni i cili nxjerr në pah veçoritë që na bashkojnë e jo ato që na ndajnë, është një hap përpara ardhmërisë sonë. Karakteristikat e partive anëtare të koalicionit janë përvoja e tyre politike, dhe përfshirja e tyre në politikë në momentin më të rëndësishme të vendit. Duke i hedhur ne hapat drejtë ardhmërisë sonë, dua t’ju njoftoj për një fitore të madhe bindëse dhe të thellë. Shpresoj se ky koalicion të jetë i dobishëm për vendin tonë multietnik dhe të ardhmen tonë”, tha Iljaz. Ai në fund ka theksuar se Ahmeti është një arkitekt i ardhmërisë Evropiane të këtij vendi.
Në fjalimin e tij, lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, tha se sot të gjithë në këtë sallë po i shoh se sytë u shkëlqejnë dhe janë plotë gëzim.
“Por, unë sot i kam dy gëzime, gëzimin e parë e kam sepse po bëhet një marrëveshje vërtet historike për të dy komunitetet tona edhe për shqiptarët edhe për turqit. Gëzimin e dytë e kam se 22 vite po bëj përpjekje për një fron të tillë dhe pas çerek-shekulli po realizohet. Mendoj se Marrëveshjes së Ohrit i duhen të gjitha partitë politike, për të ndryshuar statusin politik në Maqedoninë e Veriut. U ndryshua statusi i popullit turk, boshnjak, dhe rom. Këtë ndryshim ma ka thënë dhe presidenti ndjerë Trajkovski i cili më tha se me marrëveshjen e Ohrit kam fituar dhe unë, sepse u pranua dhe besimi i evangjelist që ishte i papranuar në këtë shtet. Marrëveshja e Ohrit është një pasuri dhe kapital për komunitetet që ishin të margjinalizuara në vendin tonë”, deklaroi Ahmeti.
Ai shtoi se ky front do të jetë jo për përdorim të njëhershëm për zgjedhjet presidenciale e lokale, ky front do të jetë jetëgjatë sepse interesat janë të përbashkëta nuk mund t’i ndajmë njerëzit që jetojnë bashkë, sepse janë krijuar familje. “Ne po bëjmë përpjekje bashkë që vendin ta anëtarësojmë në BE, gjithashtu të forcojmë dokumentet e pakontestueshme të Marrëveshjes së Ohrit, marrëveshjes së Prespës, marrëveshjen për fqinjësi të mirë, paqe dhe stabilitet për vendin dhe rajoni. Prandaj motoja jonë jo rastësisht është po Evropës dhe jo Rusisë, sepse ne duam paqe dhe stabilitet për të gjitha kombet në Evropë”, u shpreh në fund Ahmeti. (koha.mk)