“Në 12 qytete të Maqedonisë së Veriut, në shumicën e shkollave të mesme të tyre kanë mungesa të sapunëve, letrave higjienike dhe çezmave”, shprehet Blendi Hodai, kryetari i Unionit të Nxënësve të Shkollave të Mesme në RMV. Për këtë mungesë të mjeteve higjienike në tualetet e shkollave të mesme ka filluar fushata sensibilizuese me “hashtag” #skaSapun nga OJQ-ja “Democracy Lab”
Zenel MIFTARI
Shkup, 25 shkurt – Në shkollat fillore dhe të mesme të Maqedonisë së Veriut, kujdesi për higjienën personal dhe mbrojtjen nga gripi sezonal është një sfidë në vete, sepse mungojnë mjetet elementare higjienike, gjë që e shton problemin për tu mbrojtur nga viruset infektues. Për këtë mungesë të mjeteve higjienike në tualetet e shkollave të mesme ka filluar fushata sensibiluzuese me “hashtag” #skaSapun.
Blendi Hodai, kryetari i Unionit të Nxënësve të Shkollave të Mesme në RMV, për gazetën KOHA, thotë se shumica e shkollave në Maqedoninë e Veriut, nuk i kanë gjërat elementare higjienike në tualetet e tyre. Hodai pranon që problemi nuk është vetëm te shkolla por edhe te nxënësit të cilët nuk i ruajnë dhe nuk kujdesën për mjetet e nevojshme higjienike në tualete.
“Në 12 qytete të Maqedonisë së Veriut, në shumicën e shkollave të mesme të tyre kanë mungesa të sapunëve, letrave higjienike dhe çezmave”, shprehet Hodai. Ai ka treguar dhe masat të cilat do të merren për ta kaluar këtë problematikë. “Faza e parë e kësaj nisme është grumbullimi i fotografive dhe fakteve ku mungojnë mjete higjienike, ndërsa faza e dytë do të jetë mbajtja e leksioneve me nxënësit për rëndësinë e higjienës dhe ruajtjes së mjeteve higjienike, që të mos dëmtohet e cila ndodhë rëndom te ne. Sipas tij, gjendja është banalizuar në disa shkolla që ka shkuar aq lartë ku drejtoria ka kërkuar që nga nxënësit të blihen mjetet higjienike.
Kryetari i OJQ-së “Democracy Lab”, Sefer Selimi, për gazetën KOHA, ka thënë se fushata filloi si pjesë e punës praktike në kuadër të projektit “Young Journalists’ Network” (Rrjeti i Gazetarëve të Rinj), ku pjesëmarrësit krahas trajnimeve kanë edhe punën praktike.
“Nga disa hulumtime gjatë punës së tyre u vërejtën shumë probleme, kurse mungesa e kushteve higjienike në shkolla dhe institucione publike ishte njëra nga më të theksuarat, duke pas parasysh edhe sezonin e gripit e sidomos edhe rrezikun nga Korona virusi, menduam që ta aktualizojmë këtë problematikë”, thotë Selimi. Ai thotë se duke shfrytëzuar platformat online, gazetarët e rinj vendosën të aktualizojnë këtë si çështje me çka u bashkëngjitën edhe shumë individë e grupe tjera. Selimi shpreson që kjo fushatë të jap rezultatin e duhur dhe ky problem të gjej zgjidhjen e vet sa më shpejt të jetë mundur. Ndërkohë drejtor i gjimnazit “Kirill Pejçinoviq” në Tetovë, Nazif Shabani, për gazetën KOHA, është shprehur se janë duke e ndjekur fushatën sensibilizuese në rrjetet sociale. Ai fajëson edhe nxënësit e pa kujdesshëm të cilët nuk janë të ndërgjegjshëm dhe të vetëdijshëm për rendësin e shëndetit të tyre dhe mirëmbajtjes së higjienës në shkollë.
“Ne në fillim të vitit planifikojmë buxhetin e shkollës dhe parashikojmë të gjitha mjetet e nevojshme për ta mirëmbajtur higjienën në shkollë si dhe nevojat tjera të nxënësve dhe stafit”, është shprehur Shabani. Sipas tij, nga pakujdesia e nxënësve nga mesi i vitit shkollor, shkolla nuk ka sapun dhe mjetet e tjera të nevojshme sepse prishen dhe thyen nga nxënësit e pa kujdesshëm. Për këtë arsyeje në një periudhë kohore mungojnë mjetet higjienike dhe shkolla nuk ka mundësi që të intervenoj menjëherë.
Ndërkohë Rita Behadini, pjesëmarrëse në këtë nismë nga “Democtracy Lab” për gazetën Koha, tregon për aktivitete që do të ndërmerren në sensibilizimin e kësaj problematike. “Ne si gazetar të rijnë morëm për detyrë që të gjithë të vizitojmë shkollat publike në vend dhe t’i fotografojmë tualetet, për të parë nëse kanë apo nuk kanë sapun, meqë larja e duarve është një prej mënyrave për t’u mbrojtur nga gripi dhe infeksionet”, shprehet Behadini. Sa i përket përkrahjes nga nxënësit, ajo mendon se nxënësit kanë frikë t’i bashkohen kësaj fushate ngaqë mund t’u bëhet presion nga ana e drejtorisë apo profesorëve. Sipas saj, ajo për zgjidhja është shumë e lehtë dhe ajo është të ketë sapun. Kjo është një prej gjërave bazë, e domosdoshme, e që duhet t’iu ofrohet nxënësve dhe studentëve. Shkollat duhet të mbajnë përgjegjësi për këtë. Sipas të dhënave të fundit, në Maqedoninë e Veriut, janë prekur rreth 6000 persona nga gripi sezonal. Ndërsa deri më tani, janë raportuar tre raste të vdekjeve, duke përfshirë një vajzë 14-vjeçare dhe dy burra të moshës 50 dhe 85 vjeç. (koha.mk)