Taulant Xhaka, Ezgjan Alioski, Burim Kukeli, Armando Sadiku dhe Shkëlqim Demhasaj janë futbollistët shqiptarë që janë të nominuar për ekipin më të mirë të vitit në Superligën dhe Ligën e Parë. Më 30 janar do të mbahet mbrëmja gala e e futbollit zviceran “SFL Award Night”, ku do të ketë si protagonistë shumë futbollistë shqiptarë, të përzgjedhur mes kandidatëve për t’u bërë pjesë e “Skuadrës së vitit” si në Superligë, ashtu edhe në kategorinë e dytë, shkruan albinfo.ch. Ata kanë shkëlqyer në edicionin e kaluar dhe sigurisht se pritet të shkëlqejnë edhe në mbrëmjen e veçantë të futbollit zviceran.
Në formacionin ideal të këtij edicioni për Superligën e Zvicrës, mes emrave që mund të përzgjidhen është edhe ai i Taulant Xhakës, gjithnjë e më shumë lider te Baseli, skuadër që po dominon. Përkrah tij është edhe shqiptari që luan për Maqedoninë, Ezgjan Alioski i Luganos. Në Challenge League, sigurisht që nuk mund të mungonin emrat e dy futbollistëve shqiptarë të Zurichut, Burim Kukeli dhe Armando Sadiku, edhe pse ky i fundit tashmë ka kaluar në Superligë, në radhët e Luganos dhe do të vazhdojë atje pjesën e mbetur të sezonit. Në listën e sulmuesve në këtë kategori gjendet edhe emri i kosovarit 20-vjeçar të Schaffhausen, Shkëlqim Demhasaj, i cili është një nga zbulimet e sezonit në Zvicër, ku në 18 ndeshje ka shënuar 8 gola.