SHBA e ka njohur Jerusalemin si kryeqytet të Izraelit që prej vitit 1995 me vendim të Kongresit, por zbatimi në praktikë i këtij vendimi përmes hapjes së ambasadës në Jerusalem është shtyrë vazhdimisht për shkak të reagimeve të mundshme të shteteve arabe dhe mospranimit të një hapi të tillë nga BE-ja. Prej 70 vjetësh ka një konsens ndërkombëtar që për zgjidhjen e konfliktit në Lindjen e Mesme Jerusalemi shihej si temë tabu. Sepse njohja e tij si kryeqytet do të shkaktonte një acarim të madh. Rudolf Drebler mendon se me vendimin e tij për transferimin e ambasadës amerikane nga Tel Avivi në Jerusalem presidenti Trump po sillet si bosi i një sipërmarrjeje industriale, që bën si të ketë qejf. Sipas Drebler, këtë hap Trumpi e bëri për shkak të “injorancës kundrejt të gjitha zërave ndërkombëtarë”. “Ky nuk është vendimi i parë i pazakontë që merr Trumpi”. Por sipas ish-ambasadorit të Gjermanisë në Izrael, tani SHBA nuk mund të jetë më partner ndërkombëtar për bisedimet për paqe, sepse me transferimin e ambasadës në Jerusalem, SHBA tregohet e partishme. Sipas tij, tani përgjegjësia mbetet te Rusia, Kina dhe te BE-ja. Tani sipas ekspertëve nuk bëhet fjalë për rifillimin e bisedimeve të paqes, por se si mund të pengohet shpërthimi i një dhune të re. Madje, Drebler mendon se vendimi i presidentit Trump mund të çojë një intifadë të tretë, në rast se mbajmë parasysh se çfarë çoi në shpërthimin e intifadës së dytë: pikërisht vizita e ish-kryeministrit izraelit Ariel Sharon në Malin e Tempullit, mendon Drebler. Gjermania do të vendosë për transferimin e ambasadës së saj nga Tel Avivi në Izrael vetëm pasi të arrihet një marrëveshje paqeje mes Izraelit dhe Palestinezëve dhe një marrëveshje për sqarimin e kryeqytetit, Jerusalemit lindor dhe perëndimor mes të dyja palëve. Nga ana tjetër, Gjermania dhe vendet e BE-së duhet të mendojnë tani se cili do të jetë roli i tyre në politikën e re mes Trumpit dhe Netanjahut dhe se si Izraeli të rikthehet në tryezën e bisedimeve. Në ndërkohë, Ministria e Punëve të Jashtme të Palestinës ka reaguar ndaj marrjes së vendimit të presidentit të SHBA-ve, Donald Trump për të njohur Jerusalemin si kryeqytet të Izraelit. Në një njoftim të MPJ-së palestineze thuhet se “Shteti i Palestinës shpreh refuzimin e tij të ashpër dhe të qartë ndaj shpalljes së bërë nga presidenti i SHBA-ve, Donald Trump. Vendimi i administratës amerikane për të njohur Jerusalemin si kryeqytet të Izraelit është një akt armiqësie kundër popullit palestinez, të drejtave të tyre të patjetërsueshme kombëtare”. Më tej thuhet se deklarata e sotme është sulm ndaj të drejtës ndërkombëtare. “Shteti i Palestinës e sheh këtë deklaratë të politikave si një sulm ndaj shpirtit dhe kartës së të drejtës ndërkombëtare, duke përfshirë Kartën e Kombeve të Bashkuara, e cila nuk pranon përvetësimin e territorit me forcë dhe as pasojat që rezultojnë nga veprime të tilla të paligjshme. Është gjithashtu një sulm ndaj shpirtit dhe qëndrimit të Jerusalemit, si një qytet në zemër dhe qendër shpirtërore të miliarda njerëzve në mbarë botën”, qëndron në deklaratë. Më pas thuhet se ky njoftim nuk ka asnjë ndikim në qëndrimin ligjor të Jerusalemit si një qytet palestinez i pushtuar dhe një pjesë integrale e territorit të okupuar palestinez. Megjithatë, implikimet politike të këtij vendimi do të shtrihen përtej Palestinës dhe rajonit. Edhe përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Federica Mogherini, ka deklaruar se janë shumë të shqetësuar për shkak të deklaratës së bërë nga presidenti amerikan, Donald Trump, për “njohjen e Jerusalemit si kryeqytet të Izraelit”. Në një deklaratë me shkrim, duke vënë në dukje se nuk ka ndryshuar qëndrimi i BE-së, Mogherini, ka theksuar se duhet të gjendet një zgjidhje për të përmbushur pritjet e të dyja palëve nëpërmjet negociatave dhe e cila të sigurojë që Jerusalemi në të ardhmen të jetë kryeqyteti i dy shteteve. Më tej Mogherini ka nënvizuar se BE-ja për pengimin e tensioneve u bën thirrje të gjitha palëve në rajon për maturi dhe se duhet të përqendrohen në krijimin e një mjedisi për nisjen e negociatave direkte. “BE-ja dhe vendet anëtare do të vazhdojnë të respektojnë konsensusin ndërkombëtar të arritur në kuadër të rezolutës nr 478 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (KS-OKB) mbi Jerusalemin dhe deri në përcaktimin e statusit të Jerusalemit nuk do të ndryshojë vendet e përfaqësive të tyre diplomatike”, ka vlerësuar Mogherini.