Shkup, 21 shkurt– Zvogëlohet numri i kurorëzimeve tek të miturit në rajonin e Gostivarit. Për dallim nga kohërat e kaluara, kur formimi i bashkësisë familjare me të mitur ishte fenomen i shpeshtë, tani gjendja po ndryshon. Të dhënat e Qendrës për punë sociale (QSP) në Gostivar tregojnë se në vitin 2016 janë lidhur 15 çifte bashkëshortore të mitur, ndërsa vitin e kaluar (2017) numri ka rënë në katër, informon Koha.
Nga QPS thonë se para 7-8 viteve kishte nga 30 raste të tilla në vit, pjesa më e madhe e të cilëve kanë qenë mysliman maqedonas apo popullatë rome.
“Tani nga viti në vit numri vazhdimisht ulet. Si duket dëgjohen këshillat e prindërve dhe vetëdija tek të rinjtë po zhvillohet. Gjithsesi, ata janë persona që janë në moshë shumë të re, janë jo serioz, nuk janë të përgatitur as fizikisht e as psiqikisht ti pranojnë obligimet dhe sfidat që sjell martesa. Mu për këtë shkak rreziku për divorc është më i madh tek çiftet e reja”, thotë Nadica Veliçkovska, drejtoreshë në Qendrën për punë sociale në Gostivar.
Përvoja më së shpeshti thotë se në përqindjen më të madhe të rasteve, nusja është ajo e cila nuk i ka as 18 vjet.