Bruksel, 12 janar – Negociatat mes BE-së dhe Turqisë, që gjenden në qorrsokak, duhet ta nxisin Unionin që të gjejë formë “më reale” për marrëdhëniet me Ankaranë, vlerëson komisari evropian për politikë të fqinjsësisë dhe zgjerim, Johanes Han.
“Bashkimi Evropian duhet të kërkojë forma të reja për partneritet strategjik me Ankaranë”, tha Han në intervistë për agjencinë DPA.
Ai me këtë rast e ka përkrahur qëndrimin e parashtruar paradokohe të presidentit francez Emanuel Makron, se BE-ja duhet t’i rishqyrtojë marrëdhëniet dhe bashkëpunimin me Turqinë.
Gjatë viteve të kaluara një nga sferat kryesore të bashkëpunimit mes BE-së dhe Turqisë ishte ballafaqimi me migracionin, për çka të dy palët lidhën marrëveshje në mars të vitit 2016, me të cilin është ndërprerë largimi i emigrantëve nga territori turk drejt Evropës, në këmbim për ndihmë financiare për Ankaranë nga Brukseli.
Ankara deri tani disa herë akuzoi se BE-ja nuk i ka plotësuar obligimet e saj nga marrëveshja në pjesën e ndarjes së ndihmës financiare, por Han në intervistë pohon se Unioni tërërisht i ka paguar tre miliardë euro, për të cilat është arritur marrëveshje.
BE-ja paralajmëroii se nëse ka nevojë vendet evropiane do t’i ndajnë Turqisë edhe ndihmë shtesë fijanciare, por disa shtete, si Gjermania, Franca dhe Suedia nuk dëshirojnë të paguajnë mjete nga buxhetet e tyre, por vlerësojnë se ato pare duhet të sigurohen nga fondet e Unionit.
Turqia është kandidat për anëtarësim në BE nga viti 1999, por në vitin 2016 negociatat inkuadruese ranë në qorrsokak për shkak të akuzave të liderëve evropianë për shkeljen e të drejtave të njeriut në Turqi pas tentimit të pasuksesshëm për grusht shtet dhe pas kritikave nga Ankara drejt disa vendeve anëtare të BE-së.