Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, në 25-vjetorin e masakrës së Dubravës, ku nga 19 deri më 24 maj 1999, forcat policore e ushtarake serbe vranë mbi 130 të burgosur shqiptarë dhe plagosën mbi 200 të tjerë, deklaroi se ky akt i përgjakshëm shpërfaqi qartë gjenocidin e shtetit të Serbisë që ndodhi në Kosovë gjatë luftës së fundit
“Masakra e Dubravës shpërfaqi qartë gjenocidin e shtetit serb, ku si synim kryesor kishte zhdukjen e qenies shqiptare, përmes spastrimit etnik, masakrave kudo në Kosovë e dëbimin me dhunë të më shumë se të gjysmës së popullatës nga trojet e tyre”, shkroi Haradinaj në një postim në “Facebook” të mërkurën derisa përkujtoi masakrën që cilësohet si një nga më mizoret.
“Po ashtu, në ato ditë maji të 1999, forcat ushtarake serbe, mbi popullatën shqiptare në Vushtrri ushtruan terror të paparë, duke ekzekutuar burra, gra, pleq e fëmijë, pa dallim. Trupat e 67 nga 68 të vrarëve në rrugën ’22 Maji’ në Vushtrri, u gjetën në varrezat masive në Serbi mes viteve 2003-2012”.
Ish-kryeministri i Kosovës po ashtu theksoi se edhe pas 25 vjetësh, fatkeqësisht ende askush nga urdhëruesit dhe ekzekutuesit e këtyre krimeve me motive gjenocidi nuk doli para drejtësisë vendore ose ndërkombëtare. E në burgun famkeq të Dubravës ka qenë i burgosur edhe veprimtari i shquar kosovar, Ukshin Hoti, për fatin e të cilit nuk dihet asgjë që nga viti 1999.
Serbia nuk i ka pranuar krimet e luftës në Kosovë, nuk ka kërkuar falje dhe nuk është treguar e gatshme të bashkëpunojnë me drejtësinë ndërkombëtare për t’i dorëzuar kriminelët e luftës dhe për të dhënë informacione për varrezat masive, ku janë fshehur trupat e mijëra viktimave. Ndryshe, në luftën e fundit në Kosovë vlerësohet se u vranë rreth 13 mijë e 500 persona.