Delvina KËRLUKU
Dr.Ilir Hasani, ka lindur më 23 maj 1977, në Kumanovë. I rritur në një familje të rrethuar me mjekësi, babai i Ilirit njihet si njëri ndër pediatrit më të vjetër shqiptarë në Kumanove, si dhe pediatri më i moshuar në këtë qytet. Nëna infermiere, gjithmonë përkrah babait. Ilir ka dhe dy motra – të dyja mjeke, Arta specialiste gjinekologe e punësuar në Klinikën e Gjinekologjisë ,si dhe Arzana – specialiste interniste e punësuar në Klinikën e Gastroenterohepatologjisë. Iliri filloren e ka kryer në shkollën “Bajram Shabani” në Kumanovë, dy vitet e para të shkollës së mesme në gjimnazin “Skendërbeu” në Preshevë, në gjuhën shqipe, meqë në vitet 1990-992, në Kumanovë ishin mbyllur paralelet në gjuhën shqipe në gjimnazin e qytetit. Dy vitet e fundit të gjimnazit të përgjithshëm i ka kryer në Kumanovë, atëherë kur në “Goce Dellçev”, në vitin 1993 u hap paralelja e parë në gjuhën shqipe, pas 6 viteve pauzë. Fakultetin e Mjekësisë e ka filluar në vitin 1994 dhe e ka përfunduar në vitin 2000, në moshën 23-vjeçare. Menjëherë ka filluar me punë në ambulancën private pediatrike të babait të tij, ku disa vite ka punuar me fëmijë të vegjël. Në vitin 2002 ka filluar specializimin e Kirurgjisë abdominale në Prishtinë. I martuar me Arjetën, gjithashtu mjeke-pediatër e punësuar në Klinikën për sëmundje të fëmijëve, Iliri është baba i Jonit 12-vjeç, Kronit 10-vjeç, si dhe Noarit 2-vjeç. Në vitin 2003 ka filluar specializimin e Kirurgjisë së Përgjithshme në Fakultetin e Mjekësisë në Shkup. Një vit më vonë është punësuar në Klinikën e Traumatologjisë pran kampusit klinik “Nënë Tereza”, ku edhe aktualisht punon. Specializimin e Kirurgjisë së përgjithshme e ka përfunduar në vitin 2008, që më pas të emërohet drejtor i Klinikës së Ortopedisë, funksion të cilin e ka ushtruar për thuajse dy vite. Më pas është emëruar si udhëheqës i Qendrës Urgjente Kirurgjikale, funksion të cilin edhe sot e kësaj dite e ushtron. Momentalisht ndjek studimet e doktoraturës, në vitin e fundit. Gjithashtu është edhe duke supspecializuar në lëminë e Traumatologjisë së sistemit lokomotor, të cilin planifikon ta përfundojë në mars të vitit të ardhshëm.
KOHA: Doktor, jeni rritur dhe jetoni në një familje të rrethuar me mjekësi. Babai pediatër i njohur në Kumanovë, nëna poashtu. Dhe në familjen më të gjerë tuajën, gjen sërish mjek. Ka gara mes jush në shtëpi?
HASANI: Absolutisht jo, nuk bëhet fjalë për garë. Është kënaqësi dhe privilegj të jesh rrethuar me mjek profesionist të cilët të kuptojnë, e vlerësojnë dhe e mbështesin punën tënde. Përkundrazi, të qenurit në ambient ku çdo ditë flitet për çështje mjekësore, të bën më të vetëdijshëm për problemet, privilegjet, të mirat dhe të këqijat që ti ofron të qenurit mjek. Kam pas fat, gjithashtu që edhe bashkëshortja ime është mjeke – specialiste pediatër dhe debatet e bisedat mjekësore edhe brenda përbrenda familjes së ngushtë nuk mungojnë asnjëherë. Por assesi nuk bëhet fjalë për garë. Gëzohemi për sukseset e njëri-tjetrit. Përveç mjekësisë, si një “trashëgim” që mund të them – që të tre fëmijët e kemi nga babai, që ia ka trashëguar edhe dy motrave të mia, gjithashtu edhe shprehia për punë është një gjë për të cilën i kam lakmuar gjithnjë. Duke e parë se sa shumë punon prindi im, më ka bërë më të fortë dhe më ka dhënë vullnet edhe më shumë për punë. Sepse, vetëm me punë e përkushtim mund të arrihet suksesi.
KOHA: Kemi dëgjuar shpesh të thonë se: “Mjekimi shkon bashkë me fjalët e ëmbla”! Sa në klinikat e Shkupit mund të dëgjojmë pak ëmbëlsi…?
HASANI: Është e vërtetë! Puna me palë është punë specifike. Është shumë me rëndësi qasja ndaj pacientit, ai kontakti i parë verbal mjek-pacient, krijimi i besueshmërisë së ndërsjellë, zgjedhja e fjalorit adekuat në momente të caktuara, momente që ndonjëherë janë shumë të vështira për pacientin dhe familjarët e tij. Në Klinikat e Shkupit mendoj se çdo ditë e më shumë hasim në “ëmbëlsi”. Sidomos viteve të fundit, ku me rritjen e numrit të mjekëve dhe specialistëve shqiptarë, të punësuar në institucionet shtetërore, ka mundësi që çdo pacient, e me këtë edhe shqiptarët të shprehen e ti qajnë hallet në gjuhen e tyre, të marrë përgjigje, kurim e shërim poashtu në gjuhen e tyre. Mendoj se kjo ëmbëlsi po rritet çdo ditë e më shumë.
KOHA: E keni menduar se çfarë do ishit tjetër nëse nuk do kishit përfunduar mjekësinë?
HASANI: Duke qenë i rritur në familje me mjekë, duke i parë të mirat dhe të këqijat e këtij profesioni, edhepse kurrë nuk kam pasur ndonjë ndikim direkt nga prindi, në vetëdijen time asnjëherë nuk kam pasur dyshim për drejtimin të cilin do ta marrë. Në këto rrethana që jam rritur, spontanisht më kanë kanalizuar në drejtim të studimit të shkencave mjekësore, pa hamendje. Në vendet më të zhvilluara dhe me traditë, të qenurit pasardhës dhe në të njëjtin profesion me prindërit, është privilegj, prioritet dhe krenari. Ata krenohen që gjysh e stërgjysh i kanë pasur të profesionit të njëjtë, dhe vlerësohen nga ajo se cilës gjeneratë i takojnë. Edhepse shkencat natyrore (matematikë, fizikë) kanë fjetur tek unë, shkencat kompjuterike ishin sfidë e kohës në kohën kur unë duhej të profilizohesha. Mirëpo, peshorja rëndoi nga ana e mjekësisë dhe tani ja ku jemi.
KOHA: Profesioni i mjekut futet në listën e profesioneve që ka pak kohë të lirë dhe me shumë strese! Si arrini të menaxhoni stresin! Keni gjetur ilaçin e saj?
HASANI: Është punë jo e lehtë që kërkon përkushtim. Për fat të keq, profesioni i ngushtë që e kam zgjedhur unë si kirurg-traumatolog, është punë pa orar. Urgjencat nuk kanë planifikim dhe duhet të jesh online 24/7. Njeherësh, pozicioni im aktual si udhëheqës i Qendrës Urgjente Kirurgjike, dhe organizimi i punës në të, e bën edhe më të vështirë jetën time. Profesioni i mjekut është i lidhur me edukim të kontinuuar si dhe sfida tjera, që njeriu nëse do ti arrij, sigurisht që konsumojnë shumë kohë. Poashtu, edhe stresi nuk mungon. Punojmë me qenie njerëzore dhe jemi qenie njerëzore që kemi ndjenja, bashkëndjejmë me pacientët dhe familjarët e tyre. Mundohem maksimalisht që stresin dhe vështirësitë që i kam në punë, të mos i mbaj me vete kur kthehem në shtëpi, edhepse jam i vetëdijshëm se jo gjithmonë mund t’ia dalë. Familja ime është ilaçi im. Janë fëmijët e mi Joni, Kroni dhe Noari i vogël, që janë antistresi im. Shëtitjet me ta, vikendet e lira të kaluara në natyrë më mbushin me energji që të vazhdoj tutje.
KOHA: Po për familjen, keni kohë të mjaftueshme?
HASANI: Ndoshta mjaftueshëm jo. Shpeshherë jam edhe vetëkritikë se nuk jam mjaftueshëm me ta. Mundohem që të kaloj sa më shumë kohë me familjen time. Kam mbështetje të plotë të bashkëshortes. Ajo kujdeset në të shumtën e kohës për çdo gjë që ka të bëj me familjen dhe fëmijët, dhe për këtë gjë jam i lehtësuar se e di qe janë në duar të sigurta. Unë punoj për ta, sepse mendoj se familja është celula bazë e çdo shoqërie dhe investimi në ta asnjëherë nuk është i mjaftueshëm.
KOHA: Çka mund të na thoni për veprimtarinë tënde profesionale, respektivisht për kirurgjinë?
HASANI: Kirurgjinë e kam dashur dhe adhuruar që nga momenti kur për herë të parë jam ballafaquar me të. Jo rastësisht thonë se “kirurgjia është mbretëresha e mjekësisë”. Diçka ka magjike në briskun e kirurgut, që po ta shijosh një herë, nuk do ndahesh dot nga ai. Është një degë e mjekësisë ku më së afërmi mund ti ndjesh rezultatet e punës dhe mundit të dhënë. Kirurgjia është shumë joshëse për mua, saqë shpesh kur largohem nga salla e operacionit, e ndjej në thellësi të më mungon. Momentalisht jam në vrullin e espresionit profesional, ku bëj një numër të konsiderueshëm operacionesh që arrin 300-400 në vit, nga më të thjeshtat deri te më komplekset, nga më të shpeshtat deri në operacione që bëhen shumë rrallë në vendin tonë, por edhe më gjerë. Përveç lëndimeve të sistemit lokomotor, respektivisht eshtrave, nyjeve, ligamenteve dhe tetivave, në repertorin tim të intervenimeve kirurgjike që i bëj me dëshirë dhe i preferoj më shumë, janë intervenimet kirurgjike të shtyllës kurrizore, pelvikut si dhe të acetabulumit. Për nga natyra, intervenimet e tilla janë komplekse dhe sfiduese për mua. Përveç lëndimeve të pjesët e lartpërmendura të skeletit, gjithashtu gjithnjë e më shumë i trajtoj edhe patologjitë tjera, si sëmundjet degjenerative, tumoret, infeksionet dhe deformitetet.
Për momentin jam në subspecializim në Fakultetin e Mjekësisë në profilin “Traumatologjia e Sistemit muskulo-skeletorë”, si dhe në të njëjtën kohë ndjek studimet e doktoraturës në po të njëjtin fakultet, ku për momentin jam vitin e fundit. Përveç punës në sallë të operacionit, puna shkencore ka specifikat e veta, kërkon angazhim dhe koncentrim të një natyre tjetër nga puna rutinore e përditshme në salle të operacionit dhe normal konsumon kohën të cilën e kemi shumë të çmuar. Meqë flisnim për aktivitetet e mia profesionale, mund të them që njëra nga aktivitetet të cilat i bëj me gjithë qejf është edhe puna edukativo-arsimore si asistent në Fakultetin e Mjekësisë në Shkup, lënda Kirurgji. Përveç edukimit të studentëve, mjaft sfiduese është edhe përgatitja e stafit profesional në lëminë e Traumatologjisë, respektivisht edukimi i specializantëve që do jenë bartësit e veprimtarisë së Traumatologjisë në të ardhmen si në institucionin ku punoj unë, gjithashtu edhe nëpër qytetet tjera në Republikën e Maqedonisë. Mbjellja dhe rritja e fidaneve sot, do të thotë një ardhmëri më e mirë për mjekësinë në trojet tona. Më së vështiri dhe më së shtrenjti kushton dhe zgjatë përgatitja e resurseve njerëzore, se çfarëdo investimi në aparature ose infrastrukturë.
KOHA: Do të këshillonit fëmijët që të ndjekin rrugën e mjekësisë?
HASANI: Gjenerata e re (fëmijët), është gjeneratë komplet tjetër prej gjeneratës tonë, time në këtë rast. Është gjeneratë e internetit dhe teknologjisë. Unë fëmijët e mi i këshilloj që të punojnë, të kenë shprehi të punës. Dy djemtë e mëdhenj janë nxënës të shkëlqyeshëm dhe kjo është me rëndësi. Edhepse nuk mund ta përjashtoj ndikimin indirekt që e kanë fëmijët e mi, duke u rritur në ambient “mjekësorë”, ku çdo ditë i shijojnë të mirat dhe të këqijat e këtij profesioni, se çka do të zgjedhin ata, do të jetë gjithmonë zgjedhje e tyre dhe unë do ti mbështes në çdo hap. Është mëse normal që do më bëhej qejfi që edhe ata të shkojnë rrugës se prindërve dhe gjyshërve të tyre, duke i pasur parasysh atë “trashëgimi” që e diskutuam më parë, po sidoqoftë – më e hairit është që ata të zgjedhin dhe të vendosin vet për të ardhmen e tyre.
KOHA: Shqiptarët në përgjithësi, e në veçanti mjekët, e kanë vështirë të pranojnë gabimet! Cili është gabimi më i madh i Ilirit, nga i cili ka marrë mësim tani?
HASANI: Është thënie e vjetër latine “Errata Humanum Est”. Gabimi është pjesë e punës, po edhe pjesë e jetës. Njeriu mësohet duke gabuar. Fakt është që “më mirë të mësosh nga gabimet e huaja se sa të tuajat”. Nuk është turp të gabosh, është turp të mos e pranosh se ke gabuar. Në jetën time, sigurisht se kam bërë gabime, po për fat të madh – janë të korrigjueshme. Nuk kam pasur ndonjë gabim që vërtetë është aq i madh që mund ta citoj në këtë intervistë. Bile, edhe nuk duhet të presim nga njerëzit që të jenë të pagabueshëm. Zoti në këtë botë nuk ka krijuar qenie perfekte. Gabimet gjatë punës profesionale i quajmë “komplikime të trajtimit”. Quhen kështu meqë nuk janë gabime të qëllimshme dhe tendencioze. As mos të dyshojë ndokush se mundet ndonjë mjek me qëllim ti bëjë keq pacientit. Puna e mjekut është punë shumë humane. Në momentin e diplomimit dhe veshjes së mantelit të bardhë, çdo mjek e jep betimin e Hipokratit. E tërë bota dhe e tërë shkenca, i tërë shkollimi, trajnimi dhe edukimi i mjekëve… është i orientuar për ti ndihmuar pacientit, e jo për ta dëmtuar atë.
KOHA: Të gjitha hulumtimet vendore dhe ato ndërkombëtare theksojnë se një numër i madh i mjekëve nga Ballkani (kryesisht edhe nga Maqedonia), po ikin drejt vendeve të Bashkimit Evropian. Keni arritur të identifikoni shkaqet kryesore për këtë shpërngulje të mantel bardhëve?
HASANI: Absolut se është mëse e vërtetë. Fenomeni që po e përmendni i “brain drain” është shumë aktual dhe shumë i dëmshëm për shoqërinë tone. Trendet botërore flasin për zvogëlim të interesimit në përgjithësi për studime mjekësore për shkak të afatgjatësisë dhe vështirësisë së studimeve të shkencave mjekësore, pavarësia e vonuar profesionale dhe materiale e profesionistëve mjekësore. Pas pavarësimit, profesioni i mjekut gjithashtu është shumë i vështirë në aspektin e kohës së kaluar pranë pacientëve, stresit të madh në punë, si dhe kompensimit financiar të vogël në krahasim me profesionet tjera. Të njëjtat fenomene ekzistojnë edhe në shtetin tonë dhe fort e godasin profesionin e mjekut. Në vendin tonë, ikja e trurit është gjithashtu edhe si pasojë e politikave të gabuara shëndetësore, të cilat direkt sjellin te demotivimi i mjekëve të rinj, duke kërkuar shpëtim në vende më të zhvilluara ekonomikisht, ku edhe presin kushte më të mira për edukim, punë si dhe të mira materiale. Jorastësisht, gjatë ushtrimeve të lëndës së Kirurgjisë, që i mbaj me studentët e mjekësisë në Fakultetin e Mjekësisë, në Shkup, gjithmonë i pyes studentët se cilët nga ata mësojnë gjuhën gjermane, edhe për çudi, mëse 80 për qind e tyre ndjekin kurse intensive të gjuhës gjermane. Është sfidë serioze e shoqërisë tonë për korrigjimin e kësaj situate. Kërkohet shumë punë, angazhim dhe balancim të reformave të dështuara në shëndetësi, si dhe rekanalizim të reformave me një tempo shumë të shpejtuar, që të mund të kompensohet koha e humbur, si dhe të joshet rinia jonë që perspektivën ta kërkojë në këtë shoqëri. Edhepse është problem shumë kompleks dhe multifaktorial, shpresoj që një angazhim me përkushtim dhe dije në një të ardhme të afërt, do të rezultojë me sukses.
KOHA: Po ju, e keni menduar shpërnguljen nga Maqedonia në ndonjë vend të BE-së?
HASANI: Asnjëherë deri më tani nuk kam pasur si opsion shpërnguljen nga Maqedonia. Në vitin 2004, kur edhe isha në trajnim profesional në Slloveni për më gjatë, po edhe pastaj në Frankfurt, gjithmonë jam habitur me njerëzit kur më thoshin me një bindje se paskam shkuar që të vazhdoj jetën time atje. Vërtet, asnjëherë nuk e kam menduar të largohem nga ky vend. Me të mirat e të këqijat që i ka Ballkani, mua më pëlqen. Edhe në bisedë me kolegë e studentë, gjithnjë e kam mbrojtur qëndrimin se ne jemi bijtë dhe bijat e këtij vendi. Ne duhet të punojmë për të mirën e këtij vendi dhe të japim kontributin tonë të sinqertë për përparimin e kushteve në trojet tona. Së paku, një gjeneratë duhet të humbet në kurbet që të ndjehesh i barabartë me qytetarët e atij vendi ku jeton. E atëherë, nuk do të vijë në mend për vendlindjen. Puna me pacientë në vendin ku ke lindur dhe ku jetojmë, ka një tjetër emocion. Është vështirë të përshkruhet me fjalë. Cilido pacientë – është nëna ose babai, ose kushëriri apo shoku i dikujt që e njeh dhe të njeh. Përveç emocionit, ngërthehet në këtë punë edhe një përgjegjësi morale që parashtrohet para teje si mjek. Kjo e bën punën tonë më të vështirë, më me përgjegjësi, po edhe që kërkon më shumë përkushtim e angazhim, e njëkohësisht edhe emocion të veçantë.
KOHA: Mund të na thoni, nëse do kishit mundësi, çfarë do ndryshonit në shëndetësinë e Maqedonisë?
HASANI: Sot, si kurrë më shëndetësisë tonë i duhet një “infuzion” dhe një qasje shumë serioze në trajtim, që të dalë nga kjo gjendje komatoze, që çdo ditë shkon duke u thelluar. Një ndër hapat më kryesorë që duhet të ndërmerret është përmirësimi i statusit të mjekut, si bartës kryesor i kësaj veprimtarie. Besoj se vetëm me mjekë të kënaqur mund të kemi edhe pacientë të kënaqur nga sistemi shëndetësor. Definitivisht duhet të eliminohet denivelimi, poshtërimi i mantel-bardhëve, meqë ajo do të reflektohet në kualitetin e shërbimit shëndetësor, ashtu siç edhe po e përjetojmë. Është mëse e domosdoshme që të revidohet sistemi shëndetësor, e sidomos sigurimet shëndetësore, si dhe të bëhet decentralizimi i investimeve dhe financimeve të institucioneve shëndetësore, që qytetarët të ndjejnë proporcionalitet në përmirësimin e ofrimit të shërbimeve shëndetësore. Gjithashtu, si gjyqësia, është e domosdoshme të ndahet edhe sistemi shëndetësorë nga politika. Çështje e rëndësishme është edhe harmonizimi dhe mirëfunksionimi i të tre niveleve të sistemit shëndetësore në Maqedoni, edhe i sistemit primar, sekondar dhe terciar. Ngecja në njërën nga këto hallka shkakton gjendje kaotike në hallkat pasuese.
KOHA: Viteve të fundit, lexuesit tanë, por edhe pacientët kanë pasur rastin t’ju shohin shumë afër BDI-së, kryesisht në sektorin që ka të bëjnë me shëndetësinë në vend. Mund të presim që dr.Iliri t’i futet seriozisht politikës?
HASANI: Është e vërtetë dhe unë politikës i kam hyrë seriozisht, bile shumë më seriozisht se shumica që kanë qenë në politikë, po edhe më seriozisht se sa shumica mendojnë. Unë politikën e shoh shumë më ndryshe, e shoh si një fushë veprimi ku vendin e kanë njerëzit e ndershëm, profesionistët, njerëzit me stabilitet socio-ekonomik dhe njerëzit që e duan popullin e tyre, e jo njerëzit e pandershëm, për shkak të të cilëve sot gjithkush që hyjnë në politik – quhet kriminel. Unë rrjedh nga një familje që më ka edukuar se për të mirën e popullit tënd, duhet sakrifikuar diçka nga vetja. Gjyshi im ishte i burgosur në Goli Otok, babai im dha kontributin e tij maksimal si mjek duke i shërbyer pakursyer popullit tim. Mendoj se duhet të jap më shumë për popullin tonë dhe për këto troje, më shumë se sa vetëm një mjek. Do të jap shumë mund që të mund t’i vë në pah njerëzit me vlera të vërteta, të cilët ditë e më shumë po e ndjej se janë të margjinalizuar nga njerëz, të cilët posedojnë aftësi shumë të larta të manipulimit, klanizimit e shantazhimit, dhe njerëz të cilët dinë të keqpërdorin besimin e atyre që u kanë dhënë. Dhe po të mos ishte partia, nuk e di se ku do përfundonin. Do të jap maksimumin që të ngrihen lartë vlerat mbi të cilat u krijua Bashkimi Demokratik për Integrim, vlera për të cilat shumë njerëz dhanë jetën, shëndetin dhe më të mirën e tyre në luftën e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare. Këto vlera nuk mund të ngelen peng e individëve të papërgjegjshëm, të cilët në emër të UÇK-së dhe BDI-së, kanë keqpërdorur pozitat dhe benefitet e ndryshme që i kanë pasur. E di se mbase kam zgjedhur rrugën më të vështirë, por jeta më ka mësuar që të përballem me të padrejtën. Dua që pasardhësit tanë të jetojnë një jetë më të lumtur se tonën. Dëshiroj që rinisë tonë ti hapen perspektivat në këto troje ku jetojmë, e jo siç e përmendëm edhe më parë – të bredhin botës për një kafshatë goje, për siguri dhe kualitet më të mirë jete. Edhe jam mëse i sigurt se me favorizimin e mendjeve të lira dhe të ndritura, mund ta arrijmë këtë.
KOHA: Dr.Iliri jashtë profesionit dhe politikës… Kë kishit zgjedhur në radhë të parë: një film në kinema apo një shfaqe në teatër?
Të dyja të japin emocion të veçantë, emocione të ndryshme. E parapëlqej teatrin për shkak të emocionit të drejtpërdrejtë që ta ofron. Në fakt, në ditët prezente, më mungojnë të dyja. Për fat të keq, për shkak të kohës së limituar, rrallë e më rrallë e frekuentoj teatrin, edhe përkundër ftesave të shumta që i kam nga miqtë e mi aktorë. Në kinema ndonjëherë e shndërrojmë shtëpinë, ku ulemi të gjithë dhe kalojmë mbrëmje me ndonjë film të mirë të shoqëruar me kokoshka.
KOHA: Cila është ajo këngë të cilën me gjithë qejf dr.Iliri do ta këndonte për çdo ditë?
HASANI: Nuk do të kisha, mund të them ndonjë këngë, të cilën do ta këndoja për çdo ditë. Muzikën e dua, më relakson, është pjesë përcjellëse e imja në çdo aktivitet, madje edhe në sallë të operacionit. Madje, edhe kur nuk dëgjoj këngë, këngët më përcjellin edhe në nënvetëdijen time. I dua të gjitha këngët e mira. Nuk parapreferoj ndonjë zhanër special të muzikës, edhepse në periudha të ndryshme të zhvillimit tim – kam dëgjuar këngë të zhanreve dhe gjuhëve të ndryshme. Kënga shqipe çdo ditë e më shumë zë vendin e saj në zemrën time, si ajo folklorike, gjithashtu edhe ajo moderne.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.