Omer XHAFERI
Shkup, 12 prill – Qentë endacak të cilët grumbullohen nga ana e ekipeve të Ndërmarrjes Publike “Higjiena Komunale”- Shkup, pastrohen, vaksinohen dhe kontrollohen prej veterinarëve zyrtar. Këto aktivitete, siç thonë nga kjo ndërmarrje, zhvillohen në qendrën e pranimit të qenve endacak “Vardaritshe”, dhe e gjithë kjo punë bëhet në përputhje me programin “Grumbullo, sterilizo, lësho”, shkruan gazeta KOHA. Duke e sqaruar këtë procedure preventive, drejtuesit e “Higjienës Komunale” në Shkup, u kanë bërë apel qytetarëve që mos t’i helmojnë qentë endacak, sidomos atyre që kanë vathe në vesh. “Të gjitha qentë të cilët mblidhen nëpër rrugë ju nënshtrohen kontrolleve nga veterinerë tanë. Puna e tyre është konstatimi se vallë qeni në fjalë është agresiv, respektivisht a paraqet rrezik për sigurinë e qytetarëve. Dhe, në këtë mënyrë kur vërtetohet një gjë e tillë, atëherë ndaj tij ndërmerren hapat për eutanazim. Këto masa zakonisht zbatohen edhe ndaj qenve që janë shumë të moshuar. Ndërkohë, të gjithë qentë tjerë pranojnë një trajtim të mirëfilltë nga veterineri, duke filluar nga pastrimi i parazitëve të brendshëm dhe të jashtëm, vaksinimi kundër tërbimit dhe sterilizim me qëllim të mos shumimit të mëtutjeshëm në rrugë. Gjithashtu, këtyre qenve ju vendosen shenja (vathe në veshë) dhe të njëjtit kthehen në mjedisin nga ku janë grumbulluar”, thonë nga NP “Higjiena Komunale”.
NË SHKUP MBI 173 QENË ENDACAK
Ata po ashtu ju kanë rekomanduar qytetarëve që rastet e agresivitetit të qenve endacak t’i paraqesin në numrin e telefonit 3216 644, gjegjësisht mos t’i helmojnë. Në kuadër të punës së përditshme, nga fillimi i vitit e deri më tani, kjo ndërmarrje ka grumbulluar mbi 173 qenë endacakë, shumica e të cilëve janë sterilizuar, kurse 25 janë sistemuar në qendrën “Vardarishte”. Ankesat e shumta të qytetarëve nëpër rrjetet sociale, në drejtim të ndalimit të helmimit të mëtutjeshëm të qenve endacak kanë ngjallur edhe reagimin e Qytetit të Shkupit, të cilët kategorikisht i kanë dënuar veprimet e qytetarëve të papërgjegjshëm ose grupeve, të cilët në vende publike, në lagje të ndryshme të qytetit kanë hedhur materie helmuese, me qëllim ngordhjen e kafshëve endacak. Sipas tyre, kjo procedurë paraqet papërgjegjësi të plotë dhe e njëjta mund të ndikon në shëndetin e popullatës përfshi edhe kafshët. Njëherit ata kanë theksuar se këto veprime paraqesin vepër penale dhe mund të dënohen komfor Kodi Penal.
Për të pasur një pasqyre më reale se çka në të vërtet është duke ndodhur në Shkup, nën koordinimin e këshilltarit të Qeverisë, Aleksandar Mitov, të hënën është realizuar një takim mes përfaqësuesve të Agjencionit për ushqim dhe veterinari, Inspektoratit shtetëror për bujqësi dhe Shoqatës për mbrojtjen e kafshëve “Anima Mundi”. Në këtë mbledhje është konstatuar se duhet të formohen grupe punuese të cilët do të përcjellin situatën dhe se bashku me inspektorët e institucionet do të dilet në terren, për tu vërtetuar se vallë helmi i cili hidhet nëpër hapësirat publike shitet nëpër barnatoret e bujqësisë ose jo. Mirëpo, këto masa pritet të hynë në fuqi nga java tjetër, pas përfundimit të festave.
HELMIMI I QENVE ENDACAKË RREZIKOJNË NJERËZIT
Ministria e Shëndetësisë njofton se hedhja e shpeshtuar e helmeve për qentë-endacak në territorin e Qytetit të Shkupit mund të jetë jashtëzakonisht e rrezikshme për shëndetin e njerëzve. Nga Ministria sidomos apelojnë për ndërgjegjësim dhe vetëdijesim më të madh për shkak se keqpërdorimi i këtyre materieve drejtpërdrejtë e rrezikon e shëndetin e fëmijëve, të cilët lehtë mund të vijnë deri në prekje me helmet e hedhura në sipërfaqe publike. Sipas ekspertëve, për këtë dedikim më së shpeshti përdoren pesticide ose kimikate të rrezikshme dhe toksike, të cilët në prekje të drejtpërdrejtë me njeriun mund të shkaktojnë edhe pasoja fatale, madje edhe thithja e çfarëdo lloj kimikateve të këtilla mund të krijojë pasoja të përhershme në sistemin e frymëmarrjes, thuhet në kumtesën e Ministrisë e Shëndetësisë. Duke patur parasysh se nga aspekti shëndetësor këto materie janë jashtëzakonisht të rrezikshme si për kafshët, ashtu edhe për njerëzit, edhe një herë apelojmë se personat përgjegjës për shkaktimin e pasojave me vdekje nga veprimet e këtilla, mundet që edhe penalisht të përgjigjen në përputhshmëri me dispozitat pozitive në Republikën e Maqedonisë, thuhet në kumtesën e Ministrisë së Shëndetësisë.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara