Lubjanë, 19 shkurt – Hotelierët sllovenë, të cilët nuk kanë punuar që nga tetori për shkak të masave kundër përhapjes së Kovid-19, në një letër të hapur drejtuar Qeverisë kërkuan zgjidhje të shpejtë për të ruajtur këtë aktivitet ekonomik dhe njoftuan për mundësinë për procese gjyqësore kundër Qeverisë, që kanë të bëjnë me rregulloren e paqartë gjatë kohës së epidemisë.
Në një letër drejtuar kryeministrit Janez Jansha dhe ministrit të Ekonomisë Zdravko Poçivallshek, hotelierët paralajmërojnë për papunësi të lartë në këtë sektor dhe kërkojnë rritje prej 100 për qind të pagës për punëtorët në pezullim.
Ata i bëjnë thirrje Qeverisë të marrë në konsideratë uljen e TVSH-së në shërbimet e hotelierisë, shtyrjen e detyrimeve të prapambetura të kredisë dhe masa të tjera që do të ndihmonin kompanitë hotelierike të përgatiteshin për periudhën pas krizës.
Siç njofton Hina, disa hotelieri ka të ngjarë të ngrenë padi kundër Qeverisë për shkak të rregullores së paqartë në lidhje me punën në industrinë e hotelierisë.