Vrasjet masive të popullsisë shqiptare, plaçkitjet e pasurisë së tyre, si dhe mizoritë e barbarizmat tjera të panumërta, e shtynë parinë e atëhershme të Rugovës, të iniciojnë një takim me komandantin e ushtrisë pushtuese serbe në Pejë, me qëllim që t’ia parashtrojnë ankesat e popullit të Rugovës e të krahinave tjerra përreth. Takimi ishte caktuar të mbahej në Peklen te “Guri i Biruem”, mirëpo, papritmas, një fuqi e armatosur malazeze, e ardhur nga Rozhaja, në vendin e quajtur “Qafa e Hajlas”, papritmas sulmon bajraktarët e Rugovës
Nga Qerim LITA
(vijon nga numri i djeshëm i gazetës)
Tërë kjo dhunë që u zbatua ndaj popullsisë shqiptare të këtyre krahinave, veçmas erdhi në shprehje gjatë muajve dhjetor 1918 – shkurt të vitit 1919. Komandanti i Armatës së II serbe, më 1 dhjetor 1918, urdhëronte që trupat e asaj armate të “jenë në gatishmëri lufte të përhershme”, për shkak se siç theksohej në urdhëresë “qëndrimit armiqësor të shqiptarëve ndaj ushtrisë sonë (serbe – Q. L.) dhe ndikimit të propagandës së jashtme…”. Rrjedhimisht, filloi fushata e egër e ushtrisë pushtuese serbe- malazeze, e cila në emër të “çarmatosjes” së popullsisë, në mënyrë më mizore vriste popullsinë e pambrojtur shqiptare, njëkohësisht ua plaçkiste tërë pasurinë e tyre të tundshme. Komiteti i MKK-së, përmes të besuarve të tij në terren, njoftohej vazhdimisht për gjenden e sigurisë në Kosovë e në krahinat tjera shqiptare të pushtuara nga ushtria serbo-malazeze, që me këtë rast po i referohemi letrës së Beshir Vokshit, i cili me urdhër të Komitetit nga pjesa e dytë e tetorit 1918, qëndronte në Rekë të Keqe, me qëllim të organizimit të lëvizjes së armatosur shqiptare, përkatësisht Lëvizjes Kaçake:
“Ç’se ditën që kanë zaptue Serbët Pejën e Jakovën – shkruante Vokshi – nuk kanë lanë barbarizma pa ba në Pejë e në rrethe. Gjithëkohë po plaçkisin e mandej po vrasin barbarisht Shqiptarët. Në Pejë kanë mbledhë armët prej mbarë popullit…”.
Ndërkohë, paria e Plavës, Gucisë dhe e Pejës, më 1 shkurt 1919, i shkruanin Hoxhë Kadri Prishtinës, se Rugova, Plava e Gucia, ishin rrethuar në të katër anët, prej forcave pushtuese serbo-malazeze, dhe se kanë ngelë të izoluara. Në vazhdim shkruanin se forcat pushtuese malazeze kishin bllokuar rrugën e vetme që lidhte këto krahina me Pejën, me atë që në vendin e quajtur Belohë, tri orë larg Pejës, kishin vendos një patrullë, e cila nuk lejonte të kalojë asnjë njeri: “…A numërohen të këqijat e tyne? Hajredin Hakin, tregtar prej Peje e kanë dënue, pa kurfarë të drejte, me 80.000 korona gjobë. Kjo asht ma e vogla vepër e egër e tyne. S’kanë sosun këto barbarizma. Çka janë tue vuejtë kazatë e Bergorishtes, Akovës, Jeni Pazarit e tjera, barbarizma e vrasje, s’numrohen. Dhe banorët e atyne visevet janë të rrethuem. Çfaqim keqardhjen t’onë kur ju të parët na lipni lista tash që jemi në këtë gjendje. Ju lutena dita ditës na ndriçoni me letrat e jueja të çmueshme. I presim këto çdo ditë. Shpresojmë t’a nisni këndej Ismail Efendinë me lajme…”.
Disa ditë më pas, Komiteti i Kosovës pranoi edhe një letër tjetër, të cilën në emër të parisë së Plavës e kishin nënshkruar Hasan Ferri dhe Shaban Beu, ndërsa në emër të parisë së Gucisë, Shaqir Halili dhe Ismail Hyseni. Ata në letër shprehin skepticizmin e tyre se ato krahina shqiptare do të shpëtonin nga krimet dhe masakrimet serbo-malazeze, përkundër siç theksonin, “premtimet e dhanuna prej Mbretnive të Mbëdhaja”. Më pas ata e përshkruanin ngjarjen tejet të dhimbshme dhe të shëmtuar, të kryer nga ana e patrullës malazeze në vendin e quajtur Blohnë, kundër 15 banorëve të Plavës, të cilët me urdhër të komandantit serb, në Plavë, ishin detyruar të udhëtojnë për Pejë, për të marrë ushqim për ushtarët serb.
“Kur kanë ardhë në Blohe – thuhej në letër – janë sulmue prej Malazezvet. Kanë burgosë njerëzit, iu kanë ba lloj lloj poshtrimesh dhe ma në fund iu kanë grabitë 4 barrët e drithit. Këta shqiptarë të shkretë kanë këthye të dëshpëruem ndër shtëpija të veta…Shpresojmë se Mbretnijt e Mbdhaja s’kanë me pa t’udhës të jesim ma kështu rob e të rrethuem. Qëllimet e Serbëvet e të Malazezëvet janë për fushe: me na rrethue, me na robnue e mandej me na çfarue….”.
Ndërkohë, Komanda e Mbrojtjes Kombëtare në Rugovë, më 14 shkurt 1919, njoftonte Komitetin e MKK-së, për krimet dhe mizoritë serbo-malazezë të kryera në Rozhaj me rrethinë. Gjithnjë sipas njoftimit, komandanti malazez i quajtur Millo Saçiq me 100 ushtarë, më datë 13 shkurt 1919, kishte djegur në tërësi fshatin Bugjaf, si dhe plaçkitur tërë pasurinë e tundshme, përfshi këtu edhe bagëtinë. Më tej në njoftim bëhej me dije se me urdhër të një krimineli tjetër malazezë, i quajturi Zarija Maksimoviq, në Rozhajë pa as çfarë gjykimi ishin pushkatuar këta shqiptarë: Abdyrrahman Abdi Agori, Tush Agori, Salih Agori, Mujo Agori, Ymer Agai, Hysen Agai dhe Kurt Agai, si dhe shtatë të tjerë nga fshati Kaliçaj.
“Në katundin Bisheva – vazhdonte njoftimi – kanë djegë dymbëdhjetë shtëpi, ju kanë plaçkitë kafshët edhe teshat. Në katundin Vuçaj e kanë vra Etem Hoxhën pse ka qenë njeri me emën. Jash Salihut i kanë marrë njëqind e pesë dhjetë dele, e kanë vra edhe barinë, Murat Salihut, Bajram Rustemit kanë marrë 213 dele. Bajram Rustemi është nga katundi Bukël. Edhe Daut Zeqirin nga ky katund, mbasi ja kanë marrë tridhjetë dele, e kanë vra. Ajdin Murselit i kanë marrë tetëdhjetë dele, Ali Tahirit njëqind e dyzet dele e dymbëdhjetë lopë edhe i kanë vra tre barij. Në katundin Baçaj kanë vra Vesel Halilin, ju kanë mbytë edhe kafshët e i kanë marrë nja njimijë e katërqind korona që i ka pasë me vedi…”, e shumë krime e barbarizma tjera.
Vrasjet masive të popullsisë shqiptare, plaçkitjet e pasurisë së tyre, si dhe mizoritë e barbarizmat tjera të panumërta, e shtynë parinë e atëhershme të Rugovës, të iniciojnë një takim me komandantin e ushtrisë pushtuese serbe në Pejë, me qëllim që t’ia parashtrojnë ankesat e popullit të Rugovës e të krahinave tjerra përreth. Takimi ishte caktuar të mbahej në Peklen te “Guri i Biruem”, mirëpo, papritmas, një fuqi e armatosur malazeze, e ardhur nga Rozhaja, në vendin e quajtur “Qafa e Hajlas”, papritmas sulmon bajraktarët e Rugovës, të cilët, siç u vu në dukje më lartë, kishin qenë të autorizuar të bisedojnë me komandantin serb, për të vendosur qetësinë, në këto rrethana, qenë të detyruar të vetëmbrohen. Burimet e Komitetit të Kosovës, nuk e përcaktojnë datën e saktë të shpërthimit të luftës së Rugovës, mirëpo nga burimet serbe, shohim se kjo luftë filloi më datë 15 shkurt 1919. Komanda e Divizionit “Ibar”, më 21 shkurt 1919, njoftonte komandën e armatës së III serbe me sa vijon:
“Vojvoda Latiç Vojvodiq nga Andrejeviqi përmes depeshesë nr. 474 nga data18 k.m. lajmëron: Trupat vendore më datë 15, 16 dhe 17 të këtij muaji kanë kryer sulmë kundër kryengritësve shqiptarë në Rugovë dhe më 17 janë takuar me trupat serbe te hani i Jusufit…”.
Pas një qëndrese heroike, e cila zgjati plotë tre ditë, forcat shqiptare në mungesë të municionit u detyruan të tërhiqen, me çka Rugova përfundimisht u pushtua nga ushtria pushtuese serbo-malazeze. Ngjarjet që ndodhën më pas në këtë krahinë shqiptare tronditën opinionin e gjerë shqiptarë dhe atë ndërkombëtarë. Komiteti i Kosovës, njoftonte këta të fundit se ushtria pushtuese serbo-malazeze, në Rugovë po kryen krime dhe masakra të papara ndonjëherë. Shqiptarët, pa marrë parasysh moshën e tyre, po pushkatohen në mënyrën më mizore, dhe si rrjedhojë, thuajse e tërë popullsia e asaj krahine, u detyrua për me i lënë “votrat ku kishte lindë e jetue me shekuj” dhe të merr malet me borë nën dimërin e tmershëm “për me i gjetë vedit shpëtim”.
“Tue sjellë sytë mbrapa – vazhdonte njoftimi – ata mija vetësh, panë me lot gjahu kah po u shemben e digjen foletë dhe kah po u maltretohen fëmitë, gratë e pleqt, e së mbrami, ndër lloj-lloj vuejtjesh e mizorijesh mujtën me u kapë në Shkodër. Tash ma agresjoni i paramenduem serbo-malazijas ka marrë trajtën e një delikti flagrant. Nëpër këto ngjarje të përgjakshme vijnë pa pre në Shkodër karvan mbas karvani fatzezësh, pamja e të cilëvet të ban të pikojë gjak zemre dhe tmerr opinionin publik shqiptar…”.
Menjëherë pas pushtimit të Rugovës, ushtria pushtuese serbo-malazeze rrethoi Plavën e Gucinë. Lidhur me këtë, paria e këtyre dy krahinave shqiptare, në krye me Hasan agë Ferrin, Shaban Beun, Shaqir Halilin, Shaqir Mustafën, Adem Agën, Ismail Hysein Efendiun dhe Sejdi Zikën, më 17 shkurt 1919 përmes një letre njoftonte Komitetin e Kosovës, se malazezët po grumbullonin forca të shumta ushtarake, për t’i sulmuar edhe ato dy krahina shqiptare: “Sigurisht – theksohej në letër – qëllimi kriminal i tyne dihet: me na mësye dhe me na ç’farue edhe fëmitë. Jena informue se Malazezët po ç’pikin lloj lloj shpifjesh kundra nesh. Na ju sigurojmë se s’ka ndodhë nga ana e jonë as një agresjon, as një vepër e tillë. Dhe ju mund t’u jepni sigurime në këtë rasë Mbretnive të Mbdhaja. Në mos besohet të çojë Europa këtu komisjone hetimi, dhe atëherë do të dalë për fushe qëllimet gjakatare të Malazezvet….”.
Fatkeqësisht, paralajmërimi i krerëve të Plavës e të Gucisë u bë realitet. Komiteti i Kosovës, më 24 shkurt 1919, përmes një shkrese njoftonte udhëheqjen politike të Shkodrës, përmbajtja e së cilës është si më poshtë: “Kena nderin me Ju lajmue, me dhimje të madhe zemret, se nji pjesë mjaftë e madhe e popullit të Pllavës, të Gucis e të Rugovës, mbas nji qindreset kreshnike kundra të msymevet t’ushtrivet serbo-malazeze, asht shtrengue m’u tërhjeq mbi Shkodrë e me shka ka mujtë me pshtue nga mizoria e anmikut. I përdrejtohemi, n’emën të njerzis e të bashkëkombëtarnis, ndisinavet patriotike të Shkodrës e iu lutena Parlimtares së sajë me i marrë masat e nevojshme për me i ndimue këtij popullit i cilli u rrënue për nderë e për dashni të Kombit e të çashtjes së Tij. Me uzdajë të fort se Shkodra ka për t’a krye detyrën e vet patriotike, Ju lutena, Z. Kryetar, me i pranue ndisinat t’ona plot nderime”. (vijon nesër)