“Amerika dhe ‘ushtria e Kosovës’ në Shqipëri po përgatisin sulm në veri të Kosmetit!”, “Amerikanët deshën ta vrisnin Vuçiqin”, “Plan prej ferri i shqiptarëve: Do të futen në veri të Kosovës më 5 qershor!?”, “Amerikanët po e mbushin Kosovën me xhihadistë nga Siria”, “Mercenarët nga Ukraina djegin Beogradin”, “Putin kërcënon: NATO larg nga Serbia!”, “NATO-ja do të na vrasë fëmijët edhe 150 vite të tjera”, “Putin: NATO-ja po e bën virusin për t’i vrarë sllovenët”, “Ustashët kërcënojnë Vuçiqin”, “Akti i turpshëm i Plenkoviqit: për Krishtlindje lavdëron ‘Stuhinë’ dhe Tugjmanin”, “Putini i sjell raketa Serbisë”, “Kroatët rrënojnë Vuçiqin në rrugë!” – këto janë vetëm një pjesë e kryetitujve në ballinat e gazetave me tirazhin më të madh në Serbi, të cilat i kemi zgjedhur në mënyrë rastësore që prej dhjetorit të 2018-s deri në verën e këtij viti.
Kemi shikuar “Informer”-in”, “Alo”-n, “Kurir”-in, “Telegraf”-in, “Blic”-in dhe “Večernje novosti”-n në mënyrë që ta krijonim pasqyrën se si funksionon makineria propagandistike mediale e Vuçiqit, ngase është sekret publik në Beograd se ai personalisht, përmes “sekretares” së tij për media Suzana Vasileviq, i kontrollon dhe menaxhon tabloidet serbe.
Tirazhin më të madh e ka “Informer”-i, si grushti më i fuqishëm i regjimit të Vuçiqit, me mbi 120 mijë kopje, ndërsa të tjerat që i përmendëm kanë nga 50 deri në 80 mijë kopje (së paku kështu thuhet zyrtarisht). Kështu që, mesatarisht, gazetat e përmendura kanë një shitje të përbashkët ditore prej rreth 350 mijë kopjesh. Qëllimi i qasjes së këtillë mediale po që është mbështetja absolute për regjimin e Aleksandar Vuçiqit dhe për atë personalisht, larja e hesapeve me kundërshtarët e tij, kudo qofshin ata. Por, krejt kjo ndodh në shkallë bizare dhe të panjohur.
Fjalori i tabloideve është i thjeshtë, madje tepër i thjeshtë, gjysmanalfabet dhe energjik. Është shpeshtuar përsëritja e shprehjeve të njëjta si “i ligj”, “plan prej ferri”, “kaos” dhe “provokim”, në pothuajse dy të tretat e titujve. Aleksandar Vuçiqi është përditë në ballinat e tabloideve – i shqetësuar për Serbinë, ama përplot shpresë. Putini në uniformë ndërsa Trumpi e sjell apo e tund një top bejsbolli. Serbia është në telashe të mëdha, në ngecje në negociatat me BE-në, në zvarritje të pranimit të humbjes së Kosovës, ekonomikisht dhe demografikisht është në bisht të Evropës, ndërsa zgjidhjen e sheh në mashtrimin e popullatës me komplote të shpeshta dhe me kërcënimet fantome ndaj Serbisë që e vënë Rusinë, ndikimi i të cilit është përherë më i madh, në rol shpëtimtari.