Nëse mendoni se Pol Pogba është futbollisti më i shtrenjtë i të gjitha kohëve e keni gabim, pasi për të blerë brazilianin Neimar nga Barcelona do të duhet të paguhet katërfishi i asaj që shpenzoi Mançester Junajtid. Vlerën e vërtetë të futbollistit e zbuloi babai i tij, i cili tregoi arsyen se pse shpenzimi real për brazilianin është 430 milionë euro.
“Nëse dikush do Neimarin duhet të mendojë fillimisht të paguajë klauzolën prej 190 milionë eurosh plus taksat dhe pjesën tjetër të detyrimeve financiare që po të mblidhen bashkë, çojnë në totalin e 430 milionë eurove”, zbuloi ai për “Mundo Deportivo”. “Kur ia thashë Vagner Ribeiros, një prej menaxherëve, më quajti të çmendur. Por unë nuk tallem kurrë kur bëhet fjalë për biznes”, tha babai i lojtarit.
Sigurisht që shumë skuadra janë interesuar për lojtarin, siç ka konfirmuar vetë babai i tij. “Unë takoj shumë persona në zyrat e mia në Brazil. Disa prej tyre vijnë e më pyesin nëse djali im mund të ndryshojë skuadër në të ardhmen, por në këtë pikë unë kam qenë gjithmonë shumë i qartë. Neimar është i lumtur në Barcelonë dhe e gjithë bota e di që po të kishte qenë thjesht çështje parash, ai nuk do të vazhdonte të ishte aty. Nëse sot do të vinin oferta, do të përgjigjeshim jo. Nuk kemi nevojë as të dëgjojmë të tilla”.