Patriot LUMANI
Strugë, 1 mars – Mos-hapja e paraleleve në gjuhën shqipe në shkollën fillore “Josip Broz Tito” në qytetin e Strugës, ishte shkak i një reagimi të fort të këshilltarit, Fitni Dalipi, i cili nënvizoi se kjo që ndodh me këtë shkollë, është e paprecedent, shkruan gazeta KOHA. Sipas tij, në kohën kur flitet për dygjuhësi apo për politika të mëdha, në zemër të qytetit të Strugës, nxënësit që gravitojnë në afërsi të asaj shkolle, nuk lejohen të mësojnë në gjuhën shqipe, por detyrohen të ecin deri në pjesën tjetër të qytetit. Këto komente, këshilltari Dalipi, i bëri gjatë seancës së 53 të Këshillit komunal të Strugës, ku një nga çështjet ishte edhe zgjedhja e anëtarëve të Këshillit drejtues të kësaj shkolle, çështje e cila u hoq nga rendi i ditës me kërkesën e anëtarëve të Këshillit nga partitë e bllokut maqedonas.
“Ne si Këshill kemi dështuar dhe një nga çështjet që tregon këtë është edhe çështja e shkollës ku, pavarësisht kërkesave të ripërsëritura, nuk mundësohet hapja e paraleleve në gjuhën shqipe, edhe pse dikur aty është mësuar edhe në gjuhën shqipe. Kjo ndodh në një kohë kur flasim për bashkëjetesë apo për dygjuhësi”, nënvizoi ai.
Në qytetin e Strugës funksionojnë katër shkolla publike, edhe atë dy fillore dhe dy të mesme, nga të cilat në shkollën fillore “Josip Broz Tito” mësimi zhvillohet vetëm në gjuhën maqedonase, pavarësisht kërkesave të përsëritura që edhe këtu të ketë paralele në gjuhën shqipe. Shqipja nuk ka qenë prezent këtu edhe përkundër faktit që një pjesë e prindërve shqiptarë që shtëpitë e tyre i kanë në lagjet në afërsi të kësaj shkolle në disa raste kanë ngritur pretendimin që fëmijët e tyre duhet të mësojnë në gjuhën shqipe në këtë shkollë dhe jo si deri më tani të shkojnë në Shkollën fillore “Vëllezërit Milladinov”, që është në pjesën tjetër të qytetit. Ata thonë se në disa raste kanë kërkuar që kjo praktikë të ndryshoi, por deri tani asgjë nuk ka ndryshuar me pretendimin që statuti i Shkollës “Josip Broz Tito” nuk e lejon, sepse e paska të sanksionuar faktin që mësimi në të të zhvillohet në gjuhën maqedonase dhe alfabetin cirilik. Ata thonë se në këtë shkollë është mësuar në gjuhën shqipe deri në vitin 1982 dhe prej atëherë si pasoj e politikave përjashtuese dhe diskriminuese ndaj shqiptarëve nuk lejohet mësimi në këtë gjuhë. Por kjo kërkesë e prindërve shqiptarë të kësaj pjese të qytetit, edhe pse e përsëritur prej vitesh deri tani nuk ka gjetur zgjidhje.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.