Fisnik PASHOLLI
Shkup, 3 shkurt – Përkundër shkallës së lartë të papunësisë prej 221. 959 personave të papunë, nga ana tjetër në tregun e punës vazhdimisht ofrohen 7000 deri 8000 vende të lira pune që mbeten të zbrazëta, shkruan gazeta KOHA. Afaristët ankohen se vështirë mund të gjejnë kuadrin e nevojshëm për shkak se në tregun e punës ekziston disbalans midis kërkesës dhe ofertës, ku ka tepricë të juristëve dhe ekonomistëve dhe mungesë të zanatlinjve, inxhinierëve dhe programuesve. Ekonomistët thonë se karakteristikë kryesore e tregut të punës në Maqedoni krahas papunësisë së lartë, është edhe oferta e madhe e fuqisë punëtore nga njëra anë dhe mundësisë mjaft të vogla nga ana tjetër për punësimin e saj. Vlerësohet se dobësi kryesore e tregut të punës në Maqedoni është papunësia strukturore që vjen si pasojë e jo-harmonizimit midis kualifikimeve dhe aftësive që nevojiten për vendet e disponueshme të punës si dhe kualifikimeve dhe aftësive që në momentin konkret i posedojnë personat që janë të papunë apo kërkojnë punë. Afaristët ankohen për mungesën e kuadrove të profesioneve elektroteknike dhe të makinerisë, saldatorëve, rrobaqepësve dhe zanatlinjve të tjerë, si dhe interesimit akoma jo të kënaqshëm për shkollat e mesme profesionale. Gjithashtu, kuadrit që del nga bankat shkollore akoma i mungojnë njohuritë e nevojshme praktike që menjëherë të inkuadrohet në procesin e punës. Sipas ekonomistëve, një dukuri e tillë e pakuptimtë në vështrim të parë, ku nga njëra anë kemi papunësi të madhe dhe nga ana tjetër akoma mjaft punëdhënës që kanë problem të gjejnë në tregun e punës kuadër cilësor për nevojat e tyre, shpjegohet me faktin se të rinjtë janë të pakënaqur me nivelin e pagave që ofrohen, si dhe me vrapimin pas punësimit në administratë. Gjithashtu, në praktikë ndodhë që edhe kërkesa për vende pune të jetë sa për sy e faqe, ku në të vërtetë punësohen punëtorët ekzistues, ofrohen kushte të rënda të punës që askush nuk dëshiron t’i pranojë, ose ndodhë që të interesuarit nuk i plotësojnë kushtet që kërkohet për atë vend pune.
Problemin e këtij disbalansi, njohësit e tregut të punës e shohin në faktin se një pjesë e konsiderueshme e të papunëve veç më punojnë në të zezë, ndërsa të tjerët nuk dëshirojnë të punojnë për paga të ulëta. “Punëdhënësit tek shumica e shpalljeve te Agjencia për Punësim, ofrojnë pagën minimale prej 10.800 denarëve, andaj të rinjtë nuk dëshirojnë të regjistrohen në shkollat e mesme profesionale ku mësohen këto profesione”, thotë për KOHA, Rade Nenadiq, nga Agjencia për ndërmjetësim në punësim “Partner”. Sipas njohësve të tregut të punës, mos-harmonizimi midis sistemit arsimor dhe nevojave të tregut të punës, imponon edhe nevojën e rikualifikimeve të fuqisë ekzistuese të punës, me qëllim të angazhimit në ato vende që kërkohen në tregun e punës. “Prindi që e di se fëmija e tij do të ketë gjasa më të mëdha të punësohet nëse bëhet programues, do të bëjë çdo gjë në këtë drejtim qoftë përmes rikualifikimit, kurseve të ndryshme e kështu me radhë. Nga ana tjetër, në rast se fëmija fiton diplomën e juristit, atëherë hynë në hapësirën ku ekziston konkurrencë shumë më e madhe për t’u punësuar”, thotë Darko Vellkov nga Agjencia për punësime “Vrabotuvanje”. Në ndërkohë, sektori i biznesit vite me radhë kërkon adaptim më të shpejtë të proceseve arsimore ndaj kërkesave të tyre si dhe promovimin e arsimit joformal me qëllim të përgatitjes së kuadrove sipas nevojave të ekonomisë. Gjithashtu, vlerësohet se punëtorët që vazhdimisht trajnohen dhe investojnë në shkathtësitë e tyre më lehtë vijnë deri tek një vend i ri pune. Ndryshe, edhe anketat e ndryshme të sektorit të biznesit tregojnë se kemi mungesë të mjeshtërve, punëtorëve ndërtimor, apo thënë me fjalë të tjera, mungojnë zanatlinjtë e nevojshëm që do të angazhohen në veprimtaritë e ndryshme industriale, apo edhe punëtoritë më vogla.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.