Plot 13 ton kanabis sativa me origjinë nga Shqipëria janë kapur përgjatë një viti në Greqi. Ky është raporti i fundit i Antidrogës greke, që i përket periudhës shkurt 2016 – shkurt 2017. Sipas policisë greke, pjesa më e madhe e kanabisit në Greqi ka hyrë nga Shqipëria. Sipas agjentëve grekë, ky fenomen ka ndodhur për dy arsye; për shkak të çmimit të lirë dhe sasi së madhe të kanabisit të kultivuar në vendin tonë. Të dhënat e Antidrogës greke, të publikuara prej Ministrisë së Mbrojtjes së Qytetarit, tregojnë se grekët janë kryesisht përdorues të drogave të lehta, siç konsiderohet kanabisi dhe ekstazia, ndërsa heroina që mbërrin në vend tranzit nga Turqia dërgohet kryesisht në vendet e Evropës nëpërmjet porteve të vendit. Edhe droga e të pasurve, siç vlerësohet kokaina, duket sa ka një rënie në përdorim, ndoshta për shkak të vështirësive ekonomike që po kalon vendi. Që prej shkurtit të vitit 2016 e deri në të njëjtën periudhë të këtij viti janë sekuestruar 12.8 tonë kanabis i tharë dhe i përpunuar, 300 kilogramë heroinë e pastër, 125 kilogramë kokainë, 55.470 rrënjë kanabis (me peshë të paspecifikuar),si dhe 76.357 doza ekstazi.