Omer XHAFERI
Shkup, 26 maj – Problemi shumëvjeçar i banorëve të Komunës së Haraçinës, i cili kryesisht lidhet me kanalin famëkeq – së shpejti prite t’i takojë të kaluarës. Autoritetet qendrore dhe ato lokale gjatë periudhës së kaluar i kanë përfaruar planet për zgjidhjen e plotë të këtij problemi, me çka çështja e ndërtimit të kanalizimit në këtë komunë është e paraparë me buxhetin e Qeverisë për vitin 2017, shkruan gazeta KOHA. Rrjeti i ri i kanalizimit që pritet të ndërtohet në Komunën e Haraçinës, parashihet të zhvillohet në disa faza, ndërsa vlera totale e përfundimit të këtij investimi, siç qëndron tashmë në Gazetën Zyrtare të Maqedonisë, thuhet se do të kushtojnë rreth 2 milionë euro. Duke ju referuar Programit për investime në mjediset jetësore për vitin 2017 në Maqedoni, i përgatitur dhe përpiluar nga Ministria e Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor, thuhet se për këtë vit janë ndarë 35 milionë denarë (570 mijë euro) mjete këto të dedikuar enkas për fillimin e ndërtimi të rrjetit të ri të kanalizimit në Haraçinës. Gazeta KOHA merr vesh se ky projekt aktualisht është në fazën e tenderimit, gjegjësisht kompletimi i dokumentacionit për shpalljen e tenderit i cili pritet publikohet brenda një muaji tashmë është gati në Ministrinë e Ambientit. Megjithatë, siç thonë zyrtarë të Ministrisë së Ambientit, zvarritja e deritanishme e fillimit të punimeve për këtë projekt tejet të rëndësishëm për banorët e Haraçinës, është bërë për shkak të mungesës së stabilitetit politik në vend. Njëkohësisht, siç mëson gazeta KOHA, çështjet burokratike në realicion komunë-ministri kanë qenë arsye shtesë se pse ky projekt ende nuk ka filluar të zbatohet. Ndryshe, pas publikimit të tenderit dhe përzgjedhjes së kompanisë, e cila do t’i realizoj punimet, Komuna e Haraçinës do të jetë pala e cila do ta përcaktojë pikat më kritikë në terren prej ku edhe duhet të fillojnë punimet. Mbi 20 mijë banorë të Haraçinës apo rreth 3 mijë shtëpi për çdo ditë përgjatë tre dekadave të fundit vazhdimisht përballen me ujërat e zeza dhe erë të keqe. Gjendja më kritike është pjesa afër shkollës fillore përskaj së cilës kalon edhe kanali shumë i përfolur. Ndonëse vite më parë një pjesë e këtij kanali u betonua dhe u pastrua, autoritet lokale vlerësojnë se ka ngelur ende punë për tu bërë në këtë drejtim. Përveç në këtë komunë, intervenime në rrjetin e kanalizimit – Ministria e Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor ka paraparë edhe në bashkësitë tjera lokale me shumicë shqiptare. “Për vitin 2017 janë paraparë 10 milionë denarë për rregullimin e koritës së lumit që kalon nga fshati Bojanë e deri në fshatin Gllumovë të Komunës së Sarajit. Po ashtu, 21 milionë denarë nga buxheti i shtetit janë ndarë për ndërtimin e murit mbështetës të lumit Shkumbin në Tetovë. Nga ana tjetër, gjatë këtij viti pritet një investim prej 20 milionë denarë në rajonin e Hasanbegut, i cili në gusht të vitit 2016 u përball me vërshime të mëdha. Ndërtim i rrjetit të kanalizimit për këtë vit po ashtu është paraparë të realizohet edhe në fshatin Shipkovicë. Vlera totale e këtij investimi do të jetë 1 milion denarë. Projekt tjetër në sferën e mirëmbajtjes së ambientit jetësor pritet të realizohet edhe në stacionin filtrues që ndodhën në fshatin Krushopek të Komunës së Sarajit. Mbulimi i këtij projekti është paraparë të kushtojnë rreth 15 milion denarë, para këto të siguruara nga buxheti i Qeverisë”, thuhet në Programin për investime për mjedisin jetësor i publikuar në Gazetën Zyrtare të Maqedonisë. Mes tjerash, në këtë program të Qeverisë dhe Ministrisë së Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor, thuhet se gjatë këtij viti pritet të ndërtohet rrjeti i kanalizimit në fshatin Veleshtë të Strugës, me vlerë prej 5 milionë denarë dhe rrjeti tjetër i kanalizimit në fshatin Hotël të Kumanovës, projekt ky që do të kushtojë 10 milionë denarë.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara