Urim HASIPI
Tetovë, 12 mars-Në fshatin Bozovcë këtë të diel është mbajtur evenimenti tradicional Karnavalet ilire. Si çdo vit, edhe kësaj radhe interesimi ka qenë i madh për të ndjekur këtë traditë të moçme të malësorëve tetovarë. Një nga organizatorët e këtij evenimenti, profesori Neshat Memeti, tha se Malësia e Sharrit i mbajti gjallë traditën dhe zakonet e popullit tonë, që nga kohërat më të vështira, falë këtij terreni shumë të thellë e të pakalueshëm për atë kohë, kur sundimtarët e pushtuesit luftonin për të asgjësuar çdo gjë shqiptare, duke mohuar shkollimin, gjuhën historinë, kulturën, traditën e ritet, si dhe duke i tjetërsuar ato dhe duke i zëvendësuar më kulturë e histori të re, me gjuhë e shkrim të ri.
“Këto tradita që janë bartur brez pas brezi janë autoktone, janë të parëve tanë, nuk janë të kopjuara nga askush. Kështu, siç janë telejisur sot këta nuse, ashtu kanë ardhur edhe nuset tona në të kaluarën në fshatrat e Malësisë”, tha Neshat Memeti, organizator i këtij festivali.
Ai gjatë fjalimit të tij tregoi edhe qëllimin e teleisjes dhe numëroi disa nga veshjet që kanë qenë tradicionale në këtë pjesë të Tetovës.
“Në ditën e parë të nusërisë telejiset e tërë fytyra me ngjyrë të bardhë. Mbi të bardhën në dy faqet vendoset nga një rreth i kuq i pështjellur me rrathë të verdhë, nga këtu shpërndahen rreze simetrike, të lidhura njëra me tjetrën me ngjyrë të verdhë e të shndritshme. Pra, në formën e diellit, me rreze qe shpërndahen në hapësirë. Por në këtë hapësirë dielli ngrohë jo njëlloj dhe rrezet e diellit nuk shpërndahen njëjtë, sepse brenda njëzetë e katër orësh dielli në dukje lind dhe perëndon, por në realitet ai gjithnjë lind, rrezet e diellit tokën e ngrohin njëjtë, pra ku më shumë e ku më pak, ai është gjithnjë në lindje. Që do të thotë se nusja e re duhet të lindë fëmijë e të lë trashëgimtarë për përtëritje dhe shtim të familjes dhe mbarë shoqërisë, sikur dielli – drita që është kusht jetësor për qeniet e gjalla dhe zhvillimin e tyre .Pra, edhe nusja është rrënjësore për pjellshmërinë dhe përtëritjen e familjes dhe kombit në përgjithësi. Në brendësi të këtij dielli të pikturuar mbizotëron vetëm ngjyra e kuqe që nënkupton zjarrin. Zjarri shpreh gjallërinë, jetën në vazhdimësi, begatinë dhe pjellshmërinë. Pra, aty ku sheh zjarr, aty ka jetë, aty ka gjallëri, punë”, tregoi ai ritin e teleisjes së nuses”.
Sipas tij, kjo festë është tradicionale, me histori gati 3 mijë vjeçare dhe daton nga kohët e lashta ilire dhe e trashëguar deri tek brezat e rinj. Banorët e Bozovcës, pavarësisht kushteve të vështira kanë arritur ta ruajnë si traditë. Ai më tej nënvizoi se banorët e Malësisë në të kaluarën, përmes veshjes me gëzofë dhe lëkurë prej deleje, ata nga 11 e deri më 21 mars besojnë se do t’i trembin gjërat e këqija dhe shpirtrat e këqij, që të qëndrojnë sa më larg fshatit, që të mos dëmtojnë burimet e ekzistencës së banorëve të këtij vendi, pohojnë banorë të këtij fshati.
Përkrahje këtij evenimenti i kanë dhënë edhe nga Instituti I Trashëgimisë Kulturore dhe Shpirtërore të Shqiptarëve të Maqedonisë, ku edhe është botuar edicioni i 14 i revistës Scupi-Karnavalet ilire. Përfaqësuesi i Komunës, Ahmet Qazimi, në fjalën e tij tha se Komuna e Tetovës do të vazhdojë edhe në të ardhmen që të përkrahë këto aktivitete, që na e begatojnë kulturën në përgjithësi. Karnavalet e Bozovcës, cilësohen si ngjarje e rëndësishme kulturore që reflektojnë traditën shekullore të banorëve të Malësisë së Tetovës. Më parë kjo festë në të njëjtën mënyrë është mbajtur edhe në fshatrat tjerë të malësisë së Tetovës si Liseci,Veshalla dhe Shipkovica, por sot kjo organizohet vetëm në Bozovcë. Në këtë karnaval tashmë tradicional kanë marrë pjesë edhe përfaqësues të Bashkësisë Fetare Islame, profesor nga Maqedonia dhe Kosova dhe pjesëmarrës të tjerë të cilët u njohën më për së afërmi me këtë traditë.