Omer XHAFERI
Shkup, 16 mars – Këshilli Gjyqësor i Maqedonisë, në periudhën e fundit ka shqyrtuar dhe debatuar për një numër të madh të pikave në mbledhjet e zakonshëm që i zhvillon, megjithatë këto diskutime janë mbajtur larg syve të opinionit. Ky është konstatimi i Institutit për të Drejtat e Njeriut, i cili të enjten – gjatë prezantimit të Raportit tremujor të mbikëqyrjes së punës së KGJM-së, tha se brenda nëntorit, dhjetorit dhe janarit – në këtë organ të lartë gjyqësor janë mbajtur gjithsej tetë mbledhje, shumica e tyre pa praninë e opinionit.
“Kryetari i KGJM-së, në këtë periudhë kishte numër të rritur të deklaratave për media, por në pyetjet lidhur me vendimet të cilat i miraton ky Këshill, sidomos gjatë seancave të mbyllura, përkundër faktit se ai jepte informacione, ato të dhëna nuk i përmbushin kërkesat e gazetarëve dhe për këtë arsye – mbizotëron një qëndrim negativ lidhur me punën e këtij organi të rëndësishëm gjyqësor”, thuhet në raportin IDNj-së. Përpiluesit e këtij raporti, punën e të cilëve e ka mbikëqyrur kryetarja e IDNJ-së, juristja Margarita Caca Nikollovska, nënvizojnë se dispozitat ligjore parashohin mbylljen e seancave për publikun vetëm në ato raste kur synohet mbrojtja e integritetit dhe reputacionit të gjykatësit, i cili vlerësohet. Në kuadër të këtyre zhvillimeve, në raport thuhet se nevojitet rishikimi i përjashtimit të publikut në ato raste kur vet gjykatësi kërkon procedurë transparente, meqë përmes sigurimit të këtij parimi, KGJM mbrohet nga spekulimet, ndërkaq publiku do të jetë dëshmitar i punës profesionale të këtij Këshilli. “Transparencën e KGJM-së, përfshi edhe Këshillin e Fakteve, në masë të madhe e kemi monitoruar nga aspekti i informimit përmes faqes zyrtare në internet. Kështu që, kemi konkluduar se vendimet e këtyre dy Këshillave nuk publikohen rregullisht në adresën elektronike. Njëkohësisht, as procesverbalet e mbledhjeve nuk janë në disponim për opinionin. Këshilli në fjalë rregullisht çdo tre muaj i harton raportet e punës, mirëpo të njëjtat nuk janë prezent në faqen e internetit”, thuhet mes tjerash në raportin IDNJ-së. Kur jemi te efikasitet i punës së KGJM-së, në raport potencohet se gjatë vlerësimit të kandidatëve për kryetar të gjykatave, Këshilli me shumicë të votave nuk e ka pranuar kërkesën e një gjykatësi për vlerësimin e jashtëzakonshëm të këtyre kandidatëve. “Iniciativa e gjykatësit u shpall si e pabazë dhe u konstatua se nuk ka arsye për rishikim të Vendimit për vlerësim të jashtëzakonshëm të kandidatëve për kryetar të Gjykatës Supreme, asaj të Apelit, Gjykatës Penale të Shkupit, respektivisht asaj të Tetovës”, thuhet në raportin e IDNJ-së. Ndërkohë, gjatë kësaj periudhë, Këshilli disa herë ka zgjedhur dhe ndërprerë funksione të gjykatësve-porotë në më shumë gjykata në vend. S’i problem kryesor i përfshirë në këtë raporti, mendohet të jetë mungesa e gjykatësve-porotë dhe numri i përgjithshëm i kandidatëve të cilët paraqiten në konkurset për zgjedhjen e këtyre gjykatësve.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.