Bujar KURTAJ
Shkup, 3 shkurt – Aventura e Fisnik Zukës te Besa nga Peja ka përfunduar ende pa filluar kampionati në Superligën e Kosovës. Futbollisti shkupjan nga FC Shkupi u transferua te skuadra pejane, ku shihej si një përforcim i madh, por ja që nuk doli ashtu. Në fakt Besa e Pejës aktualisht po ballafaqohet me probleme financiare, ndërsa lojtarët ka tre ditë që po bojkotojnë stërvitjet. Shkaku i gjithë kësaj sipas mesfushorit 21 vjeçar është se lojtarët nuk kanë marr pagat e tyre, ndërsa kjo ka qenë vendimtare që ai të largohet nga Peja ende pa filluar kampionati, derisa ai është rikthyer përsëri te FC Shkupi.
“Është e vërtetë se jam larguar nga Besa dhe jam rikthyer te Shkupi. Klubi po kalon në një krizë financiare, ndërsa lojtarët i janë nënshtruar bojkotit për shkak se nuk i kanë marr paratë. Unë kur shkova te Besa, me kryesinë e klubit rram dakord që gjysmën e parave të marr në kesh, ndërsa gjysmën tjetër ta marr për çdo muaj. Kjo nuk ndodhi, drejtuesit më tradhtuan keq dhe nuk e mbajtën fjalën. Pas gjithë kësaj, vendosa të largohem para se të më regjistrojnë në klub”, thotë për KOHA, Zuka.
Ai shprehet i lumtur që përsëri do të vesh fanellën e Shkupit. “Kur vendosa të largohem nga Besa, dëshira e vetme ishte që të rikthehem përsëri te Shkupi. Fillimisht askush nuk e dinte se jam larguar nga Peja, por më pas rram në kontakt me kryesinë e klubit dhe ua tregova situatën në të cilën po kaloja. U thash se do dëshiroja të rikthehem në Çair dhe ata rranë dakord. Menjëherë iu bashkova ekipit në Ohër dhe jam shumë i lumtur që përsëri jam pjesë e ekipit ku edhe i kam bërë hapat e parë dhe jam rrit si lojtar. Nuk më ngel asgjë tjetër vetëm se të vazhdoj punën dhe të luftoj për vend në formacion dhe bashkërisht me shokët e skuadrës, të arrijmë rezultate të mira”, përfundoi Zuka.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.