Ditën e martë qeveria kineze njoftoi se do të përshpejtojë zhvillimin e industrisë së saj të hapësirës. Kjo, me qëllim për tu bërë vendi i parë në botë që do të studiojë anën e largët të Hënës në 2018 dhe planetin Mars në vitin 2020. Zyrtarët thanë gjithashtu se Kina ka për qëllim të përdorë hapësirën për qëllime paqësore, për të garantuar sigurinë kombëtare dhe për të kryer kërkime shkencore. Ndërkohë, që Rusia dhe Shtetet e Bashkuara kanë më shumë përvojë në misionet në hapësirë, programi i mbështetur nga ushtria e Kinës ka bërë përparim të qëndrueshëm në një kohë relativisht të shkurtër. Kina e vë theksin në zhvillimin e industrisë së hapësirës, pasi ajo shihet si një simbol i prestigjit kombëtar, që do të rrisë imazhin e vendit në botë. Muajin e kaluar, dy astronautë u kthyen nga një qëndrim një mujor në bordin e Tiangong 2, stacionit hapësinor eksperimental të Kinës, misioni i 6-të dhe më i gjatë i vendit.