Patriot LUMANI
Strugë, 9 shkurt – Me vite të tëra nuk ka investime serioze në kopshtin e fëmijëve në Strugë, shkruan gazeta KOHA. Të dy objektet e kopshtit po ballafaqohen me probleme të mëdha dhe për shkak të mungesës së hapësirës dhe për pasojë nuk mundet të përkujdesen për të gjithë fëmijët e interesuar. Nga Komuna e Strugës, në lidhje me këtë problematik të thonë se pas pilot – çerdheve në vendbanimet më të mëdha të Strugës, në plan është edhe investimi për sigurimin e tre klasave të tipit montazh, me të cilat deri diku kjo problematikë do të zbutet, sepse sipas tyre, deri tani ka munguar investimi nga pushteti qendror. Krenar Lloga, sekretar i Komunës së Strugës, nënvizon se duke u nisur nga ndjeshmëria e lartë e kësaj çështje, komuna mendoi një zgjidhje emergjente në mënyrë që të gjithë prindërit që dëshirojnë fëmijët e tyre t’i dërgojnë në çerdhe, ta realizojnë këtë angazhim. “Për këtë qëllim do të investohen 2.2 milionë denarë dhe me gjasë, pas kalimit të procedurave që parashikon ligji, klasat për Çerdhen e Strugës do të sigurohen në një afat sa më të shpejtë”, përfundon ai. Si rezultat i mungesës së hapësirave, dhjetëra fëmijë të vegjël nuk mund të regjistrohen në çerdhet e Strugës dhe regjistrohen vetëm në listën e pritjes, në mënyrë që dikush të lirojë vendin. Kopshtet e Fëmijëve në Strugë nuk janë përmirësuar për 35 vite. Viteve të fundit janë bërë disa ndërhyrje kozmetike, por të pamjaftueshme. Së fundi është bërë ndërtimi i kulmit të njërës nga godinat, e cila ishte e mbuluar me azbestë dhe me një investim shtesë u fituan edhe dy klasa. Prej vitesh jo vetëm prindërit, por edhe shoqatat e ndryshme kanë përsëritur kërkesat që të ndërhyhet në interes të shëndetit të fëmijëve, ndërkohë së fundi u nënshkrua edhe një peticion, por deri tani duket e largët dita kur të vegjlit e Strugës të kenë një akomodim dhe edukim sipas standardeve. Përndryshe kopshti “Dielli” frekuentohet nga 150 fëmijë dhe është i hapur në fillim të viteve 70 të shekullit të kaluar. Në Strugë, në kuadër çerdhes “8 Marsi” funksionojnë dy objekte të ndara në dy njësi, në kopshtin “Dielli” dhe “Flutura”, ku kujdes dhe edukim fitojnë mbi treqind vogëlush nga të gjitha nacionalitetet që jetojnë në Komunën e Strugës. Gjithashtu në këtë çerdhe funksionon edhe klasa mozaik, ku së bashku edukohen si fëmijët shqiptarë dhe ata maqedonas, kjo falë një projekt të financuar nga organizata të huaja ndërkombëtare dhe Komuna e Strugës.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.