Jasir Asani pasi nuk ka pranuar të vazhdojë kontratën me Vardarin, ka bërë që shumë klube të hidhen në sulm për at. Sipas zërave të fundit, për shërbimet e tij janë interesuar shumë klube, por ja që vetëm një do të ketë mundësi ti ketë shërbimet e tij. Një është pothuajse e sigurt se shkupjani në janar do të bëhet me klub të ri. Këtë e pohon ai vet për gazetën KOHA. “99 për qind nuk do ta vazhdoj kontratën me Vardarin. Dua që të provohem në ndonjë klub tjetër. Menaxheri im është në bisedime me disa klube, por aktualisht nuk ka konkrete asgjë”, u shpreh Jasiri. Derisa sipas mediave në Shqipëri, Partizani nga Tirana, Skënderbeu dhe Flamurtari nga Shqipëria, janë hedhur në sulm për 21 vjeçarin. Kjo vlen sidomos për Partizanin ku shkupjani edhe në të kaluarën ka qen prioritet i tyre, por Vardari atëherë kërkoi 200 mijë euro. Sipas “panorama-sport”, Partizani i kishte ofruar 150 mijë euro, por tani “demat” kanë mundësi që ta marrin falas lojtarin. “Është e vërtetë që prej ditësh kam nisur bisedimet me Partizanin, por ende nuk ka një akord mes palëve. Gjithsesi, gjasat janë që në janar të jem pjesë e kësaj skuadre. Në ditët në vijim pritet që të kem një vendim më të qartë për të ardhmen time, pasi kam oferta edhe nga klube të tjera siç janë Skënderbeu dhe Flamurtari”, u shpreh Jasiri për “Panorama Sport”. Ndërkohë, përveç Partizanit, Asani pranon se skuadra ruse Amkar Perm gjithashtu ka shprehur interesim për at, derisa zërat shkojnë deri atje që ai lidhet me një kalim të mundshëm te KF Shkëndija, edhe pse ky transferim vështirë është të realizohet për shkak të marrëdhënieve të acaruara mes futbollistit dhe tifozëve të klubit kuqezi. (koha.mk)