E hënë, 25 Nëntor, 2024
-1.2 C
Skopje

KOHA 18 vjet – zëri i të gjithëve!

Sot, në këtë përvjetor të 18-të, KOHA meriton urimet dhe mbështetjen e të gjithëve. Sepse, ndërsa kalojmë nga adoleshenca drejt maturitetit të plotë, mbetet e qartë se rrugëtimi i gazetës sonë nuk ka për të përfunduar. Përkundrazi, do të vazhdojmë të jemi simbol i rezistencës dhe përkushtimit ndaj gazetarisë së lirë, të pavarur dhe profesionale

Nga Vedat Memedaliu, kryeredaktor

Rreth 150.000 faqe në 5285 numra gazete deri më sot! Kur një gazetë arrin të shënojë 18 vite pa as edhe një ndërprerje dhe me përkushtim të plotë ndaj lexuesit, kjo nuk është thjesht një shifër – është një testament për punën e palodhur, idealin dhe përgjegjësinë që gazetarët dhe stafi i saj mbartin. Gazeta KOHA për këto 18 vite ka qenë më shumë se një gazetë – ka qenë një Platformë që pasqyron të vërtetën, ndërgjegjen dhe zërin e qytetarëve, zërin e secilit – të madh e të vogël.

E vetmja gazetë ditore në gjuhën shqipe në Maqedoninë e Veriut, KOHA ka luajtur një rol kyç në ndërtimin e një ure midis shoqërisë dhe institucioneve, duke dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në forcimin e demokracisë dhe pluralizmit medial. Përmes faqeve të saj, nga 22 nëntori i vitit 2006, KOHA ka shtjelluar debate konstruktive, analiza të thelluara dhe raportime të paanshme, duke mbetur gjithmonë pranë interesave të lexuesve të saj. Ka qenë një dritare informimi për shqiptarët, jo vetëm në Maqedoninë e Veriut, por edhe më gjerë, duke reflektuar mbi çështjet e identitetit, gjuhës, kulturës dhe të drejtave qytetare. Jo rastësisht numri i parë u publikua më 22 nëntor – në Ditën e Alfabetit të Gjuhës Shqipe.

Kemi qenë gjithashtu një kronikë e zhvillimeve historike dhe politike, duke mbajtur të gjallë kujtesën kolektive dhe duke kontribuar në ndërgjegjësimin e publikut për rëndësinë e pjesëmarrjes aktive në jetën publike. Për 18 vite, kemi ndarë me ju momentet më të rëndësishme të historisë sonë të përbashkët. Nga ngjarjet që kanë përcaktuar të ardhmen tonë politike e deri te historitë njerëzore që kanë prekur zemrat e lexuesve tanë, KOHA ka qenë gjithmonë aty – për të sjellë jo vetëm lajmin, por edhe reflektimin.

Dhe në një epokë kur gazetaria shpesh përballet me trysni politike, ekonomike dhe teknologjike, mbijetesa e një gazete siç është KOHA – është një sukses më vete. Përballë konkurrencës së mediave digjitale dhe sfidave financiare që prekin industrinë e medias globale, KOHA ka arritur të ruajë identitetin e saj, duke vazhduar të mbështetet në parimet e etikës dhe profesionalizmit.

Dhe sot, KOHA meriton urimet dhe mbështetjen e të gjithëve. Sepse, ndërsa kalojmë nga adoleshenca drejt maturitetit të plotë, mbetet e qartë se rrugëtimi i gazetës sonë nuk ka për të përfunduar. Përkundrazi, do të vazhdojmë të jemi simbol i rezistencës dhe përkushtimit ndaj gazetarisë së lirë, të pavarur dhe profesionale. Kështu që, përvjetori i 18-të është një moment për të kthyer kokën pas për të vlerësuar rrugëtimin tonë, por edhe për të parë drejt së ardhmes me besim dhe përgjegjësi. Dhe, me ritme edhe më të shpejta, KOHA është e vendosur të vazhdojë të jetë një burim informacioni i besueshëm dhe një udhërrëfyes për një shoqëri më të mirë dhe më të drejtë.

Sot, në këtë ditë të madhe për ne – KOHA falënderon përzemërsisht lexuesit dhe ndjekësit tanë të përkushtuar, bashkëpunëtorët dhe të gjithë ata që kanë kontribuar në këtë udhëtim të jashtëzakonshëm. Pa mbështetjen dhe besimin tuaj, KOHA nuk do të ishte ajo që është sot. Të përkulur dhe me mirënjohje, premtojmë se do t’i shërbejmë së vërtetës dhe do të mbajmë gjallë frymën e gazetarisë së mirëfilltë. Madje, jo vetëm me shkronja, por tani KOHA vjen edhe me zë. Me studiot nga më modernet e deri te emisionet e ndryshme politike, ekonomike, kulturore dhe të tjera, KOHA do të garojë me televizionet më serioze në vend dhe rajon, ndërsa do të shtjellojë gjithë ato tema që prekin qytetarët, lexuesit dhe shikuesit tanë.

Thënë ndryshe, KOHA do të jetë gjithmonë zëri Juaj – zëri i të gjithëve.

Abonohu

Për t'u përditësuar me të gjitha lajmet e fundit, ofertat dhe njoftimet speciale.

Artikuj të ngjajshëm