Ish-drejtori i FBI-së, Xhejms Komi deklaroi se presidenti amerikan, Donald Tramp, prej tij ka kërkuar ta ndërpresë hetimin për ish-këshilltarin për siguri nacionale, Majkëll Flin. Sipas kumtesës së vendosur në faqen e Senatit, Komi tha se Tramp i ka thënë se i nevojitet lojalitet dhe se e pret lojalitetin e tillë, transmetojnë mediumet britanike.
Komi sot do të dëshmojë personalisht para Këshillit të Senatit për punë zbuluese, para të cilit do të përkujtohet për mbrëmjen gjatë të cilës ishte me Trampin, më 27 janar, një javë pasi që ishte inauguruar shef i shtetit, theksohet në kumtesë. Komi deklaroi se gjatë mbrëmjes, Tramp e ka pyetur nëse dëshiron të mbetet drejtor i FBI-së dhe se është brengosur se presidenti amerikan po tenton të krijojë “një lloj raporti prej patroni”.
Në kumtesë Komi shton se kjo e ka shqetësuar shumë, duke pasur parasysh faktin se FBI ka status tradicionalisht të pavarur në pushtetin ekzekutiv. Ish-këshilltari i presidentit amerikan për siguri nacionale, Majkëll Flin, Këshillit për punë sigurie të Senatit do t’i dorëzojë dokumente lidhur me hetimin për përzierjen e përfolur të Rusisë në zgjedhjet presidenciale në SHBA në vitin 2016.
Mediumet amerikane nga fundi i majit theksuan se pajtueshmëria e Flinit për bashkëpunim është shenja e parë se ai dhe këshilli i Senatit kanë gjetur gjuhë të përbashkët. Javën e kaluar, liderët e republikanëve dhe demokratëve në Këshillin për punë sigurie të Senatit të SHBA-së kumtuan se janë të zhgënjyer që Flin e ka refuzuar kërkesën e tyre për intervistë, si dhe se dakordohen me urdhëresën gjyqësore me të cilën prej tij kërkohet të parashtrojë dokumente lidhur me hetimin.