Athinë, 28 mars – Emri nuk duhet të ketë elemente irredentiste, duhet të jetë i përbërë me përcaktim gjeografik, me mbiemër dhe të kufizojë se nuk bëhet fjalë për Maqedoninë greke, thotë shefi i diplomacisë greke Nikos Koxias në fjalimin gjatë promovimit të librit “Çështja e Maqedonisë” të Nikos Mersos.
“Duhet të gjejmë emër të përbërë që do ta shprehë veçantinë dhe pozicionin gjeografik të këtij shteti dhe në të njëjtën kohë nuk do të fyejë asnjë nga të dyja palët”, vlerëson Koxias.
Shefi i diplomacisë greke duke iu referuar patriotizmit tha se patriotizëm nuk është ta mohosh të drejtën e palës tjetër që të krenohet me historinë e saj, “nëse është e vërtetë dhe jo e falsifikuar”.
“Patriotizëm për mua nënkupton emër i përbërë. Ky emër i përbërë duhet të vlejë për të gjithë, sepse në bisedimet në vitet e kaluara kishte një dilemë, a duhet të vlejë vetëm për organizata ndërkombëtare, a duhet të vlejë për marrëdhënie ndërshtetërore, ndërsa këtë shumë njerëz e quajnë erga omnes. Por, erga omenos i vërtetë është që të vlejë për të gjithë, gjegjësisht edhe për brendësinë. Të vlejë dhe të shprehet me marrëveshjen ndërkombëtare që do ta nënshkruajmë në KB dhe me ndryshimet që duhet të bëhen në Kushtetutën e tyre”, tha Koxias.
Duke folur për ndryshimin e Kushtetutës, tha se është e patjetërsueshme jo vetëm se kjo është kërkesë greke dhe garanci për Athinën, por është i patjetërsueshëm edhe për garancitë e brendshme edhe për ndonjë Qeveri të ardhshme, për shkak se “Gruevski i ardhshëm 2” do të dalë me akuza.
Në lidhje me erga omnes edhe pse kjo është e nevojshme, Koxias sqaroi se nuk duhet të lihet hapësirë që në të ardhmen të lindin probleme të reja dhe preokupime të reja çdo ditore në mes dy palëve.
Nikos Koxias shtoi se kur i ka filluar bisedimet i ka thënë ndërmjetësit Methju Nimic se “me dorë në zemër dëshiron zgjidhje të ndershme”, as ta imponojë as t’ia imponojnë, zgjidhjen me përcaktim gjeografik para fjalës Maqedoni.
Sipas shefit të diplomacisë greke, marrëveshja duhet të jetë stabile dhe e qëndrueshme dhe ta zhvillojë besimin mes dy palëve. Porositi se nevojitet që të bëhet kompromis, sepse Greqia nuk duhet të frikësohet.
“Ne nuk mund të frikësohemi, Greqia e fuqishme, Greqia me histori të gjatë, Greqia e Aleksandrit të Madh, Greqia me historinë e gjatë, filozofinë e Artistotelit etj, të ketë frikë të bëjë kompromis me një shtet të vogël që ende nuk e ka gjetur identitetin e tij”, shtoi Koxias dhe sqaroi se “njerëzit e vendit fqinj, pranojnë se fjalët Maqedoni dhe gjuha maqedonase nuk i përkasin Aleksandrit të Madh”.
Siç njoftoi korrespondenti i MIA-s nga Athina, Nikos Koxias në fjalimin e gjatë dhe të gjerë në amfiteatrin e stërmbushur në njërën nga ndërtesat e MPJ-së greke, bëri retrospektivë historike të problemit me emrin.
“Nuk është e drejtë të themi se tani do ta japim emrin Maqedoni. Nuk po shkojmë në pagëzim. Fëmija ekziston dhe quhet Maqedoni, vetëquhet kështu të paktën një shekull. Dhe si Maqedoni ekzistojnë si pjesë e entitetit politik në forma të ndryshme para 70 viteve”, tha Koxias, duke e përmendur faktin se në vitin 1977 gjuha maqedonase, pa reaguar Greqia, është njohur nga KB-ja.
Shefi i diplomacisë greke përkujtoi se Maqedonia si rajon më i gjerë gjeografik i takon katër shteteve, e jo vetëm Greqisë.
“Miqtë e mi në Shkup, ose përpiqen të bëhen shteti më i ri evropian, kombi më i ri evropian, nëse e heqim Kosovën, përpiqen të gjejnë një identitet historik, në një mënyrë, sipas nesh mënyre të gabuar dhe në vend që të kufizohen në atë se janë popull i përbërë nga komunitete të ndryshme, nga të cilat shumica janë sllovenë, me komunitet të dytë të madh shqiptar, me vllehë etj, u përpoqën ta bashkojnë, ta çimentojnë ekzistimin e tyre me historinë nacionale që nuk e kishin dhe me përmendjen e maqedonizmit në histori dhe identitet. Dhe këtu lindi irredentizmi. Dhe është evidente se problemi me emrin, e koncentron irredentizmin në histori, në arsim, në simbolet, përqendrohet në ndërgjegjen e tyre të çdoditshme”, tha Koxias, ndërsa në kontekstin e njëjtë i përmendi riemërimin e aeroportit dhe të autostradës, si hap i madh.