Urim HASIPI
Tetovë, 6 shkurt – Nxënësit e shkollës fillore “Liria” edhe më tutje mësojnë në tre ndërrime dhe me orë të shkurtuara për shkak se kati i tretë i kësaj shkolle akoma vazhdon që të jetë jo funksional për shkak të dëmtimit të pullazit, i cili që nga vjeshta e vitit të kaluar pikon nga të gjitha anët. Autoritetet e shkollës thonë se në pranverën e këtij viti do të fillojë rekonstruimi i pullazit të shkollës, shkruan gazeta KOHA. Por krahas kësaj ata druajnë se me fillimin e shkrirjes së borës do të fillojë të pikojë çatia. “Jemi përballur me shumë probleme sidomos gjatë periudhës së dimrit kur kishim edhe të reshura të borës , aktualisht situata në këtë shkollë është stabile, çatia për momentin nuk pikon ujë, ngelet që të shihet kur të shkrihet bora se a do të kemi ndonjë problem apo jo , sa i përket sanimit rekonstruimit të pullazit në tërësi, shpresojmë se me kalimin e kohës gjatë muajit mars apo prill do të intervenohet, në drejtim rekonstruimit të kulmit, pasi që dihet se tani në kushte dimërore nuk mund që të intervenohet pasi edhe punëtorët e ndërtimtarisë nuk mund të punojnë në këto kushte”, tha për KOHA, Shpresa Iseini, drejtoreshë e shkollës Liria. Shkolla fillore Liria në Tetovë është një ndër shkollat më të vjetra të qytetit të Tetovë e ndërtuar përpara 70 vitesh, autoritetet e kësaj shkolle thonë që përveç pullazit në këtë shkollë ka nevojë edhe për investime të tjera .“Faktikisht në shkollën fillore “Liria” nuk është investuar aspak, përveç asaj që para dhjetë vitesh pjesërisht janë zëvendësuar dritaret e vjetra me të reja nëpërmjet një projekti të USAIDIT, pas kësaj përpara dy vitesh janë zëvendësuar edhe dyert e shkollës edhe kjo punë është realizuar me anë të një donacioni nga një prind i cili për këtë shkollë ka donuar dyer për të gjitha klasat”, theksoi Iseini. Mirëpo, kjo nuk është problemi i vetëm që has kjo shkollë në aspektin infrastrukturor.
Problemi me rrjetin e rrymës elektrike dhe tualetet janë poashtu problem që zgjasin shumë vite në këtë shkollë të Tetovës dhe nuk është ndërmarrë asgjë. “Në këtë shkollë problemi i vetëm nuk është vetëm kulmi që pikon për shkak të dëmtimit, por edhe instalacioni i vjetruar elektrik është problem në vete , kemi po ashtu problem edhe me tualetet e shkollës dhe gjithçka tjetër që përfshinë kushtet objektive të një shkolle, duke përfshirë këtu edhe oborrin e shkollës”, tha ajo. Sipas saj, objekti i kësaj shkolle asnjëherë nuk është rindërtuar apo rikonstruar në mënyrë të mirëfilltë, duke bërë kështu që e njëjta të jetë në rrezik për t`u shembur gjithnjë gjatë tërë kohës ndërsa reshjet e shiut në tetor të vitit të kaluar shkaktuan shumë dëme në çati duke bërë që në katin e dytë të ketë edhe vërshime dhe dëmtime të disa klasave. Prej asaj kohe në shumë mësonjëtore mësimi nuk zhvillohet dhe të njëjtat janë të mbyllura. Nga komuna e Tetovës kanë ndarë rreth 600 mijë denarë mjete të cilët ishin paraparë për festimin e vitit të ri në qendër të Tetovës të cilët do të dedikohen për rikonstrumin e çatisë. Ndryshe në shkollën fillorë “Liria” në Tetovë mësojnë 1150 nxënës ku mësimi në këtë shkollë realizohet në tre gjuhë edhe atë në gjuhën shqipe, maqedonase dhe atë turke.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.