Evis HALILI
Shkup, 11 maj – Botime kapitale, një prej projekteve më të kushtueshme që janë realizuar deri tani nga ana e Ministrisë së Kulturës, është edhe një prej atyre më pak transparente. Mbi të vazhdimisht janë ngritur pikëpyetje nëse korrespondon shifrat e librave të planifikuar dhe të atyre që janë botuar, por edhe mënyra e shpërndarjes se tyre, shkruan gazeta KOHA. Nëse shpërndarja e tyre është bërë nëpër biblioteka dhe një pjesë janë nxjerrë në shitje, një sasi tjetër është shpërndarë edhe në formën e donacioneve. Sipas burimeve në Ministrinë e Kulturës, fondi i bibliotekave në pjesën perëndimore të Maqedonisë, rezulton të ketë përfituar shumë më pak sesa ato në qytete të tjera. Por jo vetëm ato. Nga shpërndarja jo e drejtë kanë përfituar pak ose aspak institucioneve të tjera, si shkolla, universitete, institute, por edhe shoqata e të tjera.
Rishikimi i formës së shpërndarjes së tyre është një prej pikave të diskutueshme në mbledhjen e Qeverisë. Edhe pse me vonesë, nga ky institucion pohojnë se forma e distribuimit duhet të ndryshojë duke krijuar mundësi që prej botimeve luksoze në tre gjuhë, shqip, maqedonisht dhe anglisht të përfitojnë edhe bibliotekat e qyteteve, por edhe të universiteteve, instituteve, e të tjera. Por nëse kërkohet llogari për mënyrën e shpërndarjes për këtë projekt nuk ka pasur asnjëherë informacione lidhur me tematikën e edicioneve, që janë pjesë e projektit të botimeve kapitale. Krahas “130 vëllimeve të letërsisë”, “Nobelistët”, është edhe “Tundimet maqedonase”, projekt i cili prej disa vitesh financohet dhe librat e tij promovohen në tribuna propagandistike me tone të theksuara nacionaliste.
“Ekziston një skemë në mënyrë e shpërndarjes së këtyre librave, e cila mesa duket nuk ka funksionuar njëlloj për të gjitha bibliotekat. Përveç atyre në gjuhën shqipe ka shumë vepra të tjera në gjuhët angleze dhe maqedonisht të cilat duhet të pasurojnë fondin e këtyre bibliotekave. Nuk është e drejtë që një bibliotekë, të themi në Maqedoninë lindore të përfitojë më shumë sesa ajo në Tetovë, për shembull”, thotë për KOHA sekretari shtetëror, Behixhudin Shehapi.
Po nga ky institucion mohojnë të ketë pasur diferencime lidhur me numrin e librave të shpërndarë nëpër biblioteka. Edhe pse nuk japin detaje lidhur me koston e përgjithshme të megaprojektit, por edhe numrin e saktë të librave të publikuar, nga zyra për marrëdhënie me publikun sqarojnë se shpërndarja është bërë sipas nevojave dhe planifikimeve. Projekti i përkthimeve të veprave më të rëndësishme botërore nga afera e sportit, shëndetit, mënyrës së të ushqyerit dhe jetesës së shëndetshme vazhdon të jetë në projektet që Qeveria planifikon të vijojnë deri në vitin 2018. Në programin e Qeverisë që duhet të zbatohet nga Ministria e Kulturës, po ashtu, planifikohet që të vijojnë deri në vitin 2018 edhe përkthimi i 135 vëllimeve të autorëve të letërsisë maqedonase në gjashtë gjuhë të huaja, frëngjisht, spanjisht, rusisht, gjermanisht, arabisht dhe në gjuhën kineze. Ndërsa brenda këtij viti duhet të përfundojë përkthim i “Majat e filozofosh, historisë dhe psikologjisë botërore”. Me librat që janë pjesë e “130 vëllimeve të letërsisë maqedonase”, të përkthimeve nga autorë fitues të çmimit Nobel, apo edhe nga autorë të tjerë të spikatur të letërsisë botërore janë furnizuar bibliotekat universitare, si “Shën Klimenti i Ohrit”, në Shkup dhe Manastir, Goce Dellçev në Shtip, “Koço Racin” në Tetovë, apo “Grigor Përliçev” në Ohër . Përveç edicioneve me autorë vendas, nobelistë, si pjesë e botimeve kapitale janë mbështetur edhe shume libra me karakter religjioz.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara