Urim HASIPI
Tetovë, 23 mars – “Arsimim për punësim” ishte tema e tryezës së rrumbullakët që është organizuar nga Fakulteti i Biznesit dhe Ekonomisë, në bashkëpunim me klubin e liderëve të ardhshëm të biznesit pranë Universitetit të Evropës Juglindore, shkruan gazeta KOHA. Sipas dekanit të Fakultetit të Biznesit dhe Ekonomisë, akademik Izet Zeqirit, në këtë tryezë të rrumbullakët janë diskutuar sfidat që kanë të bëjnë me zgjedhjen e profesionit dhe problemet me të cilat po përballet tregu i punës në aspekt të punësimit dhe papunësisë.
“Në këtë tryezë të rrumbullakët do të diskutohet për çështjet dhe sfidat që kanë të bëjnë me zgjedhjen e profesionit, me problemet me të cilat përballet tregu i punës në aspektin e punësimit, papunësisë dhe aspektit të shkollimit të punësuarve dhe të papunëve, sfidat e zgjedhjes së profesionit, faktorët që ndikojnë në zgjedhjen e profesionit te të rinjtë dhe normalisht do të diskutohet edhe për atë se çka Universiteti i Evropës Juglindore, konkretisht Fakulteti i Biznesit dhe Ekonomisë ofron për maturantët në sferën e edukimit në fushën e Biznesit dhe Ekonomisë”, tha Izet Zeqiri, dekan i Fakultetit të Biznesit.
Sipas akademik Abdylmenaf Bexhetit, një nga faktorët e papunësisë në vend dhe largimit të të sapodiplomuarëve drejt vendeve të Evropës për një perspektivë më të mirë, është edhe ajo se arsimi i mesëm dhe në veçanti arsimi i lartë, nuk mbajnë shumë brengë për kërkesat dhe nevojat e tregut të punës. Kjo, sipas tij, është një ndër arsyet kryesore se pse të rinjtë e sapodiplomuar largohen nga vendi dhe kërkojnë perspektiva diku jashtë.
“Institucionet tona arsimore, duke filluar edhe nga arsimi paraprak, do të them posaçërisht arsimi i mesëm dhe në veçanti arsimi i lartë, nuk mbajnë shumë brengë për kërkesat dhe nevojat e tregut të punës, dhe kjo është një arsye kryesore pse mandej na ndodh ajo që të ikin edhe të rinjtë e sapodiplomuar. Duke kërkuar rrugëdalje diku jashtë”, deklaroi Abdylmenaf Bexheti,
Në ndërkohë, sipas tij, institucionet duhet të prodhojnë kuadro që i nevojiten tregut të punës. “Sigurisht se ka edhe arsye të tjera të natyrave të tjera, kërkim të perspektivave të tjera më të qëndrueshme. mirë të paguara dhe aspekte të tjera, mirëpo kjo është e para dhe së paku atë që ne mundemi dhe duhet ta plotësojmë, këtë duhet ta bëjmë dhe ne jemi duke i kontribuar kësaj, përndryshe gjithmonë do të ketë një lëvizje, një zhvendosje të profileve, kuadrove në botën globale, mirëpo theks i veçantë duhet të jetë që a i prodhojmë ne ata të cilët ka nevojë tregu i punës. Dhe këtu hendeku akoma është më i madh. Drejtimet profesionale absolutisht që janë nevojat më të mëdha të tregut të punës. Të gjitha programet që deri më sot i kanë bërë edhe donator të jashtëm, siç është PNUDI, Programi për zhvillim i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, USAID, apo edhe programe të tjera vazhdimisht kanë treguar se ka deficit të madh të profileve profesionale, posaçërisht nga shkollat e mesme. Ne kemi mungesë të madhe të këtyre profileve në gjërat më elementare, në sektorët më elementarë, ndërkohë që kemi të diplomuar dhe doktorë shkencash, mbi 100 të papunësuar. Imagjinoni, ky paradoks nuk është në asnjë vend tjetër”, shprehet ai. (koha.mk)