Sulaibiya në Kuvajt ka regjistruar temperaturën më të frikshme të kësaj vere: plot 49 gracë Celsius. Një më shumë se Abadan në Iran dhe dy më shumë se Tozeur në Tunizi. Në Richmond, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, termometri i kaloi 40 gradët, po aq sa Pekini që nuk kishte pse të kishte zili Moskën, ku afshin e 38.5 gradëve nuk e kujton askush, duke qenë se atje nuk ka bërë kurrë kaq nxehtë në këto 130 vitet e fundit, që kur meteorologët nisën të matnin sistematikisht temperaturat. Nuk kemi përfunduar ende. Vera e tmerrshme e 2015-s ka shënuar shifra rekord në cepa të ndryshme të planetit. Toka djeg e përvëlon, por më e keqja është se meteorologët parashikojnë ditë edhe më të nxehta. Në kryeqytetin rus, i nxehti ka përfshirë edhe metrotë, duke i detyruar njerëzit të qarkullojnë gjysmë lakuriq, ndërsa numri i të mbyturve në liqen, si pasojë e vapës ,është i frikshëm. Verë rekord, por akoma më dramatike është situata në Japoni, ku temperaturat e larta kanë shkaktuar 80 të vdekur. Më në veri, vendi siberian i Ojkmajkon, pasi regjistroi 71 gradë nën zero në vitin 1926, d.m.th. temperaturën më të ulët të planetit, dy ditë më parë termometri shënoi për këtë vend një tjetër temperaturë rekord: 33 gradë. Edhe në Lindjen e Mesme situata nuk është më e mirë. Për t’u arratisur nga temperaturat që shkojnë nga 45 në 50 gradë, irakianët që mund t’ia lejojnë vetes kanë shpërthyer në një bum turistik në Kurdistan, ku në lokalitetin e Shaqlawadh, mes maleve Suruk dhe Safin, hotelet janë të gjithë plot. Në Kuvajt, administrata e kopshtit zoologjik të kryeqytetit, për herë të parë që nga krijimi i tij, i ka mbushur me copa akulli vaskat ku freskohen rinocerontët dhe arinjtë. Edhe Greqia, Gjermania e Franca po i vuajnë shumë pasojat e kësaj vere të çmendur, për të cilën nuk di se kë të fajësosh.
Rekordi i temperaturave, turistët në arrati nga “Big Apple”
Në Brooklyn, punëtorët e “Conedision”, kompania e themeluar nga shpikësi i llambës, kaluan shtëpi më shtëpi me akull, ashtu si 100 vjet më parë, për të ndihmuar të varfrit e mbetur pa drita si pasojë e punës së madhe të kondicionerëve. Në Bronx janë të dëshpëruar, sepse nuk po e merr më mundimin askush për të shkuar në kopshtin e famshëm zoologjik. Për shkak të temperaturave të larta, numri i turistëve është më i ulët: rreth 31 për qind dhe për herë të parë shiten biletat me gjysmë çmimi. Gjëja më e çuditshme është se bën aq shumë vapë sa në Nju Jork nuk shiten më as akullore: njerëzit dalin shumë pak nga shtëpia dhe “Mr. Softee”, zinxhiri i kamionçinave që shesin akullore në çdo cep të rrugës, ka humbur rreth 10 për qind. Është thyer edhe rekordi i vitit 1999: me një mesatare prej 27.8 gradë, korriku i vitit 2015 do të mbetet ai më i nxehti i historisë. Pika maksimale? 39.5 gradë më 6 korrik, pa llogaritur lagështirën, që shkon në 43.3 gradë. Meteorologu David Easterling thotë se situata do të vazhdojë kështu edhe pas gushtit. Numri i të vdekurve sa vjen e rritet. Por më e frikshme është se ka pasur edhe të rinj mes atyre që kanë humbur jetën. Të moshuarit këtu janë thuajse 1 milion, ndaj ka shpërthyer alarmi. Madje, edhe në librari ka dalë një libër kërcënues: “I nxehti i madh i qytetit të vjetër” që tregon për kasaphanën e gushtit të vitit 1896: 1300 të vdekur në getot e Lower East Side, ku sot të rinjtë më trendi paguajnë rreth 2000 dollarë për një “vrimë” 20 metra katrorë, por me ajër të kondicionuar.
Kina mbështillet nga një vapë përvëluese
Korriku i rekordeve, shi dhe viktima të klimës në Azi. Prej më shumë se një muaji, vendi është gjunjëzuar nga temperaturat më të larta të 150 viteve të fundit. Tajfunet dhe ciklonet i kanë bërë monsonet e 2015-s më të këqijat që prej 1953-shit. Metropolet e lindjes, të mbytura nga trafiku, janë bërë pjesë e një kokteji fatal të përbërë nga smogu, lagështira dhe ajri i nxehtë. Por ndërsa një pjesë zien nga vapa përvëluese, pjesa tjetër është përfshirë nga përmbytjet dhe tajfunet. Kina, India, Japonia, Filipinet kanë shënuar rekorde për sa i përket numrit të të shtruarve në spital dhe konsumit të energjisë elektrike. Kina është mbështjellë nga një vapë përvëluese dhe zyra e motit në Pekin ka dhënë alarmin, duke i detyruar njerëzit të mos dalin ditën dhe kompanitë të mbrojnë punëtorët që punojnë në mjedise të hapura. Ajër i kondicionuar, ventilatorë dhe frigoriferë, të përdorur me kohë të plotë nga miliona persona, kërcënojnë sistemin energjetik dhe shumë rajone kanë mbetur pa drita. Klima ka provokuar një rënie turizmi me rreth 50 për qind: janë me dhjetëra rastet e personave që marrin ndihmë se nuk ndihen mirë në “Expo”-n e Shangait. Më shumë se 80 viktima në Japoni, ku zeroja termike në lartësinë 6 mijë metra ka përshpejtuar shkrirjen e akujve të Himalajeve dhe cilësia e ajrit në gjithë Azinë, për herë të parë që nga viti 2005, është përkeqësuar.
Ndalojnë trenat plot me pasagjerë
Tani temperaturat i janë rikthyer normalitetit, por vetëm pak ditë më parë edhe Evropa Qendrore ishte përfshirë nga një valë e paprecedentë të nxehti. Në Gjermani, për shembull, shumë trena që nuk u punonin kondicionerët dolën jashtë përdorimit. Tani pasagjerët e hekurudhave gjermane, që 10 gushtin e kaluar udhëtonin në trenat e evakuuar nga i nxehti i madh, do të marrin rreth 500 euro për kokë dëmshpërblim. Dy trena të ardhur nga Berlini u evakuuan në stacionin e Hanoverit dhe pasagjerët u transferuan në trena të tjerë. Gjithçka për faj të ajrit të kondicionuar që nuk funksiononte dhe e kishte bërë të pamundur temperaturën e qëndrimit nëpër vagonë, e cila shkonte deri në 50 gradë Celsius. Probleme pati edhe në Paris, ku prefekti i qytetit u bëri thirrje qytetarëve për përdorim të kujdesshëm të ujit të pijshëm. Për shkak të të nxehtit, lumenjtë që furnizojnë me ujë kryeqytetin francez gjenden pothuajse në pikën kritike. “Lumi Lunanin, shpjegon prefekti, ka zbritur përtej pikës kritike, ndërsa lumi Vanne është në gjendje alarmi”.
Vodka dhe një zhytje në liqen për t’u freskuar, 171 të mbytur në 2 muaj
Nuk ka qenë kurrë kaq nxehtë dhe për më tepër për një kohë kaq të gjatë. Moska, e ndërtuar për t’u rezistuar temperaturave -30 gradë, tani nuk po e merr dot veten. Janë më shumë se 171 personat e mbytur në 11 liqenet e vogla të metropolit. Të gjitha histori shumë të ngjashme: vodkë të ngrirë, shumë birrë të ftohtë dhe pastaj një zhytje në ujë për të kërkuar një freskim të rrezikshëm. Edhe zakonet kanë ndryshuar. Në lagjet e periferisë mund të shohësh krevate të sistemuar në ballkone dhe kopsht. Veshja formale është zhdukur nga zyrat publike dhe nuk është e çuditshme të shohësh njerëz me rroba banje edhe në metro. Rekordi është absolut. Temperatura prej dhjetë ditësh në hije është 38.8 gradë. Nuk ka ndodhur kurrë më parë që nga koha kur nisën të mateshin temperaturat, pra rreth 130 vjet më parë. Kjo i ka surprizuar të gjithë. Edhe teknikët e ndërtimit. Disa struktura që nuk ishin projektuar për të duruar temperatura të tilla kanë nisur të bien papritur. Edhe ndërprerjet e energjisë po bëhen gjithmonë e më të shpeshta. Por më e keqja pritet të vijë. Për dy ditët në vijim është parashikuar që temperatura të arrijë 40 gradë.