Nga Albert Çaçi
Ka shumë raste në historinë moderne kur nëpër tavolina të Fuqive të Mëdha, ku përplasin interesa të shumta janë përcaktuar fatet e shumë kombeve. Vetë ne shqiptarët jemi shembulli i copëtimit të një kombi nga vendimet e këtyre tavolinave, por për fatin tonë të paktën na u njoh e drejta e shtetit shqiptar, pavarësisht se të përgjysmuar.
Por, çështja kurde është rasti klasik kur vendimet e Fuqive të Mëdha kanë lënë pa shtet një komb të tërë. Lënia e një kombi të tërë pa shtet, nuk është thjesht mohimi i krenarisë kombëtare, gjuhës amtare apo zhvillimit ekonomik, por mbi të gjitha i kthen automatikisht në minorancë në shtetet e tjera të huaja për ta dhe i bën objekt të persekutimit, shtypjes, diskriminimit, poshtërimit duke vënë në diskutim edhe vetë ekzistencën e kombit. Këtë fat i rezervoi historia Kurdistanit, vendit të kombit kurd një histori rezistence, kryengritje, luftërave pa fund plot vuajtje, dhimbje dhe privacione të rënda. Dhe duhet thëne se ata ia kanë dalë të mbijetojnë duke ëndërruar gjithmonë se herët a vonë do ta kenë shtetin e tyre.
Me Kurdistan nënkuptohet një Entitet gjeografik me rreth 450 000 km katrorë (më e madhe se Gjermania, Anglia, Italia) e banuar nga kurdët me rreth 26 milionë banorë, por e ndarë në 5 shtete Turqi, Iran, Irak, Siri dhe Armeni. Është një territor i rëndësishëm strategjik për shkak të burimeve të rëndësishme të naftës dhe burimeve te shumta hidrike (një element shumë i rëndësishëm, pasi në kufi janë shkretëtirat e Irakut, Iranit dhe Sirisë), por ndodhet në një situatë të pazhvilluar, për shkak të mungesës së një uniteti politik-administrativ. 75 për qind e naftës së Irakut vjen nga Kurdistani dhe po kështu gjithë prodhimi i Turqisë dhe disa vendburime nga më të rëndësishmit e Sirisë ndodhen në Kurdistan.
Por, gjithashtu është edhe një nyje shumë e rëndësishme komunikacioni pasi gjithë rrugët e lidhjes së të Europës me Iranin dhe me tej Rruga e Mëndafshit kalojnë nga Kurdistani. Kurdët e kanë prejardhjen nga populli antik Medi, një popullsi me origjine indo-iraniane dhe nga Azia Qendrore u vendosën në vitet 614 para Krishtit në malet e Iranit. Territoret e tyre u bënë objekte pushtimi që nga Babilonasit, Aleksandri i Madh, Perandoria Perse dhe deri te Perandoria Otomane.
Kurdët u konvertuan në Islam në shekullin e shtatë kur edhe dokumentohet për herë të parë përdorimi i gjuhës kurde në një dokument fetar. Nga viti 1189 deri ne 1250 krijojnë një dinasti kurde dhe nën drejtimin e Saladinit mbretërojnë në gjithë Lindjen e Mesme myslimane. Në fillim të shekullit të XVI Kurdistani u nda midis Perandorisë Osmane dhe asaj Perse dhe në fillim të 1900 Kurdistani kaloj plotësisht nën Perandorinë Osmane. Në fillim të shekullit të shkuar Kurdistani u bë objekt interesi për Fuqitë e Mëdha, si Britania e Madhe, Franca, Gjermania dhe Rusia Cariste, të cilat kishin si interes dobësimin e Perandorisë Osmane. Më 30 tetor 1918 Perandoria Osmane u mund nga Aleatët dhe Britania e Madhe mori Irakun Arab. Traktati i Sevres në Francë i 10 gushtit 1920 parashikoi që në Anatolinë Lindore të krijohej Kurdistani autonom dhe shteti i Armenisë. Por, Republika e re turke që po lindte, nuk lejoi që ky traktat të zbatohej. Në Traktatin e Lozanës më 1923, Britania, Franca, Italia, Japonia, Greqia dhe Rumania anulojnë Traktatin e Sevres. Ishte pikërisht anulimi i këtij Traktati që sanksionoi ndarjen e kurdëve në disa shtete fqinj. Në vitin 1937 një Traktat tjetër midis Turqisë, Iranit, Afganistanit dhe Irakut sanksionoi përfundimisht ndarjen e Kurdistanit. Kështu 26 milionë kurdë u lanë pa shtet dhe u shpërndanë në 5 shtete dhe pikërisht ndarja në kaq shumë shtete e bëri të vështirë që ata të ribashkohet më vonë.
Në vitin 1945 Rusia e Stalinit, pas fitores në luftën me Iranin e Shahut, krijoi për herë të parë në historinë e kurdëve një Republike Popullore të kurdëve në Iranin e Veriut. Por, rusët pas Marrëveshjes së Posdamit me SHBA dhe Britaninë u tërhoqën nga Irani dhe Shahu e ripushtoi Kurdistanin iranian, duke e kthyer përsëri në një komb pa entitet shtetëror. Aktualisht kurdët ndodhen në 5 shtete, por problematikat dhe situatat politike -ekonomike dhe ushtarake janë krejtësisht te ndryshme, pasi një sërë shtetesh e shikojnë problemin e tyre në mënyra diametralisht të kundërt.
KURDISTANI TURK
Kurdistani turk shtrihen në Turqinë Lindore me një sipërfaqe rreth 230 000 km katrorë (rreth 30% të Turqisë )dhe me rreth 15 milionë banorë. Me fitoren e Ataturkut në 1923 u sanksionua shteti unitar dhe laik turk. Që nga ky moment një Kurdistan autonom u ndalua. Në vitin 1946 Turqia vendos të ndjekë një rrugë demokratike dhe presioni ndaj kurdëve u zbut dhe ata fituan një sërë të drejtash dhe për herë të parë filloi të ndërtoheshin shkollat dhe spitale për kurdët dhe u lejua kthimi i pronarëve të larguar jashtë.
Më 1960 hunta ushtarake që mori pushtetin me grusht-shteti, ktheu një represion të egër ndaj kurdëve. Kushtetuta e vitit 1961 mbylli çdo lloj mundësie për kurdët. Kjo u bë shkak për nisjen e lëvizjeve të rezistencës së organizuar. Rezistenca u zhvillua në dy drejtimi. Partia Demokratike Kurde që kërkonte autonomi dhe ajo socialiste më ekstremiste që kërkonte pavarësi. Në vitet 70 krijohet PKK, Partia e Punëtoreve Kurde, në drejtimin e Oçalanit, i cili insistonte krijimin e një diktature të proletariatit në Kurdistan dhe njohjen e gjuhës kurde. Kushtetuta e re e vitit 1982 ndaloi përdorimin e gjuhës kurde dhe çdo identitet kurd dhe që nga ky moment kjo organizate nisi një lëvizje të armatosur kundër shtetit turk. Turqia, ShBA dhe Perëndimi e ka shpallur PKK një organizate terroriste, për shkak të shumë atentateve te kryera ndaj ushtrisë dhe shtetit turk dhe liderin e saj në vitin 1999 e burgosi. Në përgjithësi situata vazhdon me ulje ngritje, por marrëdhëniet midis kurdëve dhe Turqisë janë shumë të tensionuara aktualisht edhe për shkak të situatës rajonale dhe forcimit te faktorit kurd.
Sidomos frika se në Irak dhe Siri mund të krijohen entiteti shtetërore kurde, është shumë e madhe. Bile si në Siri dhe në Irak Turqia ka ndërhyre edhe ushtarakisht. Ajo që shqetëson më shumë Turqinë, është fakti se SHBA i ka konsideruar kurdët aleatët e tyre në Lindjen e Mesme dhe po i armatos me armë moderne dhe për këtë arsye marrëdhëniet amerikano-turke janë në nivelin e tyre më të ulët.
KURDISTANI IRANIAN
Kurdistani iranian shtrihet në pjesën veriperëndimore të Iranit. Ka një sipërfaqe prej rreth 125 000 km katrorë dhe një popullsi prej 6 milionë banorë. Irani është shteti që i ka shtypur egërsisht kurdët iraniane që nga koha e shahut në 1945-46, kur ata u mbështetet nga rusët dhe krijuan një të ashtuquajtur Republikë Popullore. Qe nga viti 1972 ata zhvillojnë një lëvizje për autonomi ( jo pavarësi), ku deri tani janë vrarë 17 000 kurdë. Mbas fitores së Komeinit në 1979 dhe kur Sadami sulmoi Iranin në 1980, kurdët iranian iu bashkuan Sadamit, duke përfituar nga situata. Mbas fitores Irani nuk ja fali kurrë dhe ka kryer një nga rapresaljet me të egra. Vetë Komeini deklaronte publikisht se të vrasësh një kurd nuk është mëkat. Irani mban në zonë aktualisht rreth 150 000 trupa të zgjedhura dhe shtyp çdo lloj rezistence, megjithëse luftërat në rajon kanë favorizuar faktorin kurd. Kurdët iranian ndodhen në situatën më të vështirë nga të gjithë dhe praktikisht nuk ka lëvizje të armatosur në zhvillim.
KURDISTANI IRAKIAN
Kurdistani irakian shtihet ne veri të Irakut, ka një sipërfaqe prej rreth 65 000 km katrorë dhe rreth 3 milionë banorë. Rezistenca e tyre kundër Sadamit fillon që në vitin 1960 në drejtimin e PKD, Partisë Demokratike. Kurdët irakienë nuk ju bashkuan Sadamit kundër Iranit, bile u munduan ta shfrytëzonin situatën e luftës në favor të tyre. Sadami nuk ia fali, por arriti deri aty sa të përdorte edhe armët kimike ndaj tyre, duke vrarë mbi 100 000 vete dhe mijëra u arratisën në Turqi. Mbas Luftës së Gjirit në vitin 1990, amerikanët imponuan Non Fly Zone mbi Kurdistanin irakien dhe mbas ndërhyrjes amerikane në vitin 2003 dhe eliminimin e Sadamit, kurdët kanë gëzuar një autonomi të plotë, duke shfrytëzuar vetë edhe rezervat e naftës. Lufta kundër ISIS i ktheu ata në aleatë të çmuar për SHBA ku peshmergët kanë treguar vlera luftarake të spikatura. Mbajnë marrëdhënie shumë të mira me Turqinë, ku shesin naftën dhe janë aleatë shumë të ngushtë të Izraelit. Nuk janë në marrëdhënia të mira me Qeverinë e Bagdadit të dominuar nga shiitët dhe aktualisht të dy palët janë angazhuar në luftë të përbashkët kundër ISIS, por shumë shpejtë konflikti me Bagdadin nuk përjashtohet të jetë edhe i armatosur mbas eliminimit të ISIS. E para, Bagdadi dhe këtu ka edhe ndihmën e Turqisë dhe Iranit, nuk do ta lejojë pavarësinë dhe e dyta, është problemi i vendburimit te naftës gjigant të Kirkut që Bagdadi padyshim që do të përdorë edhe armët për të mos ua lënë kurdëve. Sidoqoftë kurdët irakienë ndodhen në pozicionin më të favorshëm nga të gjithë kurdët pasi zotërojnë edhe pasuri të mëdha natyrore dhe janë shumë të armatosur.
KURDISTANI SIRIAN
Kurdistani sirian shtrihet në pjesën veriore të Sirisë në rreth 12 000 km katrorë dhe ka 2 milionë banorë. Nuk kanë qenë te organizuar në luftë kundër regjimit sirian, për shkak se pavarësisht se Siria nuk ju njeh autonominë dhe gjuhën e tyre, nuk ka pasur një represion të ngjashëm me atë në Turqi, Iran apo Irak.
Lufta kundër ISIS që synonte t’i shfaroste kurdët sirianë, ju dha mundësi të organizohen dhe t’i kundërpërgjigjen duke mbrojtur territoret e tyre dhe tashmë janë në ofensive të plotë. Objektivi i tyre është krijimi i Rojaves, shtetit kurd sirian. Duke përfituar nga vështirsitë e Damaskut po synojnë bashkimin e gjithë territoreve kurde, duke synuar të dalin deri në Mesdhe. Por, ky qëllim i tyre acaroi Turqinë, duke ndërhyrë ushtarakisht dhe duke i bllokuar për momentin. Sidoqoftë, kanë arritur një objektiv të madh strategjik se janë konsideruar si aleati më i çmuar i amerikanëve, të cilët të zhgënjyer nga rebelët sunit, kanë filluar një program armatimi për të mundur ISIS në Siri. Gjithashtu janë edhe në marrëdhënie të mira me rusët, pasi kanë luftuar së bashku për mbrojtjen e Halepit. Sidoqoftë, kurdët sirianë janë në pozicion të favorshëm strategjik, pasi koha në rajon punon për ta.
KURDISTANI ARMEN
Në Armeni jeton një komunitete i vogël prej rreth 50 000 kurdë. Nuk janë objekt i një represioni të dukshëm, megjithëse Armenia është i vetmi shtet i krishterë në rajon. Por, nuk shikohen me sy të mirë nga armenët, pasi i akuzojnë se kanë marrë pjesë në gjenocidin turk ndaj armenëve në vitin 1915, që është një temë shumë e ndjeshme kombëtare në Armeni.
Si konkluzion mund të thuhet se problemi kurd është një problem shumë i komplikuar. Fakti që ndodhen në 5 shtete, është një handikap i madh për ta, pasi siç shihet, problemet dhe situata e tyre është shumë e ndryshme. Aktualisht rajoni është në një evoluim pozitiv për ta. Fakti që SHBA po i përzgjedh si një aleat strategjik të rëndësishëm, bile deri aty sa t’i kundërvihet edhe Turqisë, tregon se për herë të parë në histori kanë përkrahjen e shtetit më të fuqishëm të botës.
Por, ëndrra e tyre që të kenë një shtet të tyre të unifikuar Kurdistan, është shumë e vështirë të realizohet. Ato tavolina të Fuqive të Mëdha, që i lanë pa shtet në fillim të shekullit të kaluar janë akoma në punë dhe kombinacionet që dalin nga gërshetimi i interesave strategjikë globale me ato rajonal, nuk është e thënë që t’ua bëjnë atyre ëndrrën realitet.
Sidoqoftë, ata ndodhen në një situate politike-ushtarake rajonale më të favorshme në 100 vitet e fundit dhe sido që të shkojë këtë radhë, kurdët shpresojnë shumë që do të hedhin një hap përpara drejt realizimit të ëndrrës së tyre. Megjithatë, koha ka treguar se vendimet e atyre tavolinave kanë shuar shumë ëndrra dhe nuk është e sigurt në e edhe këtë radhë ata nuk do të përfundojnë në lojën e tre letrave.