Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti ka deklaruar se me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian nganjëherë mund të kenë ndonjë dallim në qasje apo ndonjë dallim në elemente taktike të operacioneve që zhvillohen por për sa i përket vlerave, qëllimeve, interesave, bindjeve, vizioneve, nuk kanë asnjë dallim.
Kurti ka deklaruar se në trazirat e dhunshme në tri komunat në veri të vendit, janë tri kategori të qytetarëve, siç është mbrojtja civile e ku hyjnë edhe policët nga Serbia, elementët e xhandarmerisë të Rusisë, që janë adhurues të Rusisë e kështu me radhë.
Sipas tij, në kategorinë tjetër janë punëtorët e administratës publike që e kanë të detyruar të dalin në të ashtuquajturat protesta sepse përndryshe humbin vendin e punës dhe kategoria e punëtorëve në kompanitë private të disa prej kontrabandistëve, kriminelëve kryesorë si Milan Radojçiq dhe Zvonko Veselinoviç, të cilët detyrohen të shkojnë në sheshin para komunës e të jenë të dhunshëm, ndërkaq te vend i tyre i punës në kompani private të këtyre kriminelëve multimilionerë iu shkruan se kanë marrë ditë pushimi.