Qefser ABDYLI
Shkup, 23 shkurt – Në bazë të Ligjit për sigurim pensional, burrat kanë të drejtë të dalin në pension kur të mbushin 64 vjet, ndërsa gratë 62 vjet, shkruan gazeta KOHA. Deri sa t’i mbushin këto vite ata duhet të shkojnë në punë. Por në qoftë se nuk dëshirojnë në këtë moshë askush nuk mund t’i detyrojë me forcë të dalin në pension. Në bazë të Ligjit për punë, punëdhënësi përfundon kontratën e punës kur punonjësi mbush 64 vjet ose 15 vjet përvojë pune. Madje edhe atëherë, punonjësi mund të zgjedh se a do të qëndrojë dhe vazhdojë të punojë i punësuari. Punëdhënësi nuk duhet ta detyrojë të dalë në pension të punësuarin. “Një punonjës në një deklaratë me shkrim deri te punëdhënësi mund të kërkojë që ta zgjatë kontratën e punësimit deri në 67 vjeç, si për burra ashtu edhe për gra. Punëtori deklaratë me shkrim jep jo më vonë se deri më 31 gusht të këtij viti për të zgjatur kontratën e punës për vitin e ardhshëm. Punëdhënësi është i detyruar të pranojë kërkesën e punëmarrësit dhe të vazhdojë kontratën e punësimit deri në 67 vjeç”, thonë nga Ministria e Punës dhe Politikës Sociale. Nga Ministria gjithashtu shpjegojnë se kur bëhen ndryshime në moshën e pensionit, asnjëherë nuk është rritur në mënyrë të menjëhershme kufiri i moshës për pension, por kjo është bërë gradualisht. “Për shembull, çdo vit rritet mosha për pension në tre ose katër muaj. Le të themi se në qoftë se tani zbatohet në 62 vjet për grua, në vitin 2019 do të jetë 62 vjet e katër muaj dhe në vitin 2020, 62 vjet e tetë muaj. Në Kroaci, për shembull, rritja është nga tre muaj. Mosha për gratë atje është 61 dhe për burrat 65 vjeç. Deri në vitin 2030, kufiri i moshës për gratë do të rritet gradualisht nga 3 muaj në vit. Nga viti 2031 deri në vitin 2038, do të ketë barazime në kushte për burra dhe gra, respektivisht deri në moshën 67 vjet”, shpjegojnë për KOHA nga Ministria e Punës dhe Politikës Sociale. Ndryshe, në Greqinë fqinje, pensioni është me dy kushte: 67 vjeç me 15 vjet përvojë pune, apo në moshën 62 vjet me 40 vite përvojë pune. Të njëjtat kushte vlejnë për të dy gjinitë, gratë dhe burrat. Të punësuarit në Gjermani dhe Islandë dalin në pension në moshën 67 vjeçare. Në Itali, në vitin 2021, mosha e daljes në pension do të jetë 67 vjeç dhe do të rritet në 69 vjet e 9 muaj në vitin 2050. Tani atje gratë dalin në pension në moshën 63 vjeç e nëntë muaj, kurse burrat në 66 vjet e tre muaj. Edhe pse përvoja e punës nuk është marrë si kusht për të dalë në pension, ajo ende ndikon në shumën e pensionit që do të marrin pensionistët e ardhshëm. Gratë që punojnë më shumë se 35 vjeç, apo burrat mbi 40 vjeç, do të marrin pensione më të larta, sepse nuk ka më kufizim nga baza e pensionit. Ndryshimet në Ligjin e Fondit për sigurim pensional dhe invalidor nga janari i vitit 2013, thonë që baza e pensioneve nuk është e kufizuar në një maksimum prej 80%, sa ishte më parë. Tani, për çdo vit të përjashtuar plus, pensioni do të rritet me 1.61%. Kështu, përderisa gruaja i mbush 62 vjet, do të fitojë të drejtën e pensionit kur ka përvojë pune 37 vjet, ndërsa baza e pensionit do të jetë 83,2%, e jo si përpara me një maksimum prej 80%. Ndryshe, në Maqedoni sa vjen e rritet numri i pensionistëve në Maqedoni, kurse vet fondi në bazë të kontributeve nuk mund të mbulojë pensionet. Për këtë për çdo vjet Qeveria për çdo vjet intervenon përmes buxhetit në mbulimin e këtij hendeku.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.