Ç’ka dashur të thotë autori (Rama), se serbët gjenetikisht janë kushërinj, apo se mund të krijojnë afërsi kushërinjsh për t’i tejkaluar armiqësitë e vjetra?
Nga Daut DAUTI
Politika, historia, gjenetika, simbolika…çka tjetër mund të ndërlidhen në një deklaratë ekzaltuese të Edi Ramës se shqiptarët dhe serbët janë kushërinj? Për argumentin gjenetik, përgjigjen e dha Milazim Krasniqi, se shqiptarët si popull autokton, me origjinë të dëshmuar prej ilirëve, s’mund të kenë gjë të përbashkët me një popull që ka ardhur si pagan pas shekullit VIII. Pra, përjashtohet çdo mundësi gjenetike e kushërillëkut serbo-shqiptar.
Ndoshta Rama ka qenë i rrëmbyer nga debatet që janë hapur në Shqipëri nga Mustafa Nano, Olsi Jazexhi e të tjerë, për “nënën sllave” të Skënderbeut, duke marrë si argument edhe emrin e saj, që serbët e konsiderojnë si Vojisllava e jo Vojsava dhe të emrave të vëllezërve të Skënderbeut, Stanisha dhe Reposhi, si emra sllavë. Do të ishte përzierje ose permutacion gjenetik të përziesh kushërillëkun me krushqinë eventuale. Ka pasur dhe ka, prej se është kurdisur krushqi midis njerëzve, por ka tjetër dimensionqëllimi që t’i përafrojmë në këtë pikëserbët e shqiptarët në linjën gjenetike.
Kur jemi te ky shkas që na dha Rama, le të bëjmë një “shtegtim” të vogël gjenetiko-historik në kushëririnë ballkanike.
Psh. serbët e kroatët, dy popuj të armiqësuar mes vete në kohën më të re, vërtetë mund të konsiderohen “kushërinj të parë”. Njësoj edhe boshnjakët, malazezët dhe maqedonasit, si popuj sllavofonë, ku të gjitha teoritë, si historike, si gjenetike, dëshmojnë afërsinë e tyre për shkak të “origjinës së përbashkët”. Interesant, por bie fjala, edhe bullgarët janë popull sllavofonë, por që rrënjët gjenetike kanë një tjetër histori. Ata nuk mendojnë se kanë gjë të përbashkët me serbët, kroatët, boshnjakët e malazezët, ama janë të bindur, dhe këtë bindje bindshëm e shprehim në mënyrë hegjemonike, se maqedonasit janë jo vetëm kushërinj të parë, por anëtarë të njëjtit baba e të të njëjtës nënë. Por maqedonasit, në shekullin e fundit, më kushërinj i mbanin popujt sllavë të jugut, me të cilët pas ikjes së Perandorisë Osmane, jetuan në mbretërinë e Jugosllavisë dhe më vonë nën regjim komunist, kur dhe u bënë edhe entitet shtetëror, edhe u legjitimuan si popull i veçantë.
Por gjenetika dhe politika nuk përfundon këtu. Gjenetika bie në shkencë dhe shkencat shpesh kanë të dhëna ekzakte. Por, politika di dhe shkencën ta “orientojë”, siç bëri Gruevski në dhjetë vjetët e qeverisjes së tillë. Së pari, gjeti ca historianë që gjithë ç’ishte shkruar në librat e historisë që kemi mësuar nëpër shkolla, përnjëherë t’i jepnin drejtim tjetër. Jo më prejardhje nga pas Karpateve, por autoktonë! E përdorën faktin e etnonimit “maqedonas”, që në shekujt e kaluar të ketë nënkuptuar përkatësi gjeografike, që origjinën ta kërkojnë te maqedonasit e vjetër të Filipit të Dytë dhe Lekës së Madh. Kulmi i kësaj “gjenetike identitare” të re ishte kur nga Pakistani e sollën “kushëririn” e Lekës, mbretin e hunzëve (që pretendojnë se kanë mbetur nga ushtria e Lekës) për të dëshmuar racën e njëjtë. Ai gjeti këtu “kushërinjtë”, këtu apologjetët e antikës, gjetën një “ekzemplar” që “dëshmonte” origjinën e përbashkët. Fakti që Mbreti kishte një ten tjetër lëkure, nuk ishte për t’u diskutuar. Ku të dish, në malet e Pakistanit, banorët janë më afër diellit e ua rreshkë lëkurën!…Pastaj Mbretin mysliman pritën priftërinjtë e KOM-it, kurse shteti u përkujdes që t’i japë Mbretit parcelë ndërtimi në Bogdanci për rezidencën mbretërore(vërtetë, çka u bë me këtë?!)! Këtu politika kishte një qëllim: duke i sugjeruar shkencës të gjejë argumente shkencore për afërsinë me maqedonasit antikë, të rrënojë çdo pretendim të bullgarëve ndaj origjinës “së përbashkët” me maqedonasit, me të cilët ndajnë një gjuhë të ngjashme. Këtë afërsi të gjuhës e kanë plasuar në kontinuitet edhe qarqet politike dhe ato akademike bullgare. Ajo që sot ndodh në relacionin bullgaro-maqedonas(me veprimtarë të përbashkët të lëvizjes kombëtare…), është edhe një kthesë tjetër, e cila nuk dihet si do të përfundojë(për një gjë jam i sigurt, hegjemonia e më të madhit edhe këtu po vjen në shprehje).
Tema e gjenetikës, politikës dhe historisë, megjithatë, nuk përfundon kaq lehtë. Sepse, armiqësitë politike që i kanë nxitur ndasitë e reja dhe kontradiktat socio-kulturore, kanë bërë që popujt e armiqësuar me serbët, siç janë boshnjakët dhe kroatët, njësoj si maqedonasit, të kërkojnë një origjinë tjetër, nga ilirët! Fakt që në Bosnjë e Kroaci janë shtrirë fiset ilire, por pak e besueshme që dy popuj sllavofonë, të kenë prejardhje nga ilirët autoktonë. Mirëpo, qarqe të caktuara akademike e politike, jo tash, por edhe nga më herët, i kanë kërkuar këto gjurmë. Dhe besojnë në këtë. Psh. boshnjakët që s’duan të kenë asgjë të përbashkët me serbët, tezën e tyre se janë popull tjetër, e bazojnë në faktin se ata janë bërë myslimanë, duke qenë më herët bogumilë, një drejtim fetar më afër myslimanizmit…Është e njohur edhe një lëvizje politike e shekullit 19-të, me në krye Ludevig Gajin, për rilindjen e vetëdijes dhe krijimin e kombit kroat, në idenë e origjinës ilire. Është interesant se në këtë lëvizje gjetën strehë edhe sllovenët, madje dhe serbët, por që kishte një shtrirje më të gjerë gjer te disa popuj sllavë më në veri, madje nxitur nga rilindësi sllovak, JanKollar, lëvizja e të cilit mëtonte të tregonte se sllavët janë popuj autoktonë dhe se janë një popull me tri të folme, ruse, çeke, polake dhe ilire. Pastaj kjo lëvizje u shndërrua në lëvizje të sllavëve të jugut, që deri diku ishte faktor kyç në bashkimin e tyre të mëvonshëm në një shtet.
Në Ballkan, pastaj, gjërat janë sa me pretendime, sa me dëshira, e kushedi sa me fakte historike. Lekën e Madh dhe gjithë trashëgiminë maqedonase antike e pretendon më shumë se të gjithë Greqia, ndonëse shumë autorë tregojnë afërsinë e maqedonasve me ilirët. Kur Maqedoninë antike e përvetësuan grekët dhe më vonë edhe maqedonasit, qarqet intelektuale e politike shqiptare nuk bënin shumë zë. (Vetëm kur deshën të na largojnë edhe nga ilirët, për të në bërë popull pa origjinë, bëmë çmos që ta devalvojmë Enciklopedinë e Akademisë Maqedonase të Shkencës dhe Arteve…)
Kur një politikan flet për gjenetikë, në të vërtetë, ai s’ka lidhje me të. Ai dërgon mesazhe politike. Ndaj dhe përgjigjet ndaj tij mund të jenë vetëm politike, siç bëri Berisha.
Nëse nga këndvështrimet objektive japim interpretim, mund të themi se relacionet midis shqiptarëve dhe serbëve, gjithsesi mund të quhet një lloj kojshillëku… Ashtu siç mund të kesh raporte me një kojshi. Mund të ndodhë të jetë i mirë dhe të kesh hyrje-dalje, e mundet vetëm të përshëndetesh te pragu i dyerve. Serbët dhe shqiptarët kanë qenë shpesh në të njëjtën anë të historisë(në kohën e Skënderbeut ka pasur pjesëmarrje të popujve tjerë Ballkanikë në ushtrinë e tij, pra dhe serbë), ka pasur dhe krushqi princërish e bujarësh. Në Perandorinë Osmane ke pasur vezirë shqiptarë, por dhe serbë(boshnjakë), ndërkaq në lëvizjet antiosmane, ka pasur dhe bashkëpunim, i cili në fund nga serbët ka qenë jo i sinqertë, sepse, duke krijuar entitetin e tyre shtetëror të parët, kanë shfrytëzuar situatat që kanë çuar deri në gjenocid ndaj shqiptarëve. Këtu as kojshillëku, as kushërillëku s’ka bërë pare, për interesat e veta hegjemoniste, ushtritë serbe kanë shkelur mbi kufoma.
Tash Rama dëshiron të kthejë serbët dhe shqiptarët në kohën e Skënderbeut apo të aleancës ballkanike të Betejës së Kosovës? Për të dëshmuar, apo për të dhënë një argument më tepër se midis tyre nuk ka pasur vetëm armiqësi. Ndoshta dëshiron të thotë se shqiptarët dhe serbët nuk janë larg njëri tjetrit dhe mund të bashkëpunojnë, krejt duke u nisur nga momentumi politik i bisedimeve Prishtinë-Beograd. Për t’i kapërcyer kujtimet e hidhura të një shekulli e gjysmë të fundit.
Shikuar nga këndi politik e jo gjenetik, një metaforë e Ramës që mund të ndihmojë në pajtimin e serbëve, nuk është keq, nëse nuk është edhe një lajthitje e radhës.
(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)