Vjollca SADIKU
Dibër, 26 dhjetor – Nga viti në vit rritet numri i familjeve të cilët ballafaqohen me probleme sociale, shkruan gazeta KOHA. Varfëria është prezent në shumë familje,sepse problemi i papunësisë vazhdon të jetë problemi më akut në Komunën e Dibrës. Shumë të rinj të cilët shkollohen dhe për të cilët familjet kanë harxhuar shumë para për të studiuar, me vite janë pa punë dhe nuk janë në gjendje të fitojnë as paratë që i kanë dhënë për studimet. Si në qytet, ashtu edhe në fshatra ka një rritje të numrit të familjeve sociale. Mes atyre familjeve, të cilët marrin ndihma sociale, ndërkaq bëhet fjalë për afro 700 familje me diçka më shumë se katër mijë anëtarë, ka familje të cilët janë në një situatë kritike sociale. Varfëria ekstreme te këto familje është e madhe dhe për të mbijetuar ata shfrytëzojnë Kuzhinën Popullore që funksionon në kuadër të Qendrës për punës sociale në Dibër.
Sipas të dhënave të Qendrës për punës sociale në Dibër, aktualisht në Kuzhinën Popullore ndahet ushqim i ngrohët për 120 familje, nga të cilët 100 në Dibër dhe 20 në komunën Qendër Zhupë. Drejtori i Qendrës në fjalë, Kreshnik Paçuku, thotë se ka kërkesa të reja për t’u rritur numri i familjeve që do të merrnin ushqim nga Kuzhina Popullore. Për çdo ditë gjatë drekës në Kuzhinë Popullore mund të shihen dibranë të varfër, të cilët me enë të ndryshme marrin vaktin që u takon. Një familjar, i cili për shkaqe të njohura nuk ka dëshirë që t’i publikohet emri, thotë se tre vitet e fundit ushqen familjen katër-anëtarëshe me ushqimin që merr nga Kuzhina Popullore. Por, sipas tij, Kuzhina “vret” urinë, por jo edhe varfërinë. Ai shton se sado pak ushqimi që i jepet në këtë Kuzhinë, ndihmon në tejkalimin e urisë. Ai thotë se familja e tij jeton me një ndihmë sociale prej 2 mijë denarë dhe i mungon shumëçka për të jetuar një jetë përafërsisht normale. Jemi teje të varfër, shton ai, dhe jetojmë në një shtëpi e cila është në rrënim e sipër. Ne duam pune e jo lëmoshë, na thotë bashkëbiseduesi, i cili potencon se nga dita në ditë, për shkak të shqetësimeve sociale, ka filluar të merr edhe medikamente për qetësimi psikik.
Por,rasti i bashkëbiseduesit tonë është vetëm një rast që prezanton situatën e shumë familjarëve, të cilët shumë herë kanë probleme me sigurimin e kafshatës së gojës të fëmijëve të tyre. Familjet të cilët kanë bërë kërkesa për të marrë ushqim nga kuzhina në fjalë janë në pritje. Këtë e konfirmon edhe drejtori i Qendrës për punë sociale, Kreshnik Paçuku, i cili shton se kërkesat janë dërguar në Ministri dhe pritet përgjigje. Familjet të cilët kanë nevojë për ushqim ditor, sqarojnë se mbijetojnë falë ndihmave që marrin nga disa shoqata qytetare si dhe nga ndihmat që vijnë në kontinuitet nga mërgimtarët dibranë që jetojnë në Amerikë, por edhe në disa shtete të Evropës . Jo zyrtarisht flitet se mbi 200 familje të varfra dibrane marrin ndihmë që u vijnë nga diaspora dibrane, por pa e ditur se kush i lëshon ato ndihma. Humanizmi dibran ka një prezencë të madhe në rrethin e mërgimtarëve dibranë, sidomos në SHBA. Në pritje të rritjes së numrit të familjeve të cilët do të ushqehen në Kuzhinën Popullore, familjet e varfra kanë përkrahje edhe nga të afërmit e tyre, por edhe nga fqinjët. Punëtorët social thonë se humanizmi dibran, i cili është i njohur jo vetëm në nivel lokal, por edhe më gjerë, ndikon dukshëm në uljen e tensioneve sociale në komunë. Tani në prag të vitit të ri kanë ardhur dërgesa të konsideruara nga mërgimtarët . Flitet për disa mijë dollarë, të cilët nëpërmjet shoqatave u ndahen familjeve skamnore . Po ashtu disa mërgimtarë në prag të vitit të rri kanë siguruar qeset – paqetat e vitit te ri për të gjithë nxënësit e shkollave fillore në Dibër. Në drejtoritë e shkollave thonë se vite me radhë mërgimtarët kanë siguruan qeset e vitit të ri për të gjithë nxënësit. Pa dërgesat e mërgimtarëve problemet sociale në Dibër do të ishin në një nivel katastrofal. Pos mundësisë së ushqimit, është për t’u përmendur edhe problemi i strehimit, me që familjet që shfrytëzojnë ushqim në Kuzhinën Popullore, ballafaqohen edhe me problemin e strehimit. Ata nuk kanë strehim të sigurt dhe familje pa kulm në kokë, janë vendosur në shtëpi të braktisura dhe jetojnë në kushte mizore.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.