Kryetari i Lëvizjes për Shqipëri të Bashkuar, Tahir Veliu, ka postuar fotografi me flamurin e grisur grek, që kjo lëvizje e hoqi nga kalaja e Himarës. “Kjo është lecka e hequr nga Kalaja e vjetër e Himarës. Kjo leckë tashmë pjesërisht e djegur dhe e grisur është hequr pa u mbushur 24 orë. Aktivistët e Lëvizjes për Shqipëri të Bashkuar nga gjitha trojet rrugëtuan në Himarë dhe e hoqën. Në trojet tona ne jemi Zot dhe nuk lejojmë leckat e pushtuesve dhe ish-pushtuesve që kanë kryer gjenocid ndaj kombit tonë dhe kanë përdorur trojet tona si plaçkë lufte për të ngopur apetitet e tyre shoviniste”, ka shkruar ai në profilin e tij në Facebook. Koha Ditore ka raportuar sot se LSHB-ja ka hequr flamurin grek në kalanë e Himarës, duke shënuar kështu një reaksion zinxhir mes qarqeve ekstremiste greke, që të inkurajuara nga gjuha e ashpër janë hedhur në veprim, nga njëra anë, dhe zyrtarëve të Qeverisë shqiptare, por edhe partive e shoqatave të ndryshme politike në këtë vend. Njëra prej tyre, pikërisht Lëvizja për Shqipëri të Bashkuar, ashtu siç kishte paralajmëruar, në orët e hershme të mëngjesit të së dielës hoqi flamurin grek në hyrje të Kalasë së vjetër të Himarës, që ishte vendosur mëngjesin e së shtunës. “Së bashku me shumë anëtarë të Lëvizjes për Shqipëri të Bashkuar, nga gjitha trojet shqiptare kemi rrugëtuar për në Himarë që ta heqim flamurin shovinist grek nga Kalaja e vjetër e Himarës. Himara është Shqipëri dhe flamuri grek nuk ka pse të shfaqet në trojet tona, kur ta kemi parasysh gjenocidin grek ndaj shqiptarëve autoktonë në Çamëri. Greqia nuk është vetëm shtet fqinj, por është pushtues i 15.674 km2 territor shqiptar”. Ka deklaruar Tahir Veliu, kryetar i Lëvizjes për Shqipëri të Bashkuar. Lëvizja për Shqipëri të Bashkuar është lëvizje e themeluar më 16 korrik të vitit 2016, që synon bashkimin fizik të të gjitha trojeve shqiptare në një shtet të vetëm kombëtar shqiptar, me kufijtë e saj natyrorë dhe legjitimë sipas aktit juridik të 28 nëntorit 1912. Më 13 gusht të këtij viti, kryetari i saj, Veliu, është shpallur person “non grata” nga Greqia.