Urim HASIPI
Tetovë, 21 nëntor – Kërkesa kryesore e Zonës së Lirë Ekonomike në Tetovë është që shteti të mundësojë kyçje në autostradë. Ky është edhe obligim i Qeverisë pasi që parashihet edhe në kontratën e nënshkruar për partneritet publik privat mes qeverisë dhe Kompanisë Normak, raporton gazeta KOHA. Kërkesa të hënën i është drejtuar kandidatëve për deputet të Bashkimit Demokratik për Integrim, të cilët fushatën zgjedhore e filluan nga Zona e Lirë Ekonomike. “Sigurisht se shprehëm kërkesat tona që kanë të bëjnë në radhë të parë me përmbushjen e kontratave nga ana e përgjegjësive në bazë të kontratës për partneritet publiko privat edhe nga ana e shtetit, respektivisht partnerit publik në këtë rast. Kërkesa kryesore është që të bëhet kyçja në autostradë dhe, siç dihet, ne kemi përmbushur të gjitha detyrimet e nevojshme që kjo zonë të jetë funksionale. Tashmë ka kompani që tashmë operon në kuadër të zonës, ka mbi 500 punëtorë të cilët janë të angazhuar në kuadër të vetëm një kompanie në këtë fazë të parë, sigurisht se duhet që të krijohen kushte adekuate që të bëhet lëvizje më e lehtë, më e mirë për punëtorët, njëkohësisht për importin e lëndës së parë, për nevojat e kompanisë, njëkohësisht edhe për eksportin e prodhimeve finale. Sigurisht se përmbushja e këtyre detyrimeve, respektivisht kyçja në autostradë, paraqet një ndër kërkesat kryesore që shteti do të duhet ta përmbushë shpejt”, tha Arben Halili,drejtor i Zonës industrial në Tetovë. Në ndërkohë, këto kërkesa janë marrë seriozisht nga ana e kandidatëve për deputet të Bashkimit Demokratik për Integrim, të cilët premtuan se kërkesa e tyre do të realizohet. “Në programin zgjedhorë të Bashkimit Demokratik për Integrim, një nga pesë shtyllat programore është përcaktimi i BDI-së për barazi ekonomike, pa përjashtuar edhe angazhimin e saj në rrafshin e të drejtave dhe barazisë politike në republikën e Maqedonisë. Jo rastësisht sot nga Zona Ekonomike këtu në Tetovë fillojmë me fushatën për faktin që përcaktimi ynë është që qytetarëve e Maqedonisë, në veçanti qytetarëve shqiptarë t’u mundësohet sa më afër të kenë vende të reja të punës ku do të mund të realizojnë barazinë e tyre ekonomike në rrafshin e të drejtës për punë. Ne në kontinuitet kemi përcjellë edhe në mandatin paraprak punën për ndërtimin e zonës ekonomike këtu, Kërçovë, Strugë, Likovë e gjetiu, në veçanti për obligimet që ka partneri privat se kjo zonë dallon nga zonat tjera se organizimi i saj është mbi bazën e partneritetit publiko privat dhe angazhimi dhe plotësimi i obligimeve të këtij partneriteti, gjegjësisht të Qeverisë apo Drejtorisë për zonat ekonomike, ka ngecur në ndërtimin e nyjes ndërlidhëse të zonës me autostradë dhe në pjesën e përfundimit të prurjes së rrymës elektrike të mjaftueshme që mund të funksionon zona e lirë ekonomike, ashtu siç parashihet në projektin e saj dhe ne për këtë arsye jemi këtu që të sigurojmë menaxhmentin e Zonës, që në mandatin e ardhshëm ne që do të fitojmë mandatin si deputet të Bashkimit Demokratik për Integrim do të zotohemi se ato obligime që i ka partneri, gjegjësisht qeveria apo shteti, që i ka ndaj zonës do të realizohen dhe do të përfundohen deri në fund që të mundet zona të vihet në funksion ashtu siç është e paraparë me projekt dhe marrëveshje”, tha Talat Xhaferi, kandidat për deputet Në njësinë e gjashtë zgjedhore nga radhët e BDI-së.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.