Replika e kthyer në sharje e ofendim, që është nus-produkt i një diskutimi të pamatur paraprak, s’është asgjë tjetër pos kompensim më i kollajshëm i mosgatishmëritë për t’u marrë me tema esenciale dhe jetike që prodhon realiteti i vrazhdë
Nga Emin AZEMI
Gjuha e politikanëve (shumicës prej tyre) nuk dallon shumë nga ajo e rrugës. Nëpër studio televizive, në foltore të Parlamentit dhe në panele të ndryshme, politikanët e tregojnë vet se sa të pakulturuar janë. Ka mjaftuar një debat në KTV, por edhe një seancë plenare të Parlamentit të Kosovës, ditën e mërkurë, për tu bindur se politikanët, dinë gjithçka tjetër, vetëm të debatojnë për tema konkrete nuk dinë. Ata dinë të shahen me një listë të gjatë arsenalesh banale, të ofendohen dhe madje edhe të kacafyten, por jo edhe të jenë zëdhënës të halleve të atyre që i kanë votuar.
Kultura politike nuk mund të jetë e veçuar nga profili i formimit të një personaliteti. Ngjashëm si me një shofer, i cili sillet në trafik, ashtu siç është edhe në jetën e përditshme. Politikani-njeri dhe politikani-shofer nxjerr për në fund një simbiozë të çuditshme të një gjysmënjeriu, të cilit i ka munguar ajo sasia e aditivit evolutiv në jetë-formimin e tij dhe nuk është për t’u habitur që një ditë punimet e parlamenteve tona do të ndiqen të shoqëruar me një pullë të kuqe, si mekanizëm që mbron fëmijët dhe adoleshentët nga lëvozhga e pashkoqur e rrugaçërisë parapolitike.
Përgjegjësia ndaj publikut është zero. Debatuesit harrojnë se ata ndiqen nga një audiencë e gjerë dhe fjala e tyre ka peshë. Ata nuk kanë turp për atë që e thonë dhe nuk kanë keqardhje ndaj atyre që i dëgjojnë. Ata harrojnë se fjalët dhe sjelljet e tyre ndiqen nga familjarët e oponentëve, kurse dhuna verbale që ushtrojnë ndaj njëri tjetrit, është një traumë e papërshkruar për fëmijët që janë të detyruar të ndjekin në televizor prindërit e hutuar nga pasioni i tiranisë së fjalëve të rënda. Një fëmi që dëgjon për babain e tij lloj lloj kualifikimesh ofenduese, rritet bashkë me hijen e urrejtjes që e ndjek në çdo hap të jetës. Nesër do të kemi aq shumë hije urrejtjeje , sa që nuk do të mund të shikojmë njeri tjetrin, nuk do të mund të zgjidhim problemet që mund të quhen të përbashkëta.
Politikanët tanë (me pak përjashtime) po e instalojnë një shkollë të mbrapsht edukimi për brezat e rijë dhe është për të ardhur keq që ata vazhdojnë edhe më tej të presin mbështetje elektorale për rrugaçërinë e tyre të radhës në mandatet në vazhdim.
Dhuna verbale është bërë pjesë e formimit të njeriut-politikan. Në rastin konkret, ajo mund të evitohet vetëm atëherë kur shmangen nga skena politike bartësit e kësaj dhune verbale. Të kontrabandosh besimin e votuesve për të qenë një përhapës i zellshëm i banaliteteve dhe harbutërive në Parlament, në studio televizive e gjetiu, është abuzimi më i madh që mund të bëjë një politikan. Replika e kthyer në sharje e ofendim, që është nus-produkt i një diskutimi të pamatur paraprak, s’është asgjë tjetër pos kompensim më i kollajshëm i mosgatishmëritë për t’u marrë me tema esenciale dhe jetike që prodhon realiteti i vrazhdë.
Një politikë që ka në vetvete përfaqësues të tillë, e ka të garantuar dështimin dhe është “insulinë” e agonisë. Votuesit kot presin ndryshime nga ata që gatishmërinë për t’u grushtuar në mes veti e kanë më të madh se disponimin politik për të amenduar ndonjë draft ligj që ngrit cilësinë e jetës. (koha.mk)