Laura PAPRANIKU
Shkup, 26 janar – Me ndryshimet që viteve të fundit kanë pësuar tekste shkollore, jo që nuk është lehtësuar procesi i mësimit, por i njëjti është komplikuar edhe më shumë, shkruan gazeta KOHA. Në këtë plan nuk bën përjashtim as lënda e gjuhës dhe letërsisë shqipe, e cila përveç se është baza e formimit letrar të nxënësve është mjeti bazë për komunikimin edhe në lëndët e tjera. Pesha e saj, pra në programet mësimore është jo si të gjitha lëndët e tjera dhe nuk është rastësi që leximi është njëra prej pikave ku fokusohen hulumtime dhe testime të niveleve ndërkombëtare. Një prej tyre është edhe testimi ndërkombëtar PISA, që në dhjetor të vitit të kaluar na tregoi edhe një herë sesa të pamjaftueshme janë shkathtësitë e nxënësve nga Maqedonia në këtë sferë.
Mësimdhënësit e kësaj lënde, fajësojnë Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës (MASH) për mos impenjim të mjaftueshëm në reformimin e programeve mësimore nga lënda e gjuhës amtare. Me kalimin e arsimit fillor nga sistemi tetëvjeçar në nëntëvjeçar, sipas tyre MASH do të duhej ta kishte rregulluar edhe çështjen e mësimit të kësaj lënde. Por, për ironi, kalimi nga tetë në nëntë vjet arsim fillor, në vend se të ndihmojnë në lehtësimin e mësimit të nxënësve, e kanë vështirësuar edhe më tepër atë. Probleme me lëndën e gjuhës shqipe në arsimin nëntëvjeçar kanë jo vetëm nxënësit, por edhe arsimtarët e gjuhës.
Lulzime Shabani, arsimtare në shkollën “Petar P. Penko” në Shkup, thotë për gazetën KOHA se “librat e gjuhës janë me probleme nga më të ndryshmet, sidomos ato të klasave VI”. Këto libra, sqaron më tej ajo, nuk korrespondojnë fare me moshën e nxënësve dhe as me përgatitjen nga vite paraprake të shkollimit. Madje, ky libër, sipas saj, nuk korrespondon fare me nevojat e nxënësve për mësimin e gjuhës dhe letërsisë së tyre amtare. Këtë mendim ndan edhe një tjetër kolege e saj, Fitore Çerkezi nga SHF “Hasan Prishtina”. Ajo, gjithashtu deklaron se librat e gjuhës shqipe nuk janë konform shijeve dhe kërkesave të kohës dhe as konform mësimeve që janë realizuar viteve paraprake.
“Në gramatikë, për shembull shkohet drejt e te mësimi i kohëve të foljes, pa u mësuar paraprakisht se çfarë është folja (si pjesë e ligjëratës) dhe cili është funksioni i saj në fjali”, shpjegon Çerkezi. Prandaj, plotëson më tej ajo, “jemi të detyruar që të shfrytëzojmë materiale të tjera mësimore për të plotësuar boshllëqet nga libri me të cilin jemi të detyruar të punojmë”. Ajo, vëren gjithashtu se materialet janë të ngarkuara tepër dhe autorët e veprave nuk korrespondojmë aspak me moshën e nxënësve.
Në njësitë ku nxënësit duhet të mësojnë për shkrimtarët e letërsisë për fëmijë, nuk u jepet hapësirë Odise Grillors, Rifat Kukaj, Vehbi Kikajt, Ramadan Zenelit dhe shumë autorë të tjerë shqiptarë dhe botëror, të cilët kanë krijuar vepra të mirëfillta për fëmijë. Në këtë moshë të nxënësve, kur shumë mirë fabulat dhe figurat stilistike mund të ilustrohen me vepra nga letërsia për fëmijë, nuk ka nevojë të merren për shembull veprat e Molierit, vëren arsimtarja Shabani. Molieri, sigurisht që është tepër i rëndësishëm për formimin letrar të nxënësve, plotëson më tej ajo, mirëpo ky autor mësohet në klasë të VII dhe për këtë nuk ka nevojë që veprat e tij të mësohen edhe në klasën VI, ndërsa të anashkalohen të tjerët. Por, tragjiko-komikja, nuk përfundon këtu. Në pjesën kur nxënësit duhet të mësojnë për subjektin e veprës letrare, pra për fabulën, jepen shembuj nga romani “Lumi i Vdekur” të Jakov Xoxës, që gjithashtu është i rëndë për nxënësit e kësaj moshe. Xoxa, një ndër autorët më të rëndësishëm të prozës së gjatë në letërsisë shqipe, sipas mësimdhënësve të kësaj lënde, duhet të mësohet shumë më vonë në vit të parë gjimnaz ose në klasë të IX, por jo edhe në klasë të VI.
Librat e gjuhës shqipe, sipas arsimtarëve të lëndës sillen kryesisht rreth dy ekstremeve, atyre që konsiderohen vlera të larta artistike dhe jo vlerave, apo disa poezive dhe tregimeve që nuk ia vlen të lexohen. Për këtë, ata kërkojnë zëvendësimin urgjent të librit të gjuhës shqipe për klasat VI me një tekst libër tjetër dinjitoz. MASH,sipas tyre për librat nga gjuha dhe letërsia shqipe duhet t’ju referohet librave të njëjta që përdoren në shkollat e Kosovës dhe Shqipërisë. Me keqardhje ato konstatojnë se librat tanë shkollorë janë skandaloz, krahasuar me librin nga të cilët mësojnë nxënësit e Kosovës dhe Shqipërisë.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.