Evis HALILI
Shkup, 1 prill – Me pjesëmarrjen e rreth 80 botuesve nga vendi dhe rajoni, javën e ardhshme, nga 4 deri 10 prill do të çelet edicioni i 29-të i Panairit të Librit. Këtë vit stendat e librit shqip janë të reduktuara në maksimum, shkruan gazeta KOHA. Gjithsej pesë do të jenë, katër nga vendi, Logos-A, Albas, Nun-R, Furkan dhe një nga Shqipëria, Dituria, ndërsa nga Kosova nuk merr pjesë asnjë botues. Mungesa e interesimit, numri i vogël i vizitorëve dhe blerjeve, e bëjnë koston e pjesëmarrjes të papërballueshme për shtëpitë botuese, të cilat çdo vit prezantohen në numër gjithnjë e më të vogël. Sa i takon botuesve nga Shqipëria dhe Kosova, problemet që i kanë hasur çdo vit në procedurat doganore janë një arsye më shumë që të mos prezantohen. Por, mungesa e interesimit shihet edhe te vetë ato shtëpi botuese që marrin pjesë. Nga mbi 60 aktivitete të ndryshme, në Programin e panairit nuk figuron asnjë paralajmërim për promovime, manifestime apo për ndonjë ngjarje më të veçantë që do të mbahen nëpër stendat e librit shqip. Nga ana tjetër, programi i këtij edicioni është i mbushur me ngjarje për botuesit e tjerë, prezantime titujsh të rinj dhe autorë që do të flasin për tema të caktuara, diskutime për letërsinë bashkëkohore maqedonase, të huaj, e të tjera. Risi për këtë vit është rëndësia që i kanë kushtuar organizatorët librit për fëmijë. Salla numër dy i rezervohet letërsisë për fëmijë dhe për këtë qëllim është krijuar enkas edhe Këndi i fëmijëve, në të cilin përveç promovimeve të librave do të zhvillohen edhe aktivitete të ndryshme edukative dhe argëtuese. Nga rajoni do të prezantohen shtëpi botuese nga Serbia dhe Mali i Zi dhe, sipas organizatorëve, do të prezantohen mbi 80 mijë libra, të ekspozuara në dy sallat e Metropolis Arena.
“Në stendat e panairit do të prezantohet koncentrimi më i madh i autorëve të huaj dhe vendas, literaturë klasike dhe bashkëkohore, profesionale, shkencore dhe beletristikë, libra shkollorë, enciklopedi dhe libra të tjerë nga sfera e artit dhe kulturës….Në programin e pasur të këtyre shtatë ditë të panairit do të realizohen mbi 60 promovime veprash dhe autorësh, një numër i madh debatesh dhe tribunash, si edhe do të ndahen edhe çmime”, ka deklaruar Sonja Hondarko, drejtore operative e projektit në Panairin e Shkupit. Hyrja është 30 denarë, ndërsa botuesit do të ofrojnë libra me ofertë që shkojnë deri në 70 për qind më lirë. Panairi ndërkombëtar i librit organizohet nga “Panairi Shkupit” me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës, në bashkëpunim edhe me shoqata të tjera të botuesve dhe shkrimtarëve, mes tyre edhe Shoqata e Botuesve Shqiptarë. Gjatë këtyre ditëve, në datat 6-8 prill, do të zhvillohen edhe dy panaire të tjera, “Ditët e arsimit dhe karrierës” si edhe “Ditët e turizmit”, në sallën e tretë. Në të dy këto aktivitete nuk do të marrin pjesë institucione të edukimit shqiptare, nga vendi apo Shqipëria e Kosova. Të painteresuar janë edhe shoqatat e turizmit. Ndërkohë në Panairin e Turizmit numri i madh i prezantimeve do të bëhet nga agjencitë nga Shkupi, Serbia dhe Mali i Zi, ndërsa në një stendë të posaçme Kancelaria e Turizmit dhe Kulturës së Turqisë do të prezantojë destinacionet turistike dhe kulturore të këtij vendi.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara