Shkup, 3 gusht – Zëvendëskryeministri i Republikës së Maqedonisë përgjegjës për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit dhe sistem politik, Hazbi Lika, të enjten realizoi takim me ambasadorin e Italisë në vendin tonë, Karlo Romeo. Në aspekt të aspiratave të Sekretariatit për implementimin e Marrëveshjes së Ohrit dhe shtetit tonë, në këtë takim theks të veçantë iu kushtua reformave qeveritare dhe shtyllave që rrjedhin nga Marrëveshja e Ohrit. Zëvendëskryeministri Lika shprehu se vullneti pozitiv që mbizotëron në këtë koalicionim qeveritar dhe marrëveshjet për harmonizim të qëndrimeve të ndërsjellta, duhet të shfrytëzohen me përqëndrim të madh për të formuar një shoqëri të shëndoshë multietnike dhe ngritje të standardeve të jetesës në Republikën e Maqedonisë. Paralelisht ata konstatuan se Marrëveshja e Ohrit duhet të ekzistojë deri sa të gjejë implementimin e vet.