LSDM-ja sot njoftoi se vullneti i shumicës do të realizohet deri në fund dhe se proceset demokratike vazhdojnë, pas zgjedhjes legjitime të presidentit të ri të Kuvendit. Në Republikën e Maqedonisë, është bërë hap i madh në proceset demokratike. Është zgjedhur presidenti i ri i Kuvendit, ndërsa në periudhën që pason proceset do të vazhdojnë me realizim përfundimtar të vullnetit të shumicës së qytetarëve.
LSDM-ja, opinioni vendor dhe ndërkombëtar zëshëm e kanë mbështetur zhbllokimin e Parlamentit dhe qartë kanë dërguar mesazh të, siç theksojnë, “regjimit në rënie se ky është fundi i tij, duhet të tërhiqet para vullnetit të shumicës së mbi 700.000 qytetarëve të përfaqësuar nga mbi 67 deputetë në Kuvend të cilët dëshirojnë të jetojnë në Maqedoninë demokratike”. LSDM-ja thekson se prioritet i lartë për qytetarët dhe shtetin është që të realizohet deri në fund vullneti i qytetarëve i shfaqur në zgjedhje kredibile përmes transferit të shpejtë të pushtetit, në pajtueshmëri me Kushtetutën, Rregulloren dhe ligjet në Republikën e Maqedonisë.
“Nga këtu, institucionet duhet t’i ndërmarrin të gjitha masat e nevojshme që t’i mbrojnë interesat shtetërore dhe qytetare. Dhuna ndaj përfaqësuesve legjitim të qytetarëve në parlament dhe ndaj dhomës ligjvënëse është rezultat i politikave të konfliktit, urrejtjes, ndarjeve, nxitja e trazirave është rezultat i Nikolla Gruevskit, të mbështetur nga Gjorge Ivanov dhe Trajko Veljanoski dhe kjo nuk guxon të përsëritet”, thuhet në kumtesë dhe shtohet se do të përgjigjen për rrezikim të jetëve të gjithë ata të cilët kanë marrë pjesë në dhunën e djeshme në Parlament. Bëjmë thirrje, qëndron në kumtesë, që qytetarët të qëndrojnë të qetë dhe të mos bien pre e skenarëve të kurdisura me të cilët dëshirojnë të provokojnë jostabilitet.