Sofje, 14 nëntor – Edukimi i kuadrove ushtarake mjekësore, bashkëpunimi në stërvitjen ushtarake të forcave speciale, bashkëpunimi në aviacionin ushtarak dhe mbrojtjen kundërajrore, shfrytëzimi i enteve për remont të Republikës së Bullgarisë, kanë qenë pjesë e temave të bisedës mes shefit të Shtatëmadhorisë të ARM-së së Maqedonisë, gjeneralit Metodija Veliçkovski dhe shefit të SHM të Forcave të armatosura bullgare, gjeneral-nënkoloneli Andrej Bocev në Sofje.
Delegacioni i ARM-së, i udhëhequr nga Veliçkovski gjendet për vizitë pune zyrtare në Shtatmadhorinë dhe Ministrinë e Mbrojtjes së Bullgarisë.
Në takimin mes shefave të shtatëmadhorive u bisedua edhe për bashkëpunimin e ndërsjellë ushtarak, para së gjithash për përforcimin e bashkëpunimit ekzistues në sferën e arsimit ushtarak, ndërsa është i mundur bashkëpunim edhe në sferën e akuizimit. Nga ana e gjeneralit Veliçkovski janë prezantuar kapacitetet dhe mundësitë për realizimin e stërvitjes së përbashkët në poligonin e armatës “Krivollak”.
Gjeneralët Veliçkovski dhe Bocev kanë shprehur bindje se bashkëpunimi i mirë i ndërsjellë në sferën e mbrojtjes dhe marrëdhëniet e mira në rajon janë me rëndësi për stabilitetin e përgjithshëm dhe siguri, e cila edhe më shumë do të përforcohet pas përfundimit të procesit të pranimit në NATO të gjitha vendeve anëtare të iniciativës SHBA-Karta e Adriatikut.
Këto angazhime janë përsëritur edhe gjatë mbledhjes së delegacionit të ARM-së me zëvendës ministrin e Mbrojtjes Anatolij Veliçkov, me ç’rast është shprehur përkrahja dhe gatishmëria për përshpejtimin e proceseve për integrimin euroatlantik të Republikës së Maqedonisë.
Delegacioni i ARM-së gjatë ditës do të realizojë vizitë edhe në Akademinë ushtarake “G.S. Rakovski”, ku krahas takimit me shefin e Akademisë, gjeneral majorin Grudi Angellov, do të shqyrtohen mundësitë për vazhdimin e mëtejshëm të shkollimit të pjesëtarëve të ARM-së në këtë institucion arsimor ushtarak