Laura PAPRANIKU
Shkup, 25 maj – Megjithëse nuk ka ndonjë traditë në formimin e paraleleve me mësim në gjuhën shqipe, për më pak se një dekadë nxënësit dhe profesorët shqiptarë të Shkollës së Mesme të Kimisë “Maria K. Skllodovks”, ia kanë dalë të funksionojnë me sukses, shkruan gazeta KOHA. Madje, përveç cilësisë sa u takon nxënësve që regjistrohen këtu, nuk kanë munguar as sukseset nëpër gara dhe aktivitete me karakter shoqëror dhe humanitar. Për të pestin vit me radhë, me iniciativë të kësaj shkolle, të enjten, në Çarshinë e Vjetër të Shkupit, do të organizohet aksioni për dhurimin e gjakut, me moton: “Eja dhe dhuroji dikujt mundësinë për të jetuar”. Ky aksion do të realizohet në bashkëpunim me Shkolla e Mesme e Mjekësisë “Pançe Karagjozov”, Institutin e Mjekësisë së Punës dhe Kryqin e Kuq.
Nisur nga përvoja e viteve të kaluara, organizatorët shprehen optimistë për jehonën që do të ketë aksioni i dhurimit të gjakut të enjten e 25 majit, ndërsa thonë se është një mundësi e mirë edhe për promovimin e drejtimeve që hapen në shkollën e tyre. Përgjegjësi i paraleleve me mësim në gjuhën shqipe, Vedat Mustafa, thotë për KOHA se SHMK “Maria k. Skllodovska”, vjen me mundësi dhe risi të reja për vitin shkollor 2017/2018. Për herë të parë, deklaron ai, do të hapet në shkollë një drejtim i ri i arsimit të mesëm medicinal, respektivisht drejtimi përkëdhelës për persona të moshuar. Ky dhe drejtime të tjera, ishin pjesë e fushatës promovuese, të cilën e realizuan në shumë shkolla fillore të Shkupit kuadri i profesorëve shqiptarë. Sipas Mustafës, drejtimet që hapen në SHMK “Maria Kiri Skllodovska” përgatisin kuadër që me lehtësi kyçet në tregun e punës. Janë drejtime deficitare për momentin dhe për këtë arsye kanë përparësinë që pas përfundimit të shkollës së mesme nxënësit të mund të sigurojnë më lehtë një vend pune. Për ata që do të dëshirojnë të vazhdojnë arsimin e larët ende më mirë, do t’i kanë shumëfish më të mira gjasat për punësim dhe vendet e punës.
Vitin shkollor, që po lemë pas, në “Marija Kiri Skllodovska”, janë 16 paralele me mësim në gjuhën shqipe, ndërsa për vitin e ardhshëm do të formohen pesë paraleleve të reja të drejtimeve drejtimet profesionale të kimisë, mjekësisë dhe shërbimeve personale. Pra, në gjuhën shqipe do të ketë drejtime të teknik kimik – teknologjik, teknik i procesit të prodhimit, teknik laboratorik – medicinal, teknik medicinat përkëdhelës dhe teknik i optikës së syve. “Për vitin shkollor 2017/2018 kemi një risi, kemi risi formimin e një drejtim të ri në paralelet e mjekësisë, që hapet për herë të parë në nivel shteti. Vlen të theksohet se ky drejtim, teknik medicinat përkëdhelës, do të jetë prej sivjet edhe në gjuhen shqipe”, shprehet Mustafa.
Sipas tij, shkolla i plotëson të gjitha kushtet për arsim të mesëm profesional në drejtimet përkatëse dhe ofron standarde të larat për mësim. Kemi laboratorë të mjaftueshëm për të gjitha drejtimet dhe ajo që është më e rëndësishme nuk mungon as interesimi i nxënësve shqiptarë për regjistrim në këtë shkollë. Avantazhi tjetër është se këtu vijë të regjistrohen nxënësit që kanë pasur suksese të larta në mësimi e gjatë arsimit të tyre nëntëvjeçar. Numri i tyre është relativisht i lartë.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara