Refuzojnë të dalin nga hoteli ku ndodhen prej të dielës së kaluar, në kryeqytetin Abuja. Kjo është mënyra që futbollistet e Nigerisë kanë zgjedhur për të protestuar sepse Fedearata nuk i ka dhënë shpërblimet e premtuara pas fitores së trofeut të tetë të Kupës së Afrikës, një rekord, i arritur gjashtë ditë më parë pasi kanë mundur në finale 1-0 Kamerunin. Atletet i kanë kërkuar Federatës derdhjen e 16.500 dollarëve për kokë (15.600 euro) siç parashikohej në rastin e fitores së turneut kontinental. Jo vetëm. Futbollistet janë ankuar edhe për mungesën e pagimit për kompeticione të tjera, si kualifikimi në Lojërat e Rios. “Ata duan që të largohemi nga hoteli, por ne jemi të sigurta se këto para do të zhduken në momentin kur ne të largohemi prej këtu. E dinë ata dhe e dimë ne, për këtë arsye nuk lëvizim”, ka thënë një nga vajzat, që ka preferuar të ruajë anonimitetin. Ndihmës trajneria Osinachi Ohale është indinjuar për fjalimin që presidenti i Federatës, Amaju Pinnick, i ka mbajtur lojtareve. “Na ka thënë disa gjëra që na kanë acaruar, sepse ka thënë se nëse vazhdojmë të çnderojmë Nigerinë, do të jetë i detyruar të informojë edhe klubet tona për këtë”.