Mbështetje të fuqishme për agjendën reformuese e cila do t’i hap perspektivat e Republikës së Maqedonisë ndaj Evropës, ka marrë sot kryeministri Zoran Zaev prej ambasadorëve të BE-së. Siç kumtoi pres shërbimi qeveritar, në takimin e përbashkët është theksuar se sigurimi i institucioneve profesionale, funksionaliteti i Parlamentit dhe gjyqësia e pavarur dhe mediat, janë sferat kyçe në të cilat nevojiten reforma urgjente.
Në takim janë përshëndetur politikat inkluzive dhe u dërgua mesazhi për optimizëm nga Brukseli se Qeveria e Maqedonisë do ta vendos shtetin në rrugën evropiane. Si i rëndësishëm u theksua përcaktimi që Republika e Maqedonisë të jetë vend evropian. “Jemi të përkushtuar në definimin e agjendës afatshkurtre dhe afatmesme për prioritetet reformuese urgjente. Për këtë do të bisedoj edhe me eurokomisarin Han në Bruksel. Integrimet euroatlantike janë qëllim strategjik i Maqedonisë dhe interes i qytetarëve të Maqedonisë është të ketë institucione demokratike”, tha Zaev.
Zaev ka potencuar se në interes të qytetarëve dhe shtetit, Qeveria është e gatshme të bashkëpunojë me opozitën dhe me presidentin Ivanov. “Jemi të drejtuar edhe nga bashkëpunimi me sektorin civil dhe me të gjithë faktorët e tjerë shoqëror, pasi që vetëm së bashku mund të kontribuojmë drejt zhvillimit të Maqedonisë, ndërsa me këtë edhe të sigurojmë jetë cilësore për të gjithë qytetarët”, theksoi kryeministri. Në takimin me ambasadorët në Qeveri në të cilën morën pjesë edhe zëvendëskryeministrat Bujar Osmani dhe Radmilla Shekerinska, Zaev i falënderoi vendet anëtare të BE-së për ndihmën dhe mbështetjen në nivel parimor dhe miqësor për zhvillimin e proceseve demokratike në vend.