Sportistët e epokës së sotme marrin miliona euro nga klubet e tyre, por edhe nga marketingu. Mirëpo, kur flasim për sportistin më të paguar të të gjitha kohëve, duhet të kthehemi në kohë. Kalëruesi Gaius Appuleius Diocles i kishte fituar 15 miliardë dollarë gjatë karrierës, duke i lënë larg përcjellësit
Cristiano Ronaldo e nënshkroi kontratën e re me Real Madridin në nëntor të vitit të kaluar, përmes së cilës do t’i marrë 365 mijë funte në javë, derisa Lionel Messi pritet ta vazhdojë kontratën me Barcelonën me kushte të përmirësuara, të cilat do ta lumturojnë atë edhe më shumë. Gjithashtu, paratë që po i ofron Superliga kineze po i joshin sportistët dhe po i bëjnë ata të pasur, derisa sulmuesi i Chelseat, Diego Costa, thuhet se në Azi mund t’i marrë deri në 30 milionë funte, nëse transferohet gjatë verës që vjen, shkruan sot gazeta Zëri.
Woods fitoi 1 miliard dollarë
Nëse largohemi nga fusha e futbollit, yjet e NBA-së, NFL-së, golfit dhe tenisit, i kanë mbushur kontot e tyre në mënyrë të furishme në vitet e fundit, derisa golfisti Tiger Woods ishte bërë sportisti i parë që e arrin shifrën e 1 miliard dollarëve të fituar në karrierë. Mirëpo, të gjitha këto ikona të kohërave moderne duken si “miza”, nëse i krahasojmë me figurën ikonë të Romës së lashtë.
Fitoi 15 miliardë dollarë
Gaius Appuleius Diocles ndoshta nuk është emër i njohur në audiencën e Shekullit 21, por ai ishte një sportist i niveleve të larta në ditët e tij dhe njeriu që konsiderohet si sportisti më i pasur i të gjitha kohërave. Derisa golfisti Woods i ka vendosur 1 miliard dollarë në xhirollogarinë e tij bankare, Diocles thuhet se i kishte fituar afro 15 miliardë dollarë gjatë karrierës së suksesshme, e cila e bënte atë si karrocierin më të njohur të epokës së tij.
24 vjet karrierë
Ai ishte zbuluar si talent që nga mosha 18-vjeçare dhe ka garuar për më shumë se 24 vjet, duke marrë pjesë në 4.257 gara, prej së cilave i kishte fituar 1.462. Jeta e tij ishte vënë në rrezik në çdo kthesë dhe çdo ditë, derisa ishte me qerren e tij, pasi garuesit e tjerë ishin të armatosur me shpata të lakuara, në rast se ndonjëri prej garuesve rivalë do t’iu afrohej shumë. Diocles ishte më i miri prej më të mirëve dhe e dorëzoi stafetën kur e paralajmëroi pensionimin kur ishte 42 vjeç, përcjellë Zëri. Në atë kohë, ai i kishte fituar plot 35.863.120 monedha të hekurit, të cilat sot mund të barazohen me 15 miliardë dollarë. Pak kush mund t’i afrohet kësaj shifre sot, edhe pse pagat e sportistëve janë si dita me natë me ato të kolegëve të tyre që janë marrë me sport shumë vite më parë.
Ronaldo, Messi dhe shokët, shumë larg
Ronaldo, Messi dhe shokët mund ta konsiderojnë veten si elita e sportistëve që paguhen më së shumti në botë, por ata janë larg, shumë larg legjendës romake. Futbollistët në fjalë do të festojnë kur ta arrijnë pasurinë prej 1 miliard dollarësh, nëse e arrijnë, por 15 miliardësh i Diocles duket i paarritshëm. Ai ka mbetur legjendë në sport.