Shkup, 25 shkurt – I akuzuari i vetëm shqiptarë në ngjarjet e 27 prillit, Feta Alimi, polici hero që i shpëtoi jetën kryetarit të Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela, në një postim në Facebook ka shkruar se po e mbajnë në paraburgim pa faj, vetëm pse është shqiptarë, shkruan gazeta KOHA.
“Ka kush rri në burg? SHQIPTARËT! Vet paraqitem në gjyq, siç e dini të gjithë (erdha nga Zvicra) e më mbajnë 200 ditë në paraburgim në Shutkë. Po unë nuk e kam emrin TRAJKO, MILE, SASHO, MUKOVSKI… Unë quhem Feta Alimi. Mjerim për ne shqiptarët. A ka kush që ma shpjegon më ndryshe…”, shkruan Alimi në Facebook.
Në ndërkohë, sot, Aleanca për Shqiptarët, në një reagim drejtuar mediave kundër Talat Xhaferit që ndërpreu seancën për marrjen e imunitetit të deputetit të VMRO-së, Trajko Veljanovski, thotë se me çfarë logjike i akuzuar Feta Alimi duhet të vuajë burg kur të gjithë përgjegjësit e vërtetë po amnistohen, madje po bëhen të paprekshëm nga ligji?
“Përfundimisht është momenti që edhe LSDM të definojë qëndrimin e saj për dualizmin e BDI-së që është në qeverisje me LSDM ndërsa në koalicion me VMRO-DPMNE, se cili ishte roli i sajë në gjithë këtë proces, në mbrojtje të ligjit dhe drejtësisë apo në mbrojtje të krimit të VMRO-së dhe BDI? Dhe krejt në fund, më çfarë logjike i akuzuar Feta Alimi duhet të vuajë burg kur të gjithë përgjegjësit e vërtetë po amnistohen, madje po bëhen të paprekshëm nga ligji? Deri kur fati politik i shqiptarëve do diktohet nga kriminelët e BDI-së, të cilët trafikuan besimin e shqiptarëve në shërbim të krimit të tyre dhe të mbrojtjes së bashkëkriminelëve të VMRO-DPMNE-së”, thuhet në reagimin e ASH-së. (koha.mk)