Refuzimi i Kepa Arrizabalagas për t’u zëvendësuar gjatë ndeshjes finale të Chelseat në Carabao Cup kundër Manchester Cityt i dominoi ballinat të dielën, por kjo nuk është hera e parë që një futbollist e refuzon zëvendësimin. Në fakt, këtë e ka bërë vite më parë edhe Lionel Messi.
Sarri tentoi ta zëvendësojë Kepan me portierin rezervë Willy Caballero para se ndeshja të shkonte në gjuajtjen e penalltive, sepse përfaqësuesi spanjoll kishte probleme me ngërç në momentet e fundit të humbjes së Chelseat në finale, transmeton Gazeta Express, përcjell gazeta KOHA.
Megjithatë Kepa refuzoi ta lërë fushën – duke shkaktuar vonesë të gjatë të ndeshjes dhe si pasojë e tërboi trajnerin Sarri, i cili u largua me vrap drejt tunelit por u rikthye menjëherë në stol.
Kepa e vazhdoi lojën, por qe në gjendje ta mbrojë vetëm një penallti gjatë ekzekutimit të tyre, dhe City fitoi 4:3 duke e mbrojtur trofeun e Kupës së Ligës.
Të dy, edhe Kepa edhe Sarri tentuan ta zbusin incidentin duke thënë se kishte pasur keqkuptim dhe se gjithçka është në rregull.
Megjithatë, kjo nuk ështe hera e parë që një lojtar e refuzon zëvendësimin. Në tetor të vitit 2014, Lionel Messi – futbollisti që nga shumë vlerësohet si më i miri i të gjitha kohëve – nuk pranoi të largohej nga loja derisa Barcelona po fitonte 3:0 kundër Eibarit.
Luis Enrique, trajner i Barçës në atë kohë, u përpoq ta largojë nga loja Messi në çerekun e fundit të ndeshjes – në mënyrë që ta pushonte – pasi tashmë veç i kishte siguruar të tri pikët.
Por, Messi i tregoi atij me gjeste se donte të vazhdonte lojën dhe eci përpara në fushë duke e refuzuar kërkesën e trajnerit.
Enrique, pasi kishte vendosur se nuk do t’ia vlente ta zemërojë yllin e skuadrës, përfundimisht vendosi ta largojë Neymarin në vend të Messit, për Munir El Haddadin.
Sikurse Sarri, edhe Enrique tentoi ta zbusë incidentin pas ndeshjes, duke thënë për ESPN: “Para se të bëjmë zëvendësime, ne i pyesim futbollistët dhe pastaj i kryejmë. Ajo që ndodhi mund të interpretohet në shumë mënyra, varësisht se kujt i shërben. Unë vazhdoj ta bëj atë që e bëj”.
“Duhet ta kem çdo gjë parasysh, por unë i besoj atij sesi ndihet dhe për atë që ma thotë. Nganjëherë shikoj përreth në bankën e rezervistëve dhe mendoj sesa me fat jemi që e kemi Messin”, shtoi Enrique.
No one cared when Messi refused to come off. Standards. pic.twitter.com/C8iBH2pqYH
— 𝕒𝕧. (@hurlstool) February 25, 2019